Nuk përjashtohet mundësia për koalicione në komunën e Vushtrrisë, AAK shprehet e gatshme për bashkëpunim

Politika

Nuk përjashtohet mundësia për koalicione në komunën e Vushtrrisë, AAK shprehet e gatshme për bashkëpunim

Nga: A.M Më: 19 korrik 2021 Në ora: 23:03
Qyteti i Vushtrrisë

Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, të cilat dhuruan rezultate befasuese dhe debate të shumta, tani, radhën e kanë zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Këtyre zgjedhjeve po iu paraprijnë kandidatura dhe replika të shumta mes subjekteve politike, shkruan "Bota sot".

Si në çdo palë zgjedhje, padyshim që çështjet që tërheqin interes dhe nxitin kurreshtje, janë koalicionet parazgjedhore ose paszgjedhore.

Në komunën e Vushtrrisë, PDK dhe VV ende nuk i kanë zyrtarizuar kadnidaturat e tyre, derisa LDK ka rikandiduar Xhafer Tahirin dhe AAK ka kandiduar Mensut Ademin për kryetar të kësaj komune.

E sa ka mundësi që të kemi koalicione para ose pazgjedhore të partive në këtë komunë,  për gazetën “Bota sot” ka folur kandidati i AAK-së, Mensut Ademi.

Fillimisht, ai komentoi në përgjithësi kundërkandidatët e tij, duke thënë disa fjalë për ata.

“Të gjitha partitë të cilat me kandidatët e tyre garojnë për asamble dhe kryetar komune në Vushtrri, kanë qëllimin e mirë, për të mirën e këtyre banorëve, dhe për të mirën e Vushtrrisë. Por dallimi është se sa këto parti kanë investuar drejt dhe saktë në resurse humane, dhe sa këto parti kanë kapacitet dhe mundësi që të gjitha idetë të cilat i ofrojnë”, deklaroi Ademi.

Tutje, kandidati i AAK-së tregoi edhe arsyen kryesore pse ai ka vendosur të kandidojë për të parin e komunës së Vushtrrisë.

“Sipas asaj që është analizuar në tetë vitet e fundit, kanë çaluar, apo them nuk ju kanë ofruar mundësi personave adekuat në fushën e caktuar, që përmes tyre ne si banorë dhe përgjegjësit e komunës të krenohen me punën e tyre. Kjo neve na shtyn të garojmë për kryetarë të Vushtrrisë”, theksoi ai.

Në fund, ai potencoi se është i hapur për bashkëpunim me të gjithë kundërshtarët e tij, duke mos mohur një koalicion të mundshëm para ose pas zgjedhor.

“Ne do t’u ofrojmë bashkëpunim të gjithë atyre të cilët dinë, duan dhe kanë mundësi të sjellin projekte në të mirën e banorëve, dhe vetë komunës pa dallim moshe, gjinie, nacionaliteti apo mbështetës politikë”, përmbylli Mensut Ademi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat