Kandidatët e njëjtë për kryetarë të komunave, ҫfarë i pret partitë me 17 tetor?

Politika

Kandidatët e njëjtë për kryetarë të komunave, ҫfarë i pret partitë me 17 tetor?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 korrik 2021 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Partitë politike kanë prezantuar tashmë disa nga kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale. Disa kanë vazhduar avazin e njëjtë me të njëjtit kandidatë, e disa të tjerë po sjellin ndryshime. Megjithatë, rezultati i 17 tetorit do të tregojë se ku kanë gabuar me zgjedhjet e tyre partitë politike.

Gara më e fortë është ajo në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë. Ndërsa, një garë e fortë mund të zhvillohet edhe nëpër komuna ku partitë politike tashmë kanë bastione e tyre.

Njohësit e ҫështjeve politike kanë komentuar kandidatët e deritashëm të prezantuar nga partitë politike.

Kështu, analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” thotë se deri më tani po bie në sy që partitë politike po garojnë me të njëjtit kandidatë deri në 5 herë.

Mehmeti: Kandidatët e njëjtë po rikandidohen nga 5 herë

“Ende nuk po dihet saktësisht se kush do të jenë kandidatët e partive për kryetarë komunash, por ajo që bie në sy është se ka kandidatë që rikandidohen për të 3, 4 apo 5 herë për të qenë në krye të një komune”, thotë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo është e tepërt, mbi të gjitha nuk është fare demokratike dhe kundër normave ndërkombëtare.

“Duhet që me ligj të ndalohet që një individ të mos ketë të drejtë të jetë kryetar komune më shumë se dy mandate, në mënyrë që t'i jepet hapësirë konkurrencës”, tha ai.

Analisti Mehmeti thotë po ashtu se shqetësues është fakti i mungesës së grave për kryetar komune, derisa shton se partitë kanë vazhduar me avazin e vjetër, me figura të konsumuara.

“Deri tani sa kam parë është për tu shqetësuar për emrat që po nominohet, mbi të gjitha mungesa e grave për kryetar komune, është shqetësim i madh. Megjithatë ka kohë, të presim dhe shohim se ҫfarë do të na sjellin ditët në vijim për të pasur një pasqyrë më të qartë në këtë drejtim. Gjithsesi, deri tani nuk ka diҫka për tu pasur zili, përveҫ vazhdimi i avazit të vjetër me figura të konsumuara tanimë”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Partitë politike si AAK PDK dhe NISMA duhet të bashkohen në një subjekt të vetëm

Ndërkaq, juristi Blerim Burjani, nuk pret ndryshime të mëdha nga partitë politike, pasi ato të degraduarat që 20 vite, nuk mund të kenë suksese në zgjedhjet e ardhme.

Image
Blerim Burjani

“Nuk e besoj se do të ketë ndryshime te asnjë subjekt politik, partitë e degraduara që 20 vjet do ta kenë gjithnjë e më vështirë në zgjedhjet e ardhshme. Partitë politike si AAK, PDK dhe NISMA duhet të bashkohen në një subjekt të vetëm politik përballë zhvillimeve të ardhme, jo vetëm për këto zgjedhje por edhe për të ardhmen”, vlerëson ai.

Burjani ka thënë se LDK-ja ndonëse ka ndryshuar liderin, konceptet e politikës mbeten të njëjta dhe nuk ka kuadro të reja.

“LDK mund të reformohet ende, fatkeqësisht në këtë subjekt s’ka reformë por vetëm një lider të ri që është zgjedhur, të gjitha konceptet politike mbetën të njëjta të pandryshuar, s’ka as kuadro të reja e as asgjë”, vlerëson Burjani.

Ndërkaq, për PDK-në ai thotë se problemi i kësaj partie është degradimi që ka bërë ndër vite. E për AAK-në, Burjani thotë se mund ta pres fati i Nismës në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“PDK është e hapur për kuadro të reja, por problemi është degradimi që kanë bërë për vite me institucione dhe përfitime, korrupsion, përderisa AAK s’ka nevojë fare, ky subjekt politik ekziston përderisa Ramushi është kryetar, ky subjekt mund ta ketë fatin e njëjtë të NISMA-së në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, vlerëson Burjani për ‘Bota sot’.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat