Përçarjet brenda Listës ‘Guxo’, vjen thirrja: Ulni ‘shtizat’, bashkëpunoni me VV-në

Politika

Përçarjet brenda Listës ‘Guxo’, vjen thirrja: Ulni ‘shtizat’, bashkëpunoni me VV-në

Nga: A.Morina Më: 12 korrik 2021 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

Lista ‘Guxo’ së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje korrën një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit, ku dolën si partia fituese me mbi 50 për qind të votave.

Mirëpo, së fundi janë shfaqur disa pakënaqësi brenda këtij koalicioni, ku disa zyrtarë të Listës ‘Guxo’ po dëshirojnë ta ndërprejnë bashkëpunimin me VV-në në zgjedhjet lokale.

Ndonëse, udhëheqësit e këtij subjekti kanë deklaruar se edhe në zgjedhjet lokale do të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar përçarjet e fundit në mes disa anëtarëve të Listës ‘Guxo’ dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai u shpreh se Lista ‘Guxo’ ende është një parti e re, e cila nuk mund të qëndrojë në ‘këmbët’ e veta.

Image
Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj

“Listës “GUXO”, është themeluar vitin e kaluar, erdhi si pasojë e goditjes shkatërruese të lidershipit të LDK-së i cili e rrëzoi këtë parti në vetëm 13%.

Pra, ”Lista GUXO” ende është foshnje si ka mbushë një vit. Ende nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta, sepse më parë duhet të mësoj të ecë, të rritet”, deklaroi ai.

Maxharraj u shpreh i befasuar me faktin se si disa zyrtarë të Listës ‘Guxo’ janë rebeluar dhe nuk po pranojnë të shkojnë në zgjedhje lokale së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndonëse, ai përmendi edhe dallimin e zgjedhjeve lokale me zgjedhjet parlamentare, ku tani Lista ‘Guxo’ edhe është zyrtarizuar si subjekt politik në KQZ.

“Por, këto ditë në shumë komuna sikur po ndodhë diçka e çuditshme, e pa pritshme, disa zyrtarë të “Listës GUXO”, sikur kanë nis të rebelohen, më kërkesën se nuk pranojnë të kandidojnë bashkë në zgjedhjet lokale me Lëvizjën Vetëvendosje. Disa thonë se nuk duhet të shkrihen në LVV. Kjo nuk qëndron, sepse këto ditë edhe u bë zyrtarizimi i “Listës GUXO” si subjekt i posaçëm politik në KQZ.

E tmerrshme, tronditëse, por edhe shumë e guximshme që disa individë e kanë guximin që “Lista GUXO” kur ende nëpër komuna nuk kanë struktura mirë të organizuara, kur ky subjek ende nuk është forcuar mirë të shkojë e vetme ne zgjedhjet lokale të vjeshtës së sivjetme. Kjo i bie sikur me qëllim t’i biesh murit me kokë. Tjetër gjë është kur dy ose tri e më shumë parti bëjnë koalicion parazgjedhor ose pas zgjedhor”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori përmendi edhe deklaratën dhe thirrjen e drejtueses së Listës ‘Guxo’, Donika Gërvallës për zyrtarët e kësaj partie.

Ai e vlerësoi si vendim të drejtë shkuarjen në zgjedhjet lokale, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Prandaj, edhe lidershipi i "Listës GUXO” ka marrë një qëndrim të drejtë se në zgjedhjet lokale duhet të shkohet, jo bashkë si në zgjedhjet parlamentare, por tani, në koalicion me LVV. Këtë e bëri të ditur edhe Donika Gërvalla, e cila aktualisht e drejton iniciativën, ka kërkuar që të respektohet vendimi për shkuarjen në zgjedhje lokale si subjekt tani i regjistruar në KQZ, por në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo më plotë të drejtë tha se: “Në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe së bashku arritëm që me forcën e votës ta bëjmë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës. Prandaj jemi të bindur që garimi në koalicion edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë”, potencoi ai.

Tutje, Maxharraj kërkoi nga zyrtarët e Listës ‘Guxo’ që t’i ulin ‘shtizat’ dhe të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen.

“Kjo është zgjidhja më mira tani për tani që “Lista GUXO” kësaj radhe të ecë së bashku në koalicion me LVV.

Prandaj është mirë që disa individë, zyrtarë të “Listës GUXO” t’i ulin shtizat sepse në këtë situatë nuk ka vend për ndonjë rebelim apo përçarje siç po kualifikohet në media”, deklaroi ai.

Krejt në fund, profesori paralajmëroi Listën ‘Guxo’ se me këto veprime po ua plotësojnë dëshirat kundërshtarëve të saj politik, andaj kërkoi që t’ia ruajnë imazhin subjektit të tyre politik.

“Ju jeni ata që duhet të ia ruani fytyrën e ndritshme “Listës GUXO” dhe mos lejoni veten të ia bëni qejfet e dushmanëve tuaj, të cilët nuk janë të pakët dhe të cilët e dëshirojnë shkatërrimin e “Listës GUXO”.

Pra vetëm me guxim shkohet përpara me ”Listën GUXO” sepse ajo mundët dhe e ka guximin e patrembur”, përmbylli Binak Maxharraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat