Gara e “nxehtë” për Skënderajn, një kandidat i tretë mund t’i mposhtë Jasharin dhe Lushtakun?

Politika

Gara e “nxehtë” për Skënderajn, një kandidat i tretë mund t’i mposhtë Jasharin dhe Lushtakun?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 gusht 2021 Në ora: 08:23
Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku, foto ilustrim nga "Bota sot"

Më 17 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Të gjitha partitë përveç Vetëvendosjes kanë bërë publik kandidatët për kryetarë të komunave.

Për të parin e komunës së Skënderajt, kandidat i pavarur është Bekim Jashari, i cili aktualisht mban postin e kryetarit, e po ashtu kandidaturën e ka shpallur edhe Sami Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës. Këta të dy janë të bindur në fitore.

Duket se mes këtyre dy kandidatëve do të ketë një garë “të nxehtë”.

Qeverisjen në Skënderaj e kanë në dorë qytetarët me votën e tyre.

Por, kush do të qeverisë në komunën e Skënderajt?

Analistët vlerësojnë që të ketë një kandidat të tretë!

Qarri: As Jashari, as Lushtaku, të ketë një kandidat të tretë

Analisti Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Sami Lushtaku duke qenë pjesëtar i gardës së vjetër dhe kastës së dështuar politike, vetëm duke qenë në pushtet mund t’i ruajë tokat e përvetësuara kundërligjshëm dhe pasurinë e krijuar pa asnjë pikë djerse.

Image
Gani Qarri

“Duke pasur parasysh faktin se politikanët dhe partitë e inkriminuara, kanë keqpërdorur në vijimësi pushtetin për tu pasuruar brenda nate dhe grumbulluar milionat vetëm për pak vite të qëndrimit në pushtet, edhe Sami Lushtaku si pjesëtar i gardës së vjetër dhe kastës së dështuar politike, vetëm duke qenë në pushtet mund t’i ruajë tokat e përvetësuara kundërligjshëm dhe pasurinë e krijuar pa asnjë pikë djerse”, thotë analisti.

Ai është befasuar nga Jashari duke thënë se ekspozimi me sheik arab para fotografive dhe monumenteve të shenjta të heroit kombëtar Adem Jashari, ka filluar ta zbehë edhe shenjtërinë patriotike.

Por analisti nuk ka dyshim te familja Jashari për heroizmin e saj kombëtar, ishte dhe do të mbetet, në piedestalin e historisë së kombit dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Qarri shton se më e rrugës do të ishte që për komunën e Skënderajt të kandidojë Murat Jasharin, djali e Rifatit, i cili është mjaft dinjitoz, i matur dhe i respektuar nga të gjithë, në Prekaz, Skënderaj dhe tërë Kosovën.

“Në anën tjetër Bekim Jashari, për vitet sa ishte në krye të Skënderajt, ka befasuar të gjithë shqiptarët, duke u ekspozuar më tepër beduin dhe sheik arab para fotografive dhe monumenteve të shenjta të heroit kombëtar Adem Jashari, se sa me rezultate të arritura në komunën e tij, aq sa ka filluar ta zbehë edhe shenjtërinë patriotike dhe lartësinë atdhetare jo vetëm të bacës Shaban, Hamzës dhe Ademit por edhe të familjes Jashari dhe të gjitha viktimave të rëna në luftën çlirimtare kundër Serbisë. Kjo familje për heroizmin e saj kombëtar, ishte dhe do të mbetet, në piedestalin e historisë së kombit dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, vetëm nëse njerëz si Bekimi, nuk involvohen më, në pozita as poste politike, për ti keqpërdoruar ato për improvizime fetare. Ndaj edhe nëse Familja Jashari ka vendosur që sërish ta ofrojë kandidatin për kryetar të Skënderajt nga Oxhaku i saj, shumë më e rrugës do të ishte që të startojë me Murat Jasharin, djalin e Rifatit, i cili është mjaft dinjitoz, i matur dhe i respektuar nga të gjithë, në Prekaz, Skënderaj dhe tërë Kosovën”, shprehet Qarri.

Në fund, analisti deklaron se më mirë do të ishte qe Bekim Jashari të largohej nga politika sepse nuk e ka dëshmuar veten as me dije, as me punë, duke shtuar se për qytetarët e Skënderajt më mirë do të ishte ta kishin në zgjedhje një kandidat të tretë.

“Bekim Jashari për mendimin tim nuk e ka dëshmuar, as me dije as me punë, se është i përgatitur dhe kandidat i pjekur për postin e të parit të komunës dhe as njeri i aftë e serioz duhet për udhëheqës të komunës, ndaj për Bekimin më mirë do të ishte të largohet përfundimisht nga politika e postet komunale dhe të shkojë të mbaroj ndonjë shkollë për imam, ne vend se ta shfrytëzoj çdo rast dhe mundësi për tu ekspozuar publikisht si person i dhënë më tepër pas fesë se sa politikës dhe obligimeve komunale me të cilat, më tepër për emrin e mirë të familjes se sa të meritave të tij personale, ishte katapultuar për një mandat në pozitën e kryetarit të komunës. Kështu që për qytetarët e Skënderajt, shumë më mirë do të ishte të kishin në zgjedhje, një kandidat të tretë të mirë përgatitur politikisht dhe me ngritje të lartë arsimore, për kryetar të komunë së tyre, siç ndodhë në gjithë Kosovën, se sa Samiun a Bekimin, i cili nuk do të merrej me tregtim tokash si Sami Lushtaku e as me improvizime fetare si Bekim Jashari. Kjo për vet faktin se komuna ka punë dhe obligime krejt tjera, ku kërkohet zhvillim ekonomik, arsimor e edukativ dhe pozita e të parit të saj nuk guxon të keqpërdoret edhe në të ardhmen për përvetësim pasurish të paligjshme si Samiu as për improvizime fetare si Bekimi, por të punohet për mirëqenien e qytetarëve, punësimin e të rinjve e çuarjen e shkollimit dhe zhvillimit ekonomik përpara, njëjtë si në komunat tjera anë e mbanë vendit, të cilat nuk i kanë dëshmuar se mund ti realizojnë Sami Lushtaku as Bekim Jashari”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Peçani: Lushtaku përshkruhet me afera korrputive, Jashari performancë të lartë në udhëheqjen e komunës

Kurse, analisti Ruzhdi Peçani, për “Bota sot”, thotë se mes këtyre kandidatëve në Skënderaj ka kundërshti të mëdha dhe kanë tipare diametralisht të kundërta.

Image
Ruzhdi Peçani

Sipas tij, Jashari ka treguar performancë të lartë në menaxhimin dhe udhëheqjen e komunës gjatë mandatit të tij katërvjeçar.

“Tanimë zgjedhjet lokale të 17 tetorit po ofrohen. Ajo që zgjon kërshërinë janë zgjedhjet në Komunën e Skënderajt, pra kandidatët për kryetar komune. Opinioni, edhe jashtë Skenderajt, ka zgjuar kureshtjen se kush mund të fitoj zgjedhjet? Ngase po të dy kandidatët janë fytyra të njohura publike. Njëri është Bekim Jashari, kandidat i pavarur, kryetar aktual i Skenderajt, që vije nga familja emblematike heroike të Adem e Hamëz Jasharaj, i cili kishte treguar performancë të lartë në menaxhimin dhe udhëheqjen e komunës gjatë mandatit të tij katërvjeçar. Dhe kandidati tjetër, ish kryetari i komunës Sami Lushtaku, dikur një komandant i Zonës Operative të Drenicës. Në opinionin e gjerë qëndrojnë njohuritë se mes këtyre dy kandidatëve ekzistojnë kundërthënie me gjithë kundërshti të mëdha. Ato janë të thella mbase kemi të bëjmë me dy kandidat që për nga tiparet janë diametralisht të kundërt”, shprehet analisti.

Peçani tutje thotë se Lushtaku nuk kishte arritur të korr një performancë të lakmueshme, madje atij i përshkruhen mjaft afera korruptive, skandale me ligjin që nga pas lufta e këtej.

Ai thotë se qytetarët do t’i mbajnë mend një kërcënimin që i ka bërë Bekim Jasharit duke i thënë “i qoftë falë familjes, se paçavër e kisha ba”, e këtë qytetarët nuk e gëlltisin dot.

“Pra z.Bekim Jashari begroundin e vetë politik e ndërtoi sa ushtroi postin e kryetarit të Komunës së Skenderajt, ishte kandidat i pavarur kur u zgjodh, zgjedhja e tij ishte një plebishit. Po tani në këto zgjedhje do sfidohet nga kryetari i mëparshëm z.Sami Lushtaku, i cili si kryetar komune që ishte jo se kishte arritur të korri e të tregonte një performancë të lakmueshme. Po, dhe të ketë patuar, mund të thuhet, se e ka mjaft të lënduar nga shumë afera korruptive dhe skandale që i përshkruhen, dhe problem me ligjin që ka pasur, që nga pas lufta e këtej. Qytetarët e Skenderajt me rrethinë nuk do e kenë harruar dhe sot kërëcnimin që kishte bërë Bekim Jasharit: “ i qoftë falë familjes, se paçavër e kisha ba"! Mendoj se kjo do ta penalizojë Sami Lushtakun në këto zgjedhje. Drenicasit nuk do ta gëlltisin këtë lehtë – nuk do ia falin as tani. Se a do e penalizojnë me votë, kjo mbetet të shihet”, ka thënë Peçani.

Ai ka shpresë se qytetarët e Skënderajt do të do ta votojnë Bekim Jasharin sepse ai i njeh mirë kapacitetet e kundërshtarit dhe dobësitë, dhe do jetë i përgatitur për fushatën duke mbajtur thellë bindjen se ky është më i fuqishëm si kandidat.

“Sami Lushtaku ka përballë një personalitet të ngritur që vije nga familja heroike e Jasharajve te cilët u flijuan dhe ranë heroikisht si familje për lirinë e Kosovës. Bekim Jashari vjen si kandidat i pavarur, por kjo nuk e bën të hendikepuar. Qytetarët edhe mendojnë paksa ndryshe ngase të qenit i pavarur një kryetar komune është i pa ndikuar dhe më i fuqishëm, dhe qytetarët këtë e kanë parë te Bekim Jashari për katër vitet. Bekim Jashari nuk do bëjë propagandë politike, po do bëjë marketing politik. Bekim Jashari i njeh mirë kapacitetet e kundërshtarit dhe dobësitë, dhe do jetë i përgatitur për fushatën duke mbajtur thellë bindjen se ky është më i fuqishëm si kandidat. Motoja e Bekim Jasharit dhe kur ishte zgjedhur kryetar ishte: …se mu në Komunë qëndron fuqia e qytetarëve të lirë. Institucionet e komunës janë për lirinë dhe prosperitetin sikur që shkolla fillore qëndron për shkencën, dhe kjo u ofrohet qytetarëve me respekt dhe dashamirësi dhe qytetarët me këto shërbehen. Këtë qytetarët e kanë shijuar dhe jetuar për katër vitet. Kështu qytetarët e Skenderajt, si punëtorë dhe të vyeshëm që janë, dhe me një pjekuri politike, do dinë të përcaktohen se cilin e duan për kryetar komune. Mendimi qëndron se nuk do udhëhiqen nga patetizmi të japin votën për Bekim Jasharin – po ngase i besojnë dhe e duan Bekim Jasharin për Kryetar Komune!”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat