Opozita e shqetësuar me paralajmërimin e Kurtit, çka i pret politikanët?

Politika

Opozita e shqetësuar me paralajmërimin e Kurtit, çka i pret politikanët?

Nga: A.Zh Më: 30 korrik 2021 Në ora: 00:04
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abidixhiku; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka vlerësuar punën e Qeverisë Kurti 2.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo Qeveri po e pastron vendin nga “ferrat” – pushtetarët e djeshëm.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse opozita në Kosovë është tejet e shqetësuar.

Image
Faton Kurti

“Performanca e Qeverisë Kurti në muajt e parë të qeverisjes nuk është për t’u nënvlerësuar, sepse për të mbjellë pemë të reja, së pari duhet të pastrohet terreni nga ferrat. Sipas mendimit tim, Qeveria Kurti ka filluar mirë të pastrojë terrenin nga "ferrat" dhe për këtë arsye opozita e tanishme (pushtetarët e djeshëm) është tejet e shqetësuar duke e humbur kontrollin dhe duke bërë një opozitarizëm total destruktiv”, është shprehur Kurti në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Ai ka kritikuar opozitën, duke thënë se shantazhin me akuza të pabaza kryeministrin Albin Kurti. Kjo sipas tij, vjen pas paralajmërimit të kryeministrit se do t’i ndëshkojnë politikanët, të cilët u pasuruan paligjshëm.

“Opozita nuk bëhet me shpifje dhe shantazhe të pabazuara ndaj kryeministrit dhe qeverisë e sidomos kur këto akuza vijnë nga ish-qeveritarët dhe politikanët, të cilët nuk lanë asgjë pa bërë për ta pasuruar veten dhe për ta mbajtur pushtetin peng për 20 vite. Këtë lloj politike "turbo folk" e kanë kuptuar edhe pulat e Kosovës. Premtimi i partive opozitare se po ndryshojnë nuk është asgjë tjetër përveçse "shitja e përmbajtjes së njëjtë me një paketim tjetër"! Kjo opozitë e dobët dhe shumë e frikësuar, sepse qeveria Kurti ka paralajmëruar se do t’i ndëshkojnë politikanët, të cilët u pasuruan paligjshëm”, ka thënë më tej Faton Kurti.

Kreu i Republikanëve të Kosovës ka paralajmëruar se partia e tij po rritet, duke thënë se ajo do ta pasurojë Kosovën me politika të zhvillimit ekonomik dhe gjeostrategjik.

“Sot Kosova ka një qeveri të shumicës absolute dhe një opozitë pothuajse inekzistente. Nuk duhet harruar se partia Republikane e Kosovës, është e vetmja alternativë e qendrës së djathtë konservatore në Kosovë, e cila çdo ditë po rritet dhe do ta pasurojë Kosovën me politika të zhvillimit ekonomik dhe gjeostrategjik”, ka thënë Kurti për “Bota sot”.

Sipas tij, në Kosovë së shpejti pritet të jenë vetëm dy parti politike. Ai ka dhënë edhe një paralajmërim për Qeverinë Kurti.

“Dua t'ju paralajmëroj se brenda disa viteve në Kosovë do të kemi vetëm 2 parti, atë të spektrit të Djathtë dhe atë të spektrit të Majtë. Kosova pa një opozitë reale ia lehtëson punën qeverisë Kurti, për këtë arsye kjo qeveri mund të shkëlqejë nëse tani do t’i përvjelë mëngët dhe do të fillojnë të merren me problemet serioze që ka sot Kosova si: papunësia, ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe ruajtja e ambientit. Nëse edhe kjo qeveri nuk arrin të përmirësojë pikat e lartpërmendura - do ta ketë fatin e njëjtë si partitë e tjera”, ka theksuar Faton Kurti./BS

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat