Tha se të larguarit po rikthehen në LDK, Lumir Abdixhikut i vjen paralajmërimi

Politika

Tha se të larguarit po rikthehen në LDK, Lumir Abdixhikut i vjen paralajmërimi

Nga: P.R Më: 15 korrik 2021 Në ora: 21:02
Lumir Abdixhiku

Tani kur zgjedhjet lokale të 17 tetorit po afrohen, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se të larguarit nga kjo parti, do të rikthehen, siç thotë ai “në shtëpinë e tyre të dikurshme dhe bashkarisht do e rikthejnë partinë në vendin e saj origjinal”.

“Sot të larguarit e djeshëm po rikthehen masavokisht në shtëpinë e tyre të dikurshme e të përhershëm. Në vendin e vetëm origjinal për ta e për secilin tjetër që e donë këtë vend e që donë të punojë për këtë vend. Sot po i dëgjojmë ata e të tjerët, e bashkërisht po e rikthejmë LDK-në në vendin e saj origjinal. LDK po kthehet e sigurt, prandaj në zgjedhjet e tetorit, Lipjanin si kampion që është, duhet ta përfundoni garën me të parën sepse kemi nevojë për ju gjithandej nëpër Kosovë. I dashur Imri je shembull për ne”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë një vizite në Lipjan.

Se të larguarit nga LDK duhet të rikthehen, e thotë edhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër dhe veprimtari i saj, Haki Latifi. Kjo sipas Latifit duhet të ndodhë pas reformës që ndodhi në LDK.

Image
Haki Latifi

“Mendoj se nën udhëheqjen e lidershipit të LDK-së Z. Lumir Abdixhikut dhe Kryesisë së LDK-së, qytetarët në përgjithësi dhe elektorati tradicional i LDK-së në veçanti, do ta kenë jo vetëm më të lehtë, por edhe më të dëshiruar, dhënien e besimit për LDK-në në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Reforma në çdo parti nuk është proces aspak i lehtë, përkundrazi edhe në LDK është proces kompleks, skajshmërish i ndjeshëm, por edhe thellësisht i nevojshëm. Në këtë proces para elektoral brenda LDK -së, do të ndihmoj në konsolidim të radhëve të saj si dhe do të ndihmonte që kandidatët e LDK-së të jenë të suksesshëm për kryetar komune”, thotë Latifi për “Bota sot”.

“Tashmë dihet se një ndër arsyetimet e votueseve që janë larguar ka qenë për shkak të lidershipit të LDK-së. Tani është ndërruar lidershipi dhe do të ishte politikisht korrekte që të gjithë ata përkrahës ose votues të rikthehen në LDK, në shtëpinë e tyre dhe të japin kontributin e tyre në forcimin e saj”, shton më tej Haki Latifi.

Sipas tij, në zgjedhjet e tetorit LDK duhet të ruaj komunat në të cilat ka qeverisur.

“Jam optimist se LDK do të gjejë fuqinë brenda radhëve të veta për të dalë suksesshëm në sfidën zgjedhore të 17 tetorit 2021. Në radhë të parë do të ishte sukses që LDK t‘i mbaj komunat të cilat i ka udhëhequr në këtë mandat, por ajo që mund të them është se fitorja në kryeqytetin e Kosovës, Prishtina ka rëndësi të veçantë për LDK-në”, shprehet Latifi.

Për fund, Latifi deklaron se LDK-së dhe strukturave të saj të brendshme i duhet besim mes vete, korrektësi e unitet, sepse ndryshe nuk do ketë shans të fitoj.

“Kryesia e LDK-së dhe kryetari z. Lumir Abdixhiku e kanë autoritetin e plotë në të gjitha veprimtaritë qe zhvillohen në Degët e LDK -së pavarësisht rangimit të saj politik e institucional, ngase humbjen e LDK-së nuk e kanë shkaktuar asnjëherë subjektet tjera, por vetëm LDK-ja përmes dezertorëve të saj. Prandaj, LDK-së dhe strukturave të saj të brendshme i duhet besim mes vete, korrektësi e unitet, sepse ndryshe nuk do ketë shans të fitoj. LDK dhe Kosova ndodhen në një prej momenteve më të vështira, por edhe të rëndësishëm dhe çdo punë e bërë mirë i shërben të ardhmes tonë të përbashkët”, përfundon Haki Latifi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat