Ish agjenti i SHIK-ut: Aleksandër Lumezi të përgjigjet pse nuk po arrestohet Ramush Haradinaj

Politika

Ish agjenti i SHIK-ut: Aleksandër Lumezi të përgjigjet pse nuk po arrestohet Ramush Haradinaj

Nga: P.R Më: 14 shtator 2021 Në ora: 19:34
Ramush Haradinaj

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para se të zgjidhej kryeministër kishte premtuar ndaljen e korrupsionit dhe burgosjen e të gjithë të përfshirëve në korrupsion.

Madje ishte paralajmëruar se gjatë qeverisjes Kurti, “peshqit” e mëdhenj do të përfundon në burg.

E tani kur doli në pah skandali me tokat, nga Qeveria Kurti po kërkohet me çdo kusht burgosja e Ramush Haradinajt, për të cilin, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati deklaroi se tokën e privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për gjashtë euro arin, e që në Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ishte vlerësuar me 3.700 euro/ari, Qeveria Haradinajt kishte marrë vendim që të njëjtën tokë, ta shpronësojë për 1.200-fish më shumë.

“Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njejtën tokë t’a shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit). Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro”, ka deklaruar Murati, duke shtuar se nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro.

Por deri më tani, as Ramush Haradinaj, dhe asnjë nga “peshqit” e mëdhenj të përfshirë në korrupsion nuk kanë përfunduar në burg.

Por pse po ndodhë një gjë e tillë? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

“Po e vërtetë është se ka premtuar, por Albin Kurti është kryeministër, nuk është prokuror, as hetues as gjyqtar. Dihet publikisht se Policia, Prokuroria, Gjyqësia, Inteligjenca... janë akoma në dorë të sekserëve dhe kukullave të vendosura nga PDK, AAK, dhe LDK deri dikund. Mos të harrojmë që 20 vite rresht nuk iu kanë bërë presion qeverive të PDK, LDK, AAK, Nismës...sa po i bëhen sot LVV brenda 5 muajve në qeveri!”, thotë Miftari.

Sipas tij, për 20 vite rresht u kapën pothuajse të gjitha segmentet e shtetit.

“Edhe këto partitë e ish pushteteve të dy dekadave rresht na thonin sundimi i ligjit, zero tolerancë ndaj korrupsionit, ligji mbi të gjitha, kurse të gjithë e dinim dhe e shihnim se këta pushtetarët vidhnin vet dhe shkelnin ligjet vet, por kontrollonin policinë, prokurorinë, gjyqësinë, inteligjencën... deri aty e kanë pasur kap shtetin sa që edhe sindikatat e punëtorëve i kontrollonin me njerëz dhe kryetar që i vendosnin vet”, thekson ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Miftari shprehet se arsyeja pse nuk po burgoset Ramush Haradinaj duhet të gjendet tek Aleksandër Lumezi.

“Prandaj pa u pastrua deri në themel organet e shtetit që garantojnë sundimin e ligjit, pa u pastruar nga dora e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si Albini si ne të gjithë qytetarët e Kosovës veç mundemi mu sill rreth dardhës. Pyetjen pse nuk u arrestua Ramushi, Samia e shumë njerëz tjerë për korrupsion e për keqpërdorim të pushtetit, kjo pyetje duhet me iu bo kryeprokurorit Aleksandër Lumezit edhe prokurorëve tjerë që në fakt janë vetëm sekser dhe kukulla të PDK-së, AAK-së, LDK-së, etj... Pa i hetuar e me i pyet drejtësia askush nuk shkon vullnetarisht vet në burg”, deklaron Miftari.

Ai akuzon të gjithë ish kryeministrat se përdorën pushtetin për tu pasuruar.

“Jo vetëm Ramushi, por pothuajse të gjithë ish kryeministrat që kanë qenë gjerë më sot duhet me u hetu për korrupsion pasi janë të korruptuar dhe kanë keqpërdor pushtetin për tu pasuruar vetë. Ndoshta nesër edhe Albin Kurti bëhet sikurse këta ma herët, por ardhmërinë nuk e dimë asnjëri. Personalisht e kam bindjen se Albin Kurti nuk korruptohet kurrë pa marr para sysh ofertën dhe vlerën e mitos, por nuk e kam bindjen dyshoj se ndonjë shok e zyrtar i Albin Kurtit nuk mundet mos mu korruptu në të ardhmen. Këtë do ta tregoj e ardhmja!”, thekson Mfitari.

Për fund, Miftari deklaron se arrestimet e “peshqve” të mëdhenj mund të ndodhin vetëm pas VETTING-ut që pritet të ndodhë në Kosovë.

“Pres se arrestimet ma serioze do të bahen pas VETINGU-t, domethënë kah mesi i vitit tjetër. Lyp pak më shumë kohë me largu OKTOPODIN e korrupsionit nga politika, domethënë krimin e organizuar nga partitë politike, e këtu e kam fjalën për të gjitha partitë politike në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat