Kosova përjetësisht falënderuese ndaj SHBA-ve, Amerika shpëtoi shqiptarët

Politika

Kosova përjetësisht falënderuese ndaj SHBA-ve, Amerika shpëtoi shqiptarët

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 korrik 2021 Në ora: 08:28
Ilustrim

SHBA shënon sot festën më të madhe kombëtare, 245 vjetorin e pavarësisë, ku me 4 Korrik 1776 shpallën pavarësinë e tyre.

Dita e pavarësisë, 4 korriku është festë kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që shënohet në shenjë të kujtimit të nënshkrimit të Deklaratës për pavarësinë nga ana e Kongresit kontinental më 4 korrik të vitit 1776 në Filadelfia, shteti federativ i Pensilvanisë.

Siç dihet, SHBA-të luajnë rol kyç në gjithë botën, janë një nga fuqitë më të mëdha botërore, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo, pavarësisht që ata zhvillojnë dhe ndihmojnë vendin e tyre, kontributi i tyre nuk mbaron me aq, miqësia dhe ndihma e jashtëzakonshme për Kosovën e bën këtë vend edhe më të dashur.

Kosova përjetësisht i është falënderuese SHBA-ve për atë se çfarë ka bërë në kohën më të vështirë për vendin dhe vazhdon të bëjë ende.

Duke vazhduar kontributin e tyre, SHBA-të menjëherë pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Kosovën dhe derisa u bë dhe Ambasada.

Kujtojmë që Kosova e konsideron Shtetet e Bashkuara partnerin e saj më të madh që nga pavarësia e gjerë më tani.

Sot SHBA-të festojnë pavarësinë e tyre mirëpo së bashku me ta feston e gjithë Kosova.

Shahu: Kosova mirënjohëse përherë ndaj Amerikës

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Amerika ka luajtur rolin kyç në pavarësinë e Kosovës dhe për këtë gjithë qytetarët e vendit i janë mirënjohës.

Image
Rexhep Shahu

Ai shton se falë Amerikës vazhdojnë të jenë ekzistuese dy shtetet shqiptare duke u shkëputur nga Jugosllavia.

“Amerika kampionia e lirisë, çliruesja, pavarësuesja e garantuesja e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, sot ka ditën e pavarësisë. Amerika është fati i Kosovës, Kosova pa Amerikën do të ishte nën thundrën serbe. Shqiptarët në tërësi dhe Kosova në veçanti janë populli më pro amerikan në planet sepse janë të ndëshkuar nga fuqitë e tjera dhe janë të mbrojtur e të përkrahur vetëm nga Amerika. Falë Amerikës sot janë dy shtete shqiptare, ëndërr e ëndërruar që nga viti 1912 kur Kosova mbeti jashtë territorit të Shqipërisë, u shkëput si pjesë e hapësirë shqiptare dhe iu bashkua Jugosllavisë”, u shpreh ai.

Analisti më tej thotë se Kosova është e lidhur me SHBA-të e kësisoj shqiptarët e Kosovës ndjehen shumë të lidhur me Amerikën dhe normalisht shpresojnë që miqësia mes dy vendeve të vazhdojë edhe më tej.

“Një shekull sundim serb dhe nuk u serbizua Kosova, përkundrazi u bë frymëzim shqiptarizmi, u kalit ndjenja kombëtare shqiptare, ky është vitalitet i racës shqiptare. Vështirë të ketë një popull e shtet tjetër në botë që ndjehet kaq amerikan e me fat kaq të lidhur me Amerikën sa Kosova që ndjehet si shtet i 54-të i SHBA-ve. Nuk besoj se antiamerikanët apo politikanët antiamerikan urrehen ndokund sa në Kosovë. Shqiptarët i urojnë jetë të gjatë e fuqi ndikuese e rrezatuese të Amerikës në ditën e saj të pavarësisë”, tha Shahu për “Bota sot”.

Bytyçi: Amerika ishte shpëtimi i Kosovës

Ndërsa, analisti politik nga Diaspora, Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, tha se pa Amerikën nuk do të ishte Shqipëria e as Kosova.

Image
Adem Bytyçi

Sipas tij, Amerika arriti të shpëtojë Kosovën nga shpërbërja e popullit.

“Pa Amerikën nuk do të kishte as Shqipëri dhe as Kosovë, po t'i referohemi historisë. Presidenti amerikan Willson e shpëtoi copëtimin e Shqipërisë për t'ua ndarë territorin e saj tri shteteve Ballkanike. Madje Amerika është shpëtimi i zhbërjes popullatës shqiptare të Kosovës nga gjenocidi serb në luftën e fundit 1998/99”, tha ai.

Analisti thekson që Amerikën duhet falënderuar përjetësisht, pasi që arriti të mbrojë Kosovën në ditët më të vështira të saj.

“Amerikën duhet falënderuar përjetësisht për kontributin e saj dhënë kauzës së drejtë kombëtare shqiptare dhe miqësinë Kosovë - SHBA, duhet rujtur si dritën e syve”, nënvizoi Bytyçi për “Bota sot”.

Krasniqi: Pavarësia e Kosovës është projekt i SHBA-ve

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi për “Bota sot”, u shpreh se Kosova i ka borxh përjetësisht SHBA-ve, pasi që ata shpëtuan vendin në ditët më të vështira që patën nga regjimi i Millosheviqit.

Image
islam krasniqi

Ai potencon që edhe ndihma që vazhdojnë ta kenë për vendin tonë mjafton t'u jemi përgjithmonë falënderues.

“Ne ju kemi shumë borxh SHBA-ve pasi që ata ishin ata që na zgjatën dorën kur ne ishim në vështirësi, kur ne humbëm shpresën së mund të behet shtet apo vend ku prapë do të jetojmë, pasi që për qytetarët e Republikës së Kosovës filloi një tmerr nga regjimi i Millosheviqit. SHBA-të historikisht kanë mbrojtur popullin shqiptar që nga Georg Washington, e mos të flasim për kohën e fundit ku e kemi çelsin e vetëm që na kanë përkrahur pa kushte dhe na mbështesin akoma në rrugëtimin tonë duke mos na lenë vetë asnjëherë”, potencoi analisti.

Në fund, ai thotë se pavarësia e Kosovës është projekt i SHBA-ve të cilët na mbrojtën nga regjimi serb, anadaj festa e tyre duhet të jetë edhe e jona.

Republika e Kosovës është e bekuar që ka një miqësi vëllazërore me shtetin amerikan, tha tutje analisti.

“Pavarësia e Kosovës është projekt i SHBA-ve të cilët vulosën shkatërrimin e ish Jugosllavisë duke na mbrojtur nga regjimi famëkeq, të cilët për 100 vite me radhë na mbajtën duke na shtypur me politikat kriminale. Ne duhet të festojmë bashkë me ta, pasi që ditën e Evropës e bëjmë festë duke e ditur së Bashkimi Europian na ka diskriminuar në çdo aspekt. Andaj, Republika e Kosovës është e bekuar që ka një miqësi vëllazërore me shtetin amerikan e që pa miqësinë e tyre edhe ekzistenca e shtetit tonë do të ishte e pamundur, e që fati jonë është se edhe pse ndërron pushteti atje, qëllimet dhe përkrahja e tyre asnjëherë nuk ka munguar”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat