“Serbia në rolin e xhelatit po akuzon Kurtin për Dragica Gashiqin”

Politika

“Serbia në rolin e xhelatit po akuzon Kurtin për Dragica Gashiqin”

Nga: A.Z Më: 14 korrik 2021 Në ora: 22:59
Dragica Gashiq dhe Petkoviq

Ka disa javë tashmë se në Gjakovë është kthyer Dragica Gashiq, një serbe nga Serbia, për të jetuar në Kosovë.

Gjatë kësaj kohë po përballet me pakënaqësi. Madje është thënë se edhe furrat në Gjakovë nuk po i shesin bukë.

Të njëjtën e kishin raportuar edhe mediat serbe të cilat shkruajnë për secilën ditë për të.

Mirëpo, kjo po cilësohet të jetë një lojë kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Kështu po vlerëson ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari. Ai thotë se kjo është një lojë e Beogradit në bashkëveprim të plot me opozitën, PDK-në dhe AAK-në.

E kjo lojë sipas tij, është kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Lidhur me këtë, analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se çdo refugjatë ka të drejtë të jetoj në vendin e vet, madje për kthimin e Gashiq, analisti thotë se qëllimi pra mund të jetë vetëm për të thënë se po u mohohet e drejta serbëve për të jetuar në Kosovë.

“Çdo refugjat apo refugjate pavarësisht përkatësisë kombëtare apo tjetër i cili nuk i ka duatë me gjak në luftën e fundit, ka të drejtë të kthehet për të jetuar në vendin e vetë. Çështja e znj. në fjalë Gashiq, edhe mund të është kthyer për të jetuar në Gjakovë, në një vendbanim apo komunë të Kosovës ku gjatë luftës ushtria dhe policia serbe ka bërë krimet më makabre dhe mizoritë më të trishtueshme, si provokim siç e ka shpreh propaganda serbe për të thënë se shqiptarët po u mohojnë serbëve të kthehen në Kosovë aty ku kanë jetuar para lufte”, tha ai.

Më tej deklaroi përderisa në Serbi shqiptarët merren me zeje të ndryshme, edhe serbët në Kosovë duhet t’i kenë të drejtat njerëzore.

Madje Bytyçi thekson se edhe mund të jetë e qëllimshme banimi i Gashiq në Kosovë, duke pasur parasysh krimet e serbëve në Kosovë, madje edhe sjelljet e shqiptarëve ndaj saj, gjë që për këtë të akuzohet Kurti në negociatat me Vuçiqin.

“Si do qoftë në situata të tilla, mendoj unë se sjelljet ndaj kësaj serbe duhet të jenë njerëzore, sepse edhe në Serbi ka shqiptarë që jetojnë dhe merren me zeje të ndryshme, prandaj edhe Serbia duhet t'i respektoj të drejtat njerëzore të shqiptarëve në Serbi. Mund të dyshohet edhe se, zonj.Gashiq të jetë kthyer me qëllim nga Serbia në Kosovë nga politikanët serb, duke e ditur se akoma plagët e krimeve makabre të luftës të Serbisë nē Kosovë kundër popullatës shqiptare janë të freskëta, dhe sjellja e popullatës ndaj kësaj zonj. mund edhe të jenë pa të dëshirueshme, pastaj për këtë të akuzohet Kryeministri Kurti gjatë negociatave me Presidentin serb Aleksander Vuçiq në Bruksel. Serbia sa herë ka qenë në rolin xhelatit ka ditur ta luajë rolin e viktimës, të njëjtin avaz e vazhdon edhe në negociatat me palën Kosovare në negociatat e Brukselit”, potencoi Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat