Daniel Serwer komenton nominimin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, jep këtë vlerësim

Politika

Daniel Serwer komenton nominimin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, jep këtë vlerësim

Nga: A.Zh Më: 3 korrik 2021 Në ora: 18:51
Jeffrey M. Hovenier

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të ri në Kosovë diplomatin e karrierës në Departamentin e Shtetit, Jeffrey M. Hovenier.

Lajmin e ka konfirmuar ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett, përmes një postimi në Twitter, ku ka përgëzuar Hovenier për postin e tij të ri.

“Urime kolegut dhe mikut tim Jeff Hovenier për emërimin e tij si Ambasadori tjetër i SHBA në Kosovë”, ka shkruar Kosnett.

Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin aktual Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018.

Hovenier do të jetë ambasadori i gjashtë amerikan në Republikën e Kosovës.

Nominimin e Hovenier, e ka komentuar eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Serwer ka thënë se Hovenier është i përshtatshëm si ambasador dhe se ka reputacion të mirë profesional.

“Më duket një emërim krejtësisht i përshtatshëm i dikujt me prejardhje përkatëse dhe me reputacion të mirë profesional”, ka thënë ai.

Image
Daniel Serwer

Jeffrey M. Hovenier aktualisht shërben si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Ai ka shërbyer në stafin e të Dërguarit Special të OKB për statusin e Kosovës. Hovenier në vitin 2018, ishte nderuar me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Në atë kohë, Hovenier kishte deklaruar se do të jetë “gjithmonë një mik i Kosovës”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat