“Dardan Molliqaj ra në ‘kurthin’ që ia ngriti Albin Kurtit” - Paralajmërohet shuarja e PSD-së dhe e këtyre partive politike

Politika

“Dardan Molliqaj ra në ‘kurthin’ që ia ngriti Albin Kurtit” - Paralajmërohet shuarja e PSD-së dhe e këtyre partive politike

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 shtator 2021 Në ora: 08:30
Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

Ditë më parë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trëndafilova dhe administratorja Fidelma Donlon, kanë qëndruar për vizitë në Prishtinë, ku folën për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).

Mirëpo, konferenca e Trëndafilovës nuk shkoi siç pritej, pasi ajo u ndërpre nga dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate. Të cilët hyn në konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova me fishkëllima duke e kundërshtuar punën e kësaj gjykate dhe duke thënë që nuk mund të lejojnë të raportojë në heshtje.

Trëndafilova reagoi duke thënë se nuk e kuptoi se çfarë kërkuan të dy aktivistët.

“Me vjen keq qe se kuptova çka tha ky djalosh, besoj deshi të bëjë pyetje por është mirë që dikush të na përkthejë”, ka thënë Trëndafilova.

Krahas këtyre veprimeve, aktivistët e PSD-së u arrestuan nga Policia e Kosovës jashtë objektit ku po mbahej konferenca.

Protestat e tilla të Partisë Socialdemokrate nuk janë të rralla, pas që nga ardhja në pushtet e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë protestuar shumë shpesh.

Analistët politik për gazetën “Bota sot” u shprehën se këto protesta të PSD-së, po vijnë si rrjedhojë e dëshpërimit të tyre, pas largimit nga LVV-ja.

Ata besojnë që Dardan Molliqaj ka rënë në ‘kurthin’ që disa vite më parë ia ngriti Albin Kurtit dhe po mundohet të bëhet një kopje e dobët e kryeministrit.

Maxharraj: Rrebeluesit e Dardan Molliqajt kanë mbetur rrugëve

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti dhe profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, ka komentuar protestat e Partisë Socialdemokrat (PSD), gjatë konferencës së kryetares së Dhomave të Gjykatës së Specializuara, Ekaterina Trëndafilova.

Fillimisht, ai u rikthye në kohë dhe përmendi momentet kur anëtarët e PSD-së u larguan nga partia e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Maxharraj u shpreh se gjatë daljes nga LVV, ata menduan se do ta shkatërronin Kurtin e partinë, mirëpo ata përfunduan duke e shkatërruar veten, pasi Vetëvendosje i fitoi përsëri zgjedhjet.

“Megjithatë, krahas rritjes së LVV-vë, brenda saj filluan të ngrisin kokat disa që nuk pajtoheshin me punën e LVV-së, ani pse në këtë parti ishin kyç, ishin afirmuar dhe pjekur politikisht, thjesht donin më shumë copë pushteti, brenda LVV filluan ndërskamcat, shtyrja e bërrylave, se gjoja lideri i pakontestueshëm i LVV, Albin Kurti ishte një totalitar dhe se nuk po dëshironin që ai edhe më tutje të kandidojë për kryetar të LVV, këtë e bënë aq më keq kur Albini ishte i arrestuar dhe po mbahej në burg në Dyz. Rebelimin e nisi e para Aida Dërguti e cila haptas e ofendoi Kurtin me fjalë të ndyra. Pas kësaj rrebeluesit, 12 deputetët e LVV-së e nisën aktivitetin e vetë, sigurisht me premtimet e PAN-istëve dhe SHIK-ut, që ta pushtojnë kalanë nga brenda. Por, nuk arritën, u rebeluan edhe më shumë dhe në krye me Dardan Molliqajn, turpshëm dolën nga LVV duke menduar se e shkatërruan LVV dhe Albin Kurtin. Por gabuan, pasi në zgjedhjet e brendshme të LVV, Albini fitoi edhe më bindshëm, bile në dy palë zgjedhjet e fundit duk e dalë e para”, deklaroi profesori.

Në vazhdim, ai tha se pas dështimit të koalicionit parazgjedhor me AAK-në, ku nuk arritën të fitojnë ulëse në Kuvend, anëtarët e PSD-së po sillën rrugëve të dëshpëruar.

“Të dëshpëruar rrebeluesit morën rrugëtimin tjetër, rrugëtimin e rrugëve të pa fund. Ata së pari e formuan grupin parlamentar në Parlamentin e Kosovës, bile edhe me Aida Dërgutin si nënkryetare parlamenti. Nisën të bashkëpunojnë jo vetëm me PAN-in dhe SHIK-un, por edhe me AAK-në e Ramush Haradinajt. Bile, bile bënë edhe koalicion parazgjedhor me Aleancën, ku humbi me ka krejt, nuk e fituan asnjë vend deputeti. Si statisfaksion e formuan partinë e tyre, ose më mirë ia morën Kaqusha Jasharit, PSD-në e pasuksesshme. Tani po sillen të dëshpëruar rrugëve bash si zagarët ku nuk munden të zënë vend”, theksoi analisti.

Gjithashtu, Maxharraj vlerëson se ky subjekt politik po përdor metoda të tejkaluara, primitive, siç ishte rasti i fishkëllimave gjatë konferencës së kryetares Ekaterina Trëndafilova.

Ai e bëri të ditur edhe qëllimin e PSD-së, duke thënë se ata po protestojnë kinse kjo gjykatë po e gjykon Ushtrinë Çlirimatre të Kosovës. Mirëpo, profesori beson se kjo nuk qëndron, pasi dihet se lufta e UÇK-së është e pastër si loti.

“Por, megjithatë po zhvillojnë njëfarë aktiviteti narcisët, me metoda të cilat tanimë janë të tejkaluara, të dala boje që askush nuk po ua vë veshin. Rasti më eklatante është gjesti i tyre primitiv kur ata fishkëllyen në momentin që Kryetarja e Dhomave të Gjykatës së Specializuar, Ekaterina Trëndafilova erdhi për vizitë në Kosovë. Ishte ky një akt i shëmtuar i këtyre aktivistëve të dëshpëruar, të rebeluar nga LVV. Ajo i thirri të bisedojnë, por atyre nuk ua mbajti t’i përgjigjen ftesës së saj për të parë se pse vepruan ashtu. Mirëpo, motivi ishte i qartë, të protestojnë para kryetares për Gjykatën Speciale të Kosovës më seli nga Hagë, se gjoja kjo gjykatë është e padrejtë, se po gjykohet UÇK-ja, etj. Kjo nuk qëndron, këta sikur kanë harruar se Gjykata Speciale është e Kosovës me seli në Hagë, se kjo gjykatë nuk është formuar që ta dënoj UÇK-në dhe luftën e saj heroike, sepse UÇK dhe liria e Kosovës nuk mbrohet nëpër gjykata, lufta e saj është e pastër si loti e shkruan me gjakun e derdhur të dëshmorëve që e dhanë jetën për liri”, nënvizoi ai.

Tutje, analisti ia rikujtoi Molliqajt dhe ‘kompanisë’ së tij se në Hagë po gjykohen individualisht ish-krerët e UÇK-së, lidhur me veprimet e tyre gjatë kohës së luftës.

Po ashtu, Maxharraj e kujtoi edhe kohën kur Molliqaj dhe Thaçi nuk mund ta duronin njëri-tjetrin dhe hidhnin akuza të njëpasnjëshme ndaj njëri-tjetrit.

“Dardan Molliqaj me kompaninë e tij rebeluese, sikur nuk po e di, apo s’po do ta dijë se në Hagë do të përgjigjen komandantët që e kanë keqpërdorur luftën, që dyshohet se kanë bërë krime gjatë luftës dhe krime kundër njerëzimit. Pra, fajësia dhe përgjegjësia është individuale për të bërat e tyre gjatë dhe pas luftës e jo të UÇK-së, për çka edhe gjenden të arrestuar në Hagë.

Është e turpshme që Dardan Molliqaj me shokë të proteston vazhdimisht kundër Qeverisë Kurti II, të proteston në këtë mënyrë para kryetares së kësaj gjykate gjoja për ta mbrojtur Hashim Thaçin. Hashim Thaçi dhe Dardan Molliqaj dikur donin me ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit. A nuk është kjo paradoksale kur vetë PDK, me përjashtim të disa personave të OVL, nuk protestoi fare kur lideri i tyre me disa komandantë tjerë të Rognerit në pikë të dritës së diellit u arrestua në shtëpitë e tyre dhe u dërguan në Hagë, jo për ta pastruar UÇK-në, sepse UÇK është e pastër si loti, por për të pastruar vetën si i dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, potencoi profesori.

Në fund, analisti nga Amerika u shpreh se partitë si kjo e Dardan Molliqaj, ajo e Behgjet Pacollit e ndoshta edhe AAK e Ramush Harajdinaj, duhet të lëshojnë rrugë dhe të shkojnë t’i bëjnë shoqëri NISMËS së Fatmir Limajt.

“Siç po shihet, Dardan Molliqaj e ka humb rrugën së bashku me PSD-n, sillen dhe pështillen pa ndonjë qëllim të caktuar, rebelohen rrugëve dhe skutave me metoda tanimë të dala boje. Aq shumë është katandisë keq PSD e Dardan Molliqaj sa që as në zgjedhje nuk guxon të marrë pjesë, sepse frikësohet nga debakli dhe fundosja e tërësishme. Partitë e tilla si kjo e Dardan Molliqaj, ajo e Behgjet Pacollit e ndoshta edhe AAK e Ramush Harajdinaj, duhet të lëshojnë rrugë, mos ta mundojnë skenën politike kot, sepse ata duhet të shkojnë, dhe së shpejti do të shkojnë t’i bëjnë shoqëri NISMËS së Fatmir Limajt”, përfundoi Binak Maxharraj.

Mehmeti: Molliqaj, kopje e zbehtë e Kurtit

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot” u shpreh se kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është një kopje e zbehtë e kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, Molliqaj nuk ka asnjë kauzë të veçantë, ku vetëm del dhe bën zhurmë rrugëve të vendit.

“Daradan Molliqaj po imiton Albinin, por po del kopje e zbehtë, tjetër kalibër është Albini e tjetër Dardani. PSD s’ka kauzë, janë zhurmagjinj që duhet të dalin në pah. Njësoj si një i marrë që ishte dikur që shkonte i ngacmonte njerëzit dhe u thoshte çfarë keni me mua, njësojë janë edhe këta të PSD”, deklaroi ai.

Tutje, ai anëtarët e PSD-së i vlerësoi si një ‘grusht personash’ që kritikojnë vetëm sa për të marrë vëmendjen e qytetarëve dhe mediave.

Mehmeti partinë e PSD-së e cilësoi si të dështuar, pasi Molliqaj ra në kurthin që ia kishte ngritur Kurtit.

“Një grusht personash, sa njëra dorë e njeriut kritikojnë këso situata për të marrë vëmendje të mediave dhe qytetarëve. Këta janë të dështuar, duket se krejt u kanë faj për dështimin e tyre, askush nuk u ka faj se ranë në kurthin që i bën Albinit. Tani krejt mllefin duan ta shfryjnë në rrugë. Zonja Trëndafilova është vetëm pretekst për të dal në rrugë, s’kanë kauzë, s’kanë ide, janë të mjerë dhe të dështuar”, theksoi analisti.

Në fund, ai potencoi se prokuroria po bënë gabim që nuk po ngrit padi për prishjen e rendit ndaj anëtarëve të PSD-së, por po i liron ata.

“Besoj se edhe policia bën shumë gabim që i liron, në fakt është prokurori që nuk ngreh padi për prishje të rendit, të dënohen si recidivist, lënia në liri e këtyre të dështuarve krijon situata të njëjta, me prishje të rendit dhe qetësisë publike si dhe dëmtim të pronës publike. Duhet të dënohen, siç thoshte presidenti Rugova " të këqijtë duhet të izolohen"”, përmbylli Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat