“Nuk e ka shkopin magjik”, punët e mira të Kurtit dhe arsyet e kritikave nga opozita

Politika

“Nuk e ka shkopin magjik”, punët e mira të Kurtit dhe arsyet e kritikave nga opozita

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 korrik 2021 Në ora: 18:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurti ka mbushur 100 ditë qeverisje.

Për këtë, vet kryeministri Kurti ka mbajtur një mbledhje të qeverisë për të paraqitur të arriturat për 100 ditë punë. Ai si sukses e ka marrë numrin e ulët të infektimeve edhe pse ka thënë se menaxhimi i pandemisë vazhdon të mbetet përparësi e punës së qeverisë së tij.

Mirëpo, Qeveria Kurti ka pasur edhe kritika të shumta nga opozita për punët dhe vendimet që i ka marrë këto 100 ditë.

LDK dhe PDK e kanë vlerësuar 100 ditëshin e Kurtit si dështim, pa asnjë sukses.

Kurse, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci në një deklaratë ka thënë se dallimet janë shumë të mëdha.

“Janë marrë 200 vendime në këto 100 ditësh, është punuar në koncept dokumentet antikorrupsion. Koncept dokumenti për ligjin e Vettingut, Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për Gjykatën komerciale”, ka deklaruar ai.

Mehazi: Të keqen e qeverisjes njëzetvjeçare, nuk mund Albin Kurti ta shmang për 100 ditë qeverisje

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se partitë opozitare kanë të drejtë të kritikojnë por jo pa argumente dhe pa baza.

Image
Sulejman Mehazi

“Detyra e partive opozitare është të kritikojnë aty ku duhet e jo kur kritikat janë të pa argumentuara, të pa bazuara ndaj partisë në pushtet. Për fat të keq partitë opozitare jo vetëm në Kosovë, po edhe në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore nuk e kuptojnë se deputetët e tyre janë në parlament për të përmirësuar gabimet e bëra të partisë në pushtet, kur qeveria gabon ata të përmirësojnë gabimet e bëra të qeverisë”, thotë analisti.

Pro 200 vendimet për 100 ditë, analisti thotë se është e pamundur sepse as qeveria e Gjermanisë e Amerikës nuk mund të bëjnë ma shumë, e jo më qeveria e Kurtit.

“Nëse deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, deklaron se për 100 ditë janë marrë dyfish, 200 vendime, ligji për antikorrupsionin, ligji për Vettingun, Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për Gjykatën komerciale”, etj. të gjitha këto vendime ligjore të dyfishta 100 ditëshe opozita jo t'i kritikojë, po të zbulonte ligje të tjera gjatë qeverisjes 100 ditëshe të qeverisjes së Kurtit. Duhet të jemi të sinqertë e të themi se gjatë qeverisjes 100 ditëshe as qeveria e SHBA-së, Gjermanisë e Anglisë me shumë pak probleme politike, sociale, ekonomike e diplomatike nuk mund të bëjnë më shumë e jo më qeveria e Kurtit me plotë probleme të mbushura nga qeveritë e mëparshme të korruptuara deri në pakufi”, shprehet ai.

Tutje, ai ka thënë se shkak i keqqeverisjeve që ka pasur Kosova, Qeveria e Kurtit është e detyruar të merret me punët e kaluara, duke shtuar se Kurti të keqen e qeverisjes njëzetvjeçare, nuk mund ta shmang për 100 ditë qeverisje.

“Qeveria e Albin Kurtit në vend që të merret me të ardhmen e Kosovës për shkak qeverisjes së korruptuar njëzetvjeçare është e detyruar të kthehet prapa me anë të ligjeve të marra të antikorrupsionit, Vettingut, konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme e gjykatën komerciale, etj. Pra, qeveria e Kurtit në fillim duhet të humb kohë me budallallëqet e qeverive të mëparshme që pa mëshirshëm kanë zhvatur Kosovën aq sa me anë të shkëmbimeve të territoreve donin që Serbisë t'ia jepnin pjesën më të begatshme Kosovës. Të keqen e qeverisjes njëzetvjeçare, nuk mund Albin Kurti ta shmang për 100 ditë qeverisje. Korrupsionet vijnë shpejt, po shumë rëndë hiqen, korrupsionet shtetërore vijnë si vetëtima, kurse largohen si breshkat e ngadalshme”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Krasniqi: Opozita dobët, Qeveria Kurti qëndron shumë më mirë se qeveritë e kaluara

Edhe njohësi i çështjeve juridike e politike, Islam Krasniqi, ka thënë se është e dijshme që Qeveria Kurti nuk e ka shkopin magjik për ndryshime për të cilin kanë pritur opozita këto 100 ditë.

Sipas tij, qeveria Kurti qëndron më mirë se qeveritë e kaluara sepse atë shndërruan institucionet si shtëpi të dytë duke i mbushur me familjarë.

Image
Islam Krasniqi

“Opozita ka pasur pritje të njëjta me qytetarët duke menduar se qeveria Kurti II ka shkopin magjik më të cilin për një kohë shumë të shkurtër do të ndryshojë çdo gjë, duke përmirësuar mirëqenien për qytetarëve. Disa kritika mund të jenë të qëlluara pasi që edhe qeveria re ka lëvizur pak nga binarët e saj në disa raste por qëndron shumë më mirë së qeveritë e kaluara të cilat shtëpi të dytë i shndërruan institucionet duke i mbushur më familjarë”, ka thënë ai.

Ai thotë se kur kritikat janë me vend atëherë ka hapësirë për përmirësime, por shton se opozita e kësaj Qeverie është e dobët dhe shume pasive.

“Mos të harrojmë së kritikat nganjëherë janë shumë të mira pasi që qeveria mund të përmirësojë gabimet e tyre kur kritikat janë me vend. Opozita në këtë qeveri është shumë e dobët dhe shumë pasive, e cila po mundohet që të aktivizohet në këtë formë duke bërë zhurmë dhe mos thënë asgjë”, deklaron Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat