Lutfi Haziri do të thyejë rekord me zgjedhjen e pestë si kryetar i Gjilanit

Politika

Lutfi Haziri do të thyejë rekord me zgjedhjen e pestë si kryetar i Gjilanit

Nga: A.Z Më: 19 gusht 2021 Në ora: 22:28
Lutfi Haziri

Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka folur lidhur me kandidimin e tij edhe për një mandat tjetër në komunë e Gjilanit.

Ai ka bërë të ditur se garën e tij për të parin e Gjilanit do ta bëj pa bërë fushatë.

“Për herë të parë po e them tani, se kam për të bërë zgjedhje pa fushatë. Kjo vjen pas asaj që qytetarët e Gjilanit më kanë dhënë privilegjin dhe nderin që ta kem një vlerësim pozitiv dhe mas këtij shërbimi, unë do ti bëjë zgjedhjet pa fushatë,” tha Haziri.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Haziri është i bindur se do të fitoj edhe mandatin e pestë, madje sipas Qarrit, Haziri me deklaratën e tij, se do të krijoj ekip sa më të mirë për të udhëhequr komunën, i dëshmon pritjet që ai ka në këto zgjedhje.

“Siç është konfirmuar tanimë nga LDK, mediat dhe vet z. Haziri, zyrtar i lartë dhe anëtar i vjetër i kryesisë së LDK-së, njëkohësisht edhe kryetar i Gjilanit i cili me këtë komunë udhëheqë për katër mandate me radhë, ai jo vetëm se ka kandiduar sërish, por është i bindur se do ta fitojë edhe mandatin e pestë në këtë komunë. Madje ai përveçse foli për kandidimin e tij, sërish për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri tha se tanimë ka kontaktuar edhe me njerëz të zgjedhur të fushave të ndryshme, për të krijuar një ekip sa më të mirë për të udhëhequr këtë komunë, gjë që dëshmon pritjet që ai ka edhe në këto zgjedhje”, tha ai.

Më tej ka potencuar se Haziri ndjehet i sigurt që do të fitoj prap, prandaj edhe nuk do të bëjë fushatë. Por, nëse prap i fiton këto zgjedhje, sipas Qarrit, ai do t’i rrafshojë dy dekada si udhëheqës, gjë që të cilën nuk kanë mundur ta arrinin shumë nga kryetarët e komunave të tjera.

“Për aq më tepër Haziri bëri të ditur se ndjehet aq i sigurt në fitoren e radhës, sa që edhe garën për të parin e Gjilanit do ta bëj fare pa fushatë, për të mos u shprehur tërësisht siç shprehej dikur ish kryetari i tij Isa Mustafa për Prishtinën, se edhe ky do ta fitoj Gjilanin "me duar në xhepa". Ndaj nëse ashtu siç shpreson vet z. Haziri vërtetë edhe kësaj radhe fiton mandatin e të parit të komunës, ai do t’i rrafshojë mes dy dekada si udhëheqës i saj, gjë të cilën nuk kanë mundur ta arrinin, deri më tani shumë kryetar komunash si ai”, shtoi Qarri.

Tutje ka shtuar se zgjedhjet në Gjilan kanë ndryshuar shumë nga ato të kaluarat, gjë që u dëshmua në rezultatet e kaluara.

Ai shton se nëse Haziri fiton, nuk pritet që të jetë aq spektakolare. Sipas Qarrit, nga ndikimi i ndryshimeve që kanë përfshirë Kosovën, do të ishte e natyrshme të ndodhnin këto ndryshime edhe në komunën e Gjilanit.

“Por, parë në rrafshin real dhe bazuar në rezultatet e zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, dëshmohet se gjendja e orientimit të elektoratit edhe në Gjilan ka ndryshuar shumë nga e kaluara dhe nuk është më ajo atmosfera e vjetër e votimit me shumicë, vetëm për një përkatësi partiake. Ndaj votuesit e ri, janë në kërkim të udhëheqësve të reja dhe më moderne edhe nëpër komuna, që dinë të përfaqësojnë jo vetëm ingerencat e partisë por edhe interesat e tyre. Kështu që elektorati i vjetër i z. Haziri nuk shprehë më shumicën absolute, ndërsa votuesit e rinj, duan të shohin ndryshime edhe në komunën e Gjilanit, ndaj edhe nëse z. Haziri vërtetë fiton, fitorja e tij nuk pritet të jetë më aq spektakolare, sa dhe si, ai dhe LDK, shprehen apo do të dëshironin, nga ndikimi i ndryshimeve që tanimë kanë përfshirë gjithë Kosovën, e që është koha dhe do të ishte e natyrshme që të ndodhnin edhe në komunën e Gjilanit”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat