Frikacake dhe me plane agresive, kjo është arsyeja e fushatës së egër të Serbisë ndaj ushtrisë së Kosovës

Politika

Frikacake dhe me plane agresive, kjo është arsyeja e fushatës së egër të Serbisë ndaj ushtrisë së Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 korrik 2021 Në ora: 20:40
Ushtria e Kosovës

Kosova kohën e fundit ka pranuar donacione nga shtetet mike mjete ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

E së fundi ishte Turqia ajo me të cilën Kosova ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje të armatimit.

Por kjo gjë po i pengon shtetit fqinj, Serbisë, e cila ka reaguar për ndihmën që po i bëhet Kosovës.

Mediat, atje thonë se po i bëhet ndihmë me armatim siç e quajnë ata “shtetit të rrejshëm të Kosovës”.

Po ashtu, ata po akuzojnë edhe Gjermaninë për se po dërgon sasi të mëdha të armatimit në Kosovë.

Ata akuzojnë shtetin gjerman se nga njëra anë tërheq vërejtjen prej krimit të organizuar në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër dërgon sasi të mëdha armatimi atje.

Njohësit e këtyre çështjeve deklarojnë se fuqizimi i FSK-së e pengon Serbinë sepse ajo e sheh si pengesë në planet e saja agresive, por që FSK-ja duhet të rrisë partneritetit me partnerët strategjik.

Shala: FSK-ja të rrisë partneritetit me partnerët strategjik të saj

Image
Drizan Shala

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se fushata e Serbisë kundër Kosovës po tregon që FSK-ja duhet të rrisë partneritetit me partnerët strategjik të saj.

“Serbia në vazhdën e fushatës së saj kundër Kosovës e tani kundër FSK-së, kjo po na tregon që Kosova respektivisht FSK-ja të vazhdojë rrugën e saj në rritjen e partneritetit me partneret strategjik te FSK-së. Me votimin e tri ligjeve për FSK-në ku përmes saj është hapur mundësia misionit të ri bazuar edhe në planin 10 vjeçar të transformimit në FAK ka krijuar panik në Beograd dhe këta të fundit po tentojnë që çdo blerje nga ana e FSK ta paraqesin si kërcënim dhe rrezik për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Kosova duhet të hartojnë një strategji me të cilën duhet të inkuadrohen në Forcë edhe nacionalitetet sepse vetëm kështu kemi fuqinë në duar kundër fushatës serbe.

“Pra, në duhet të hartojmë një strategji ku do jepet mundësia shumë të rinjve të nacionaliteteve në Kosovë, me theks të veçantë serb të inkuadrohen në forcën e vendit dhe kështu të kemi në duart tona fuqinë diplomatike kundër fushatës serbe që është duke u zhvilluar këto muaj”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

Halimi: Serbia ende vuan nga sëmundja e agresivitetit ndaj vendeve fqinje

Image
Armend Halimi

Ndërsa, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” ka thënë se Serbia çdo fuqizim të shteteve fqinje e sheh si pengesa të politikave të saja ekspansioniste.

Sipas tij, fuqizimin e Kosovës, Serbia e sheh si pengesë në planet e saja agresive apo të kthimit të kohës së saj dominuese në Ballkan.

“Serbia njihet për politikat e saja hegjomoniste në Ballkan përgjatë historisë, si dhe tani me qëndrimet e saja destruktive sidomos në raport me Kosovën. Serbia ende vuan nga sëmundja e agresivitetit ndaj vendeve fqinje, e që çdo fuqizim i vendeve tjera i sheh si pengesa të politikave të saja ekspansioniste, çuditërisht duke harruar se me Ballkani Perëndimor nuk është i viteve 90-ta, por që është integruar në mekanizma të fort ndërkombëtar, sikurse është NATO, nën ombrellën e së cilës gëzojnë një siguri të garantuar nga çfarëdo agresioni të jashtëm, e që tradicionalisht ka qenë nga Serbia. Andaj, çdo përparim në aspektin e sigurisë së vendeve fqinje të Serbisë, e sidomos Kosovës, Serbia i sheh si pengesë në planet e saja agresive apo të kthimit të kohës së saj dominante në Ballkan”, ka thënë Halimi.

Ai është shprehur se përpjekja për pengim e kritika nga Serbia, është pasqyra më e mirë e Serbisë frikacake dhe me plane agresive dhe e papërmirësuar.

“Mos pranimi i këtij realiteti Serbinë do ta mbajë të stagnuar, për rrjedhojë të 'leçitur' nga vendet fqinje të cilat rrugëtojnë në frymën e vendeve demokratike perëndimore. Ndryshe, përpjekja për pengim e kritikat nga Serbia për vendet që shënojnë progres, qoftë edhe në aspektin ushtarak, është pasqyra më e mirë e Serbisë frikacake dhe me plane agresive dhe e papërmirësuar, veti këto të cilat do ta mbajnë peng zhvillimin e saj, sepse çdo pengesë e kritik ndaj vendeve fqinje të cilat mbështeten nga vendet demokratike, do të thotë edhe konfrontim me perëndimin”, ka përfunduar Amrend Halimi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat