Rreziku për Kosovën nga “Ballkani i Hapur”, analistët kanë një thirrje për Ramën

Politika

Rreziku për Kosovën nga “Ballkani i Hapur”, analistët kanë një thirrje për Ramën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 gusht 2021 Në ora: 10:48
Aleksandër Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me “Open Ballkan”.

Kurti pas disa ditëve që nuk komentoi këtë temë, ai së fundmi iu kundërpërgjigj Ramës dhe Vuçiqit, shkruan “Bota sot”.

Kurti ka thënë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën.

Sipas tij, tregu i përbashkët duhet të nënkuptojë demokratizim dhe sundim të ligjit në vendet tona, por që thekson se kjo është e pamundur përderisa Serbia nuk e pranon të kaluarën kriminale.

“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20”, deklaroi Kurti.

Duke komentuar edhe ndryshimin e emrit nga minishengeni në “Ballkan të Hapur”, Kurti tha se nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, pasi ky emër nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

Ky treg i përbashkët nxori debate të shumta duke e parë të paarsyeshme veprimet që Rama bëri karshi Kurtit, duke i dalë në krah Vuçiqit.

Kryeministri Rama u kritikua mjaft shumë për këtë veprim, pasi një treg i tillë mund të rrezikojë Kosovën dhe sipas njohësve të çështjeve politike, kjo është një tendencë e Vuçiqit për të sjellë debalancim në shtetet e Ballkanit dhe se i njëjti treg nuk do të duhej të përkrahej nga Rama.

Pula: Rama para se të ulet në tryeza rajonale do të duhej të ulet në tryezën kombëtare

Në lidhje me këtë temë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kurti mund të ketë informacione sa i përket kësaj çështje dhe nëse del të jetë ajo se çfarë thotë mund të jetë e dëmshme për Kosovën.

Image
Shqiprim Pula

Sipas tij, kjo nismë ka filluar nga të tre që edhe e themeluan atë dhe nuk lidhet me përfaqësuesit e tjerë të shteteve të rajonit.

Ai kritikon Ramën pasi sipas tij do të duhej të bisedonte fillimisht me Kurtin pastaj të bashkëpunonte.

“Si person i parë politik i Republikës, kryeministri Kurti mbase ka informacione të natyrës së tillë dhe nëse kjo del të jetë e saktë, atëherë do e gjykoja si dëmtim i rimëkëmbjes kombëtare shqiptare dhe i rishikimit të historisë brenda-shqiptarë. Ngase, pjesë të kësaj nisme, e kemi një shqiptar aty, në cilësi të kryeministrit, e i cili para se të ulet në tryeza rajonale, do duhej të ulet në tryezën kombëtare. Nuk e mendoj se kjo nismë lidhet me emër të ndonjërit nga përfaqësuesit politik të shteteve të rajonit, kjo fillimisht si ide e më pastaj si nismë konkrete është e porositur dhe se protagonistët e vërtetë nuk janë këta që i shohim në skenë”, u shpreh analisti.

Nga ana tjetër, ai shton se nuk do të ishte në të mirë të qytetarëve që të përsëriten gabimet e të kaluarës, pasi padrejtësitë që bëhen nga gabimet politike nuk maten fare.

“Natyrshëm kur lëndohet ekonomia e vendit atëherë zbehet dhe mirëqenia e qytetarëve, kështu që, ajo çfarë nuk do e dëshiroja është të mos përsëriten gabimet e të kaluarës. Sepse padrejtësitë që bëhen nga gabimet politike nuk maten fare”, tha Pula për “Bota sot”.

Ahmeti: Serbia me anë të “Open Ballkan” pretendon të dominoj në Ballkan

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se Serbia ka dëshirë të dominojë në Ballkan dhe kësaj logjike i është përshtatur Rama, por që ky i fundit duhet të jetë më vigjilent në raport me Vuçiqin.

Image
Hidajet Ahmeti

“Nuk ka dyshim që Serbia ka tendenca të dominimit, pasi e kaluara por edhe retorika politika e tyre na dëshmon një gjë të tillë. Mendoj se në këtë kontekst, zoti Rama duhet të jetë më vigjilente, pasi Serbia punon e vepron brenda logjikës dominimit dhe hapja e zotit Rama deri në këtë pikë i shkon për shtati vetëm Serbisë”, theksoi analisti.

Tutje, ai ka thënë se deklarata e Kurtit qëndron pasi që ai i njeh shumë mirë zyrtarët e lartë të Serbisë dhe se Rama duhet të koordinohet me zyrtarët e lartë të Kosovës, përndryshe sipas analisti, Serbia do të fitojë në aspektin politik dhe ekonomik.

“Deklarata e kryeministrit Kurti qëndron, pasi zoti Kurti e njeh mirë logjikën e funksionimit të zyrtarëve të lartë të Serbisë, por edhe strategjinë afatgjate të shtetit serb. Ne mund edhe të mospajtohemi me këtë çështje, por duhet të jemi objektiv në analiza dhe gjykim të drejtë të problemeve. Kryeministri shqiptar duhet të koordinohet me zyrtarët e lartë të Kosovës, pasi ndryshe Serbia përfiton në aspektin politik dhe ekonomik”, përfundon Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat