Analistët komentojnë përplasjet Kosovë-Serbi në samite, ja çfarë po shfaqin serbët

Politika

Analistët komentojnë përplasjet Kosovë-Serbi në samite, ja çfarë po shfaqin serbët

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 23 qershor 2021 Në ora: 10:25
Pamje nga Samiti në Vjenë

Që nga zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, në Kosovë filluan ndryshimet që u paralajmëruan gjatë fushatës politike.

Ky ndryshim nuk u pa vetëm në skenën politike në vend, por edhe në politikën rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndryshime u bë edhe në qasjen e dialogut, kjo si duket e ka nxehur armikun e kamotshëm të shqiptarëve, Serbinë. Udhëheqësit e saj, si presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiç, po mundohen në çdo përballje me udhëheqësit shtetëror të Republikës së Kosovës, të përplasen me ta.

Gjatë muajve të fundit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, veç e veç, kanë marrë pjesë në samitet, si ai i Brdo-Brijunit, i Tiranës dhe atë të Turqisë.

Në këto tre samite, Kosova dhe Serbia kanë pasur debate të forta, për shkak që Serbia nuk e pranon se Kosova është shtet i pavarur.

Por, Osmani dhe Kurti janë kujdesur që t`ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk është e vërtetë një gjë e tillë.

Lidhur me këtë përplasje të Kosovës dhe Serbisë, analistët shprehen se kjo është vazhdimësi e politikës shoviniste serbe. Ndërkaq, ata kanë theksuar se politika serbe ka probleme të mëdha politike me gjeneratën e re të politikanëve të Kosovës, pasi ata kanë një qasje krejt ndryshe nga poetika e mëparshme në Kosovë, ku Kurti dhe Osmani po i pengojnë interesat serbe në Kosovë.

Mehazi: Përplasjet nga Serbi e kanë vazhdimësisë politike shoviniste serbe

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për paraqitjet e udhëheqësve politik të Kosovës në tri samitet ndërkombëtare e rajonale.

“Se udhëheqësit e tanishëm të Kosovës dallojnë prej të mëparshmeve u pa dhe u dëgjua gjatë tre samiteve të fundit në Brdo të Sllovenisë, në samitin e Tiranës dhe të Turqisë, po ashtu u vërejt edhe gjatë përballjes së Kurtit me Vuçiqin me rastin e dialogut në Bruksel”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sa i përket përplasjeve ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, profesori ka theksuar se këto përplasje e kanë vazhdimësisë politike shoviniste serbe.

“Përplasjet e Vuçiçit dhe Bërnabiçit më shumë e kanë kuptimin e vazhdimësisë politike shoviniste serbe sesa të vëmendjes politike në krah të Kosovës. Përplasjet e Bërnabiçit dhe Vuçiqit ndaj Kurtit dhe Vjosës janë për shkak të pengesave të mëdha të interesave serbe në Kosovë, lufta politike principiele e frontale e Kurtit dhe Osmanit është problemi më i madh i politikës serbe ndaj Kosovës. Kurti e Vjosa janë shembull konkret se si duhet të mbrohet Kosova”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka shtuar se Kurtin e Osmanin janë duke e krijuar një shkollë të re politike postmoderne jo vetëm ballkanike, po edhe evropiane dhe për ketë shkak elita serbe ka këtë sjellje.

“Tanimë elita serbe kanë probleme të mëdha politike me gjeneratën e re të politikanëve të Kosovës, Kurtin e Osmanin, të cilët janë duke krijuar një shkollë të re politike postmoderne jo vetëm ballkanike, po edhe evropiane. Paradigma e shkollës politike e shtetërore e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, kanë lënë me gishta në gojë jo vetëm Bërnabiqin dhe Vuçiqin, por edhe Borrellin e Lajçakun e BE-në në përgjithësi, sa që më nuk mund të manipulojnë, po edhe frikësohen të takohen me Kurtin e Osmanin. Shkolla e re e paradigmave politike ndaj Serbisë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit në shikim të parë duket e rrezikshme, po në të ardhmen e afërt do të dalë e suksesshme e do bëhet e autoritetshme sa që do përkrahet nga të gjitha fuqitë e mëdha evropiane e amerikane. Albin Kurti e Vjosa Osmani do të bëhen përfaqësuesit e parë të një modeli të ri politik e shtetëror”, ka potencuar Mehazi.

Më tepër, profesori ka shtuar se Osmani dhe Kurti kanë krijuar performanca të reja politike ndaj Serbisë.

“Niçe thotë: "Me gungaçët fol me gunga", apo me kriminelët serb dëshmoni krimet e tyre. Me hapjen e temave të masakrave serbe në Kosovë, me aktakuzën në Gjykatën Ndërkombëtare ndaj krimeve serbe në Kosovë, ndaj të vrarëve, varrezave masive, zhdukurve e të pagjeturve, Kosova jo që fiton, po argumenton krimet makabre shtetërore serbe në Kosovë. Përplasjet e presidentes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurtit kanë krijuar performanca të reja politike ndaj Serbisë, BE-së e SHBA-së që do bëhen model të shumë burrështetasve botëror", ka deklaruar Sulejman Mehazi për gazetën "Bota sot".

Maraj: Reagimet e pa matura të krerëve të Serbisë

Image
Profesori Milazim Maraj

Ndërkaq, profesori tjetër, Milazim Maraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se pse po ndodhin këto sjellje të pamatura të udhëheqësve të Serbisë.

“Sjelljet e pa matura të parëve të Serbisë; këtij shteti kriminel, me një kryesi kriminale janë si rezultat i ndeshjes më argumentet që i shtrojnë në tavolinë të bisedimeve Presidentja e Kosovës në Turqi dhe kryeministri i Kosovës në Austri”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Maraj ka treguar se pse Serbia është shtet kriminel dhe se vazhdon të hartojë plane e projekte për të vazhduar krimin ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur memorandumin e Millosheviqit për copëtimin e Kosovës, ndërkaq ka shtuar se Vuçiqi është pasardhës i kësaj hierarkie që ka të njëjtën detyrë.

“E quajta shtet kriminel nga se ky shtet nuk i ka dënuar krimet e bëra në Kosovë. Përkundër kësaj hartojnë plane e projekte për të vazhduar krimin. Asociacioni i komunave serbe është projekt i AASHS të vitit 1986. Për këtë memorandum u ngarkua Sllobadan Millosheviqi për të copëtuar tokat e Kosovës dhe viseve tjera të Jugosllavisë në favor të Serbisë. Memorandumi serb parashikoj 82.000 viktime jo serbe, kjo shifër u tejkalua shumë. Vuçiq është pasardhës i kësaj hierarkie që ka të njëjtën detyrë. Ata pretendojnë që fillimisht të formohet rrjetin i horizontal i ndikimit shovinist dhe pastaj të lidhet më hierarkinë në Beograd dhe të realizojë pjesët tjera të projektit sikur që është ri kolonizimi, çrregullimet sociale, duke i përcjellë më vajin e krokodilit të orkestruar nga kishat serbe pastaj më luftë në emër të mbrojtjes se serbëve”, është shprehur Maraj.

Gjithashtu, ai shprehet i habitur se pse Bashkimi Evropian e “përkëdhel” Vuçiqin, kur dihet se ai haptas mohon dhe mbron krimin serb në Kosovë.

"“Paternalizmi serb” nuk ka për qellim të mbrojë serbët në Kosovë, nga se nuk ka nevojë dhe nuk janë fare të rrezikuar. Serbët në Kosovë jetojnë më mirë se ata në Serbi. Pikërisht këta banorë të Kosovës përdoren pa mëshirë për të realizuar qëllimet e agresionit serb që nuk ka kufi. Por ajo që çuditë është pse BE përkëdhel kriminelet serb. Përkëdhelja e kriminelit Vuçiq, njeriut që haptas mohon dhe mbron krimin serb në Kosovë, sistemon kriminelët në struktura të larta shtetërore, emërton rrugë më emra të kriminelëve, madje vet e vendos pllakatin e rrugës së emërtuar më emrin e Ratko Mlladiqit. Pse BE kërkon dialog më këta kriminelë. E,(i) para e shtetit të Serbisë kriminale Bërnabiq mbron më nervozizëm krimet e shtetit që e përfaqëson. Për të qetësuar Evropën duhet të dënohet Serbia, jo vetëm për këtë luftë, por për të gjitha krimet e bëra edhe në luftërat e më hershme të nxitura nga vet Serbia”, ka potencuar profesori.

Për më tepër, Maraj ka treguar se çfarë shpjegon nervozizmi i Serbisë.

“Nervozizmi i tyre në dialog ku kërkohet maturi dhe diplomaci shpjegon më shumë gjëra dhe këto janë: Qëndrimi i butë dhe i pa vendosur nga BE. Përkrahja dhe ndikimi rus për të mbrojtur krimet dhe supermacinë serbe në Gadishullin Ilirik, duke e llogaritur Serbinë si koloni të veten. Përfaqësimi i BE-së më dy diplomatë që vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën josh dhe trimëron Serbinë në këto bisedime të parakohshme. Njeri nga këta, z. Lajçak në këtë mision më tepër të jep përshtypjen e një ambasadori serb se sa një misionari të paqes nga BE”, ka vlerësuar Maraj për “Bota sot”.

Më tej, ai ka theksuar se Kosova duhet të përkrah Osmanin dhe Kurtin, ndërkaq, ka sugjeruar që sa më shpejtë të përgatitet padia kundër Serbisë.

“Kosova duhet të përkrah Presidenten dhe Kryeministrin e vet, në refuzimin e projekteve serbe në shtetin e pavarur të Kosovës. Sa më shpejtë të përgatitet padia kundër këtij shteti kriminel. Serbia nuk heq dorë nga krimi dhe projektet kriminale pa u dënuar. Ajo më këtë udhëheqje përkrah dhe lavdëron kriminelët serb për krimet e bëra ndaj njerëzimit. Pajtimi mund të vije vetëm pas dënimit të Serbisë dhe kërkim faljes ndaj Kosovës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Në fund, Maraj ka treguar se si e sheh Serbia Kosovën dhe ka treguar se çfarë duhet të bëjë shteti ynë.

“Kosova nuk ka çka të falë më shumë, negociata mund të bëhen për kufijtë e Dardanisë jo për kufijtë e Kosovës. Serbia është një thes i përbërë nga copat e tokave të fqinjëve. Serbia Kosovën e sheh vetëm si viktimë dhe jo si shtet fqinj. Në këtë raport bisedimet janë humbje kohe dhe shpenzime të kota. Të forcojmë shtetin tonë, të luftojmë korrupsionin dhe krimin, të konfiskohen pasuritë më origjinë të kundërligjshme. Të përgatisim forcat e armatosura të Kosovës. Të ruajmë miqësinë e përjetshme më SHBA-të dhe shtetet tjera mike. Pas dënimit, Serbia di të qetësohet dhe të jetë shumë bashkëpunuese dhe demokratike”, ka përfunduar Milazim Maraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat