A ishte i drejtë shkarkimi i Bordit të RTK-së? Flasin analistët, tregojnë arsyet

Politika

A ishte i drejtë shkarkimi i Bordit të RTK-së? Flasin analistët, tregojnë arsyet

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 10 korrik 2021 Në ora: 10:54
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkarkuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës.

Ata kanë votuar madje edhe për shkarkimin e bordit të secilit anëtar veç e veç.

Anëtarët të cilët janë shkarkuar nga Bordi i RTK-së janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur në tërësi rekomandimin për shkarkimin e këtij Bordi.

Por, një gjë të tillë e kanë kundërshtuar partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, madje duke e quajtur këtë vendim si puro politik dhe tentim për kapje të shtetit .

Kuvendi gjithashtu nuk aprovoi raportin vjetor të RTK-së për vitin 2020, gjë që për këtë 62 deputetë votuan kundër, kurse pro dhe abstenim nuk pati.

Lidhur me shkarkimin e këtij Bordi, si dhe me kritikat nga opozita, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“I drejtë shkarkimi i Bordit të RTK-së”

Kështu, analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se e gjithë dija për shoqërinë buron nga media, pra media është një pasqyrë e shtetit, kështu që edhe shkarkimi i bordit të RTK-së është i drejtë, sepse sipas Mehazit, kurrë nuk e kanë kritikuar të keqen, por vetëm janë korruptuar.

Ai ndryshe bordin e RTK-së e quan kancer të mediave.

Image
Sulejman Mehazi

“Të gjitha veprimet politike, ekonomike, sociale e gjyqësore varen nga mediat, apo me fjalë tjera, gjithë dija jonë për shoqërinë dhe botën buron në parim nga mediat, media është pasqyra kryesore e një shteti, nëse në Kosovë ka lulëzuar krimi e zhvatja e shtetit atëherë cilët janë fajtor përveç mediave në krye me televizionin publik të Kosovës dhe me shumë të drejtë Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar bordin e RTK-së e cila që njëzet vjet radhazi kurrë nuk ka kritikuar të keqen e ish-udhëheqësve të Kosovës. Ndaj ministrave, drejtorëve gjykatësve të korruptuar jo që nuk kanë reaguar e kritikuar, por u korruptuan edhe vetë aq sa është bërë një kaos të madh politik e mediatik shtetëror, sa që nuk dallohet e keqja nga e mira, të gjitha këto shëmtira janë bërë për shkak i mediave të blerë nga pushteti. Një ndër mediat që ka qenë përkulëse para ish-qeverive të Kosovës pikërisht ka qenë bordi i RTK-së që ka qenë kanceri i mediave në Kosovë”, ka deklaruar Mehazi.

Sipas tij, për shkak të përkrahjes që bordi ka pasur me të mëparshmit, tani frikësohen nga Qeveria Kurti se mos do ua zbulojë të zezat.

Ai ka cekur se legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori si dhe mediat duhet të jenë kontrolluese e digastereve shtetërore. Sipas Mehazit tani edhe me ardhjen e Kurtit në Qeveri, nuk kanë se çfarë të kërkojnë bordi i PDK-së apo i LDK-së në RTK.

“Normale se bordit të shkarkuar të RTK-së përkrahja i vjen nga miqtë e mëparshëm të korruptuar nga qeveritë e mëparshme që kanë vepruar tog me RTK-në dhe tani frikësohet se bordi i ri i televizionit publik do ua zbulojnë të zezat e qeverisjes së mëparshme të opozitës. Qëllimi i mediave është të kontrollojnë pushtetin e jo pushteti të kontrollojë dhe urdhërojë mediat sikurse që ndodhi me televizionin publik RTK. Katër pozicione shtetërore janë kyçe të cilat e ndihmojnë dhe e kontrollojnë njëra tjetrën: legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori dhe mediat që me të drejtë duhet të jenë kontrolluese e të gjitha digastereve shtetërore, pikërisht për shkak të zbulimeve korruptive të qeverive të kaluara nga bordi i ri i RTK-së frikësohet nga pozita. Në shtetet demokratike për shkak të mediave reale nuk mund të lëvizin kurrsesi shtrembërisht as legjislativi, as ekzekutivi e as gjyqësori nga fuqia e katërt e pushtetit sikurse që janë mediat. Është normale që me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë nuk ka çfarë kërkon bordi i PDK-së e LDK-së në televizionin publik të RTK-së”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

“RTK ka nevojë për reduktimin e punëtorëve”

Ndërsa, sipas juristit Blerim Burjani, RTK ka një numër të madh të të punësuarve partiak që mbahen nga paratë e qytetarëve, madje ka edhe familjarë të kryetarëve të komunave, pra është një rreth i madh i njerëzve.

Image
Blerim Burjani

“Bordi i RTK si dhe shumë borde të tjera dhe komisione të pavarura ishin skajshëm të politizuara dhe të përbërë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. RTK është çerdhe e të punësuarve partiakë, prej kreut e deri te këmbët, ka shumë parregullsi dhe paligjshmëri që kanë ndodhur, qindra persona familjarë e të afërm të punësuar në RTK, pastaj ndikim partiak dhe partiak të punësuar. Kryetarët e komunave kanë punësuar familjar në këtë televizion publik që mbahet nga paratë e qytetarëve, një televizion me përplot të afërm dhe familjarë të ministrave të dikurshëm. Prapa punësimeve në RTK është një rreth i madh i njerëzve të partive të dikurshme”, është shprehur Burjani.

Më tej ka potencuar se aq i madh është numri i punëtorëve në RTK, sa që as drejtori nuk e di shifrën madje as se si kanë ndodhur këto punësime.

Sipas Burjanit, shkarkimi kishte ndodhur për arsye se në bord kishte edhe të pavarur gjë që ishte një nga 8 anëtarët e bordit.

“Pra, RTK ka nevojë për reduktim të madh të punëtorëve, ka mbi 1000 e më tepër punëtorë, gjë që as drejtori aktual nuk e di saktë shifrën e të punësuarve dhe nuk dinë të tregojnë se si ndodhë ky mbipunësim. Në RTK Bordi ishte i përbërë nga PDK-ja dhe LDK-ja, andaj LVV gjeti arsyen për t’i shkarkuar. Por, ky bord kishte edhe të pavarur që ishte vetëm një nga 8 anëtarë të bordit, pra shkarkimi për këtë arsye kishte ndodhur. LVV nuk është për tu çuditur se ka marrë votat, për këtë punë ka deklaruar se do të depolitizojë bordet, komisionet dhe universitetet”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat