“Hajnat në burg”, Albin Kurtit i vjen paralajmërimi për ligjin anti-mafia

Politika

“Hajnat në burg”, Albin Kurtit i vjen paralajmërimi për ligjin anti-mafia

Nga: P.R Më: 6 korrik 2021 Në ora: 22:06
Albin Kurti

“Së pari ne do të duhet që të krijojmë një kabinet të vogël qeveritar, të vazhdojmë punët e mira që i kemi filluar në pranverën e vitit 2020 dhe shumë të tjera të cilat janë edhe më të mira. Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata, gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia, duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet, e gjithashtu janë një mori vendimesh të qeverisë e cila doli të ketë qenë edhe jo kushtetuese, përveç se jo legjitime, e të cilat duhet t’i anulojmë”. Kështu kishte deklaruar në muajin shkurt lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para se ta merrte postin e kryeministrit të Kosovës.

E më të marr postin e kryeministrit, Kurti deklaroi se më 1 korrik do të finalizohet drafti i parë i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Por deri më tani nuk është bërë publik drafti i dokumentit, që njihet edhe si Ligji antimafia.

E analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se miratimi i ligjit anti-mafia prek kokat e mëdha që kanë përgjegjësi për korrupsionin e krijuar në Kosovë.

Image
Faton Mehmeti

“Realisht, pres që ky ligj të miratohet, mirëpo zbatimi i saj ka telashet e veta. Pa Vetting në drejtësi zbatimi i çfarë do ligji që prek kokat e mëdha , të cilët janë të lidhur më drejtësinë, është vështirë i zbatueshëm. në këtë kuptim e shoh të vështirë zbatimin e ligjit për konfiskim të pasurisë”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, nëse qeveria Kurti nuk e bën Vetting-un, ajo do të dështojë.

“Së pari duhet të fillohet të bëhet reforma jo në politikë, por në drejtësi, se vetëm me një drejtësi të shëndosh, të pa korruptuar dhe të shkapur nga politika mund të fillohet së zbatuari çfarë do ligji që miraton kjo qeveri. Kështu që, qeveria Kurti nëse nuk bën Vetting, ligji për konfiskimin e pasurisë do të mbet nul, në sensin që s’do të zbatohet dot”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Për fund, Mehmeti thotë se Qeveria duhet ta mbaj premtimin e saj “hajnat në burg”, premtim ky që ishte dhënë gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

“Qeveria Kurti duhet të zbatoj premtimet e saja "hajnat në burg", pra vërtet të futën në burg të gjithë ata që e kanë zhvatur këtë vend për kohë të gjatë. Me ligje të forta, me drejtësi të çkapur, me njerëz me duart të pastra në institucione, më në fund mund të flitet për shtet të së drejtës, një model që e kemi ëndërruar shumë kohë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat