BE e heshtur ndaj kërcënimeve të Vuçiqit, vjen paralajmërimi, kështu duhet të veprojë Kosova

Politika

BE e heshtur ndaj kërcënimeve të Vuçiqit, vjen paralajmërimi, kështu duhet të veprojë Kosova

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 23 korrik 2021 Në ora: 19:15
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po vazhdon me kërcënimet ndaj Republikës së Kosovës.

Ai ka deklaruar se nëse Kosova do të marrë njohje nga ndonjë shtet, Serbia do të nisë menjëherë fushatën për tërheqjen e njohjeve.

Kjo deklaratë është vazhdimësi e deklaratave kërcënuese të shtetit të Vuçiqit, i cili edhe ditë më parë pas takimit në Bruksel me kryeministrin Kurti, reagoi ashpër ndaj tij dhe Kosovës.

Këto deklarata të Vuçiqit po bëhen në sy të Bashkimit Evropian, por kjo e fundit nuk ka reaguar për asnjërën nga këto.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike kanë deklaruar se qytetarët e Kosovës, tashmë kanë humbur shpresat nga BE-ja dhe këshillojnë që Institucionet e Kosovës të vazhdojnë fushatën në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Halili: Ujku qimen e ndërron po zanatin nuk e ndërron!

Image
Nijazi Halili

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se me çdo mjet, qeveria serbe do të punojë në dëm të Kosovës.

“Historikisht politika serbe ishte e do të mbetet kundër progresit të vendit tonë dhe me çdo mjet qeveria serbe do të punojë në dëm të Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat euro-atlantike dhe organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Gjithashtu, profesori i ka dhënë një këshillë kryeministrit të Kosovës, se si duhet të veprojë në këtë rast.

“Mirëpo, Kryeministri Kurti duhet të tregohet mjaft i kujdesur e gjakftohtë në veprimet e tij, sepse çdo veprim i nxituar e dëmton rëndë procesin e zgjidhjes se krizës së vendit dhe rikthen procesin në zero”, ka theksuar Halili.

Më tej, ai ka treguar se cili është qëllimi i presidentit të Serbisë për Kosovën.

“Aleksandër Vuçiq është në dijeni se Kosova ka mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, prandaj ai me çdo kusht do të përpiqet që të bllokojë procesin e zgjidhjes së krizës dhe qëllimi i tij, është ta mbajë Kosovën peng dhe ta nxjerr prej loje zotin Kurti, mirëpo në as një rast, pala kosovare në krye me zotin Kurti, nuk guxon të tregohet e paaftë e shkaktare e ndërprerjes së procesit të dialogut”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, kryeministri Kurti po tregohet mjaft fleksibil dhe po e nxjerr jashtë lojës Vuçiqin.

“Ne jemi me fat që kemi mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe një qeveri stabile me kryeministrin Kurti, i cili po tregohet mjaft fleksibil dhe i shquar, i cili po e nxjerr prej loje çetnikun serb Aleksandër Vuçiq, që është pasues i platformës serbe të Ilia Garashaninit dhe Ivo Andriçit”, ka deklaruar Halili.

Krasniqi: BE-ja ka heshtur gjithmonë ndajë deklaratave të shtetit serb

Image
Islam Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka cekur se pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar në Uashington, Serbia ka vazhduar me lobimin e saj kundër njohjeve të reja ndaj Kosovës.

“Serbia pavarësisht marrëveshjes së Uashingtonit ajo në një mënyrë ka lobuar kundër njohjeve të reja apo edhe ka kërkuar ç'njohjet nga shtetet që na kanë njohur dhe ne që s'kemi pasur mundësi të lidhim marrëdhënie diplomatike më to duke mos dërguar ambasador apo përfaqësues nga shteti ynë”, ka thekuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka potencuar se BE-ja ka heshtur në rastet kur udhëheqësit e Serbisë.

“BE-ja ka heshtur gjithmonë ndajë deklaratave të shtetit serb duke mos i parë të rëndësishme ato”, ka cekur Krasniqi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Institucionet tona duhet të reagojnë të bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht të Shtëpia e Bardhë pasi që ne kemi pranuar një zotim dhe jemi duke respektuar e që shteti serb po e shkel marrëveshjen që e ka nënshkruar vetë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Krasniqi shton se qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer nga BE-ja dhe se shpresa e vetme është Uashingtoni.

“Mos ta harrojmë një gjë së qytetarët tanë si shpresë të vetme e shohin Uashingtonin që të na përkrahë në rrugëtimin tonë sepse BE-ja na ka dëshpëruar dhe diskriminuar shumë herë. Tani presidenti serb është para një sfide të madhe pasi që në dialog ka të bëjë një kryeministër që me integritet të lartë moral dhe shtetërore dhe pa asnjë afër korruptive, duke e ditur së ai ishte pjesë e regjimit kriminal të Millosheviqit e që s'mund të luajë lojën të cilën e kishin përgatitur, e që tani kërcënon për të mashtruar elektoratin e tij”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot” .

Peçani: Kosova të vazhdojë fushatën për njohje

Image
Ruzhdi Peçani

Kurse, opinionisti Ruzhdi Peçani, ka komentuar kërcënimin e presidentit serb Vuçiqit, për fushatën e njohjeve.

“Paralajmërimi i liderit turk Erdogan lidhur me Kosovën i ka ardhur si një “dardhë e thartë” presidentit Vuçiq, të cilën ky “duhet ta kapërdijë”, ashtu që mos të prishi marrëdhëniet me Turqinë dhe Erdoganin, që mos t'i vë në pyetje investimet e filluara dhe projektet infrastrukturore. Serbia do ta injorojë qëndrimin e Erdoganit. Mendoj se kjo nismë e Erdoganit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet me Serbinë. Vuçiq dëshiron të ketë marrëdhënie sa më të mira me Turqinë dhe se ka një respekt të madh ndaj Presidentit Erdogan, ngase ka interesa të mëdha. Serbia nuk do ndërmarri asnjë lëvizje së paku gjer në shtator, duke iu përmbajtur Marrëveshjes së Uashingtonit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë fushatën për njohje.

“Kosova si palë e Marrëveshjes kishte pranuar që të përmbahet për një moratorium për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por jo përpjekjeve bilaterale dhe diplomatike që të fitonte njohje të reja nga shtete tjera. Andaj edhe njohja nga Izraeli nuk ishte pengesë. Po çfarë duhet bërë Kosova? – Kosova të vazhdojë fushatën për njohje sikur që po bëhen takimet me Greqinë”, ka deklaruar Peçani për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat