“Vuçiq të dëshmojë a është për paqe apo barriera”, Kosovën e sheh si objekt pazaresh të fshehta, ja çfarë kërkon Serbia

Politika

“Vuçiq të dëshmojë a është për paqe apo barriera”, Kosovën e sheh si objekt pazaresh të fshehta, ja çfarë kërkon Serbia

Nga: G.B Më: 22 shtator 2021 Në ora: 17:33
Njësia Speciale, 20 shtator 2021, Jarinje

Që nga e hëna Kosova është lajm ndërkombëtar për vendosjen e reciprocitetit për targat për automjetet që hyjnë në Kosovë nga Serbia.

Vendimi i kryeministrit Albin Kurti ishte paralajmëruar se do të zbatohej nga 20 shtatori dhe kështu ndodhi.

Në veri në pikat kufitare me Serbinë doli Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe atje po vazhdon të qëndrojë ende, për të monitoruar zbatimin e vendimit dhe për të shmangur tensionet e mundshme, derisa serbët po protestojnë kundër këtij vendimi.

Kryeministri Kurti ka thënë se vendimi nuk është diskriminues e as provokim por që Kosova po e bën atë që Serbia e ka bërë prej vitesh dhe se reciprociteti për targat ose do të mbahet nga të dyja shtetet, ose do të hiqet nga të dyja.

Ai madje gjatë konferencës për media gjatë ditës së sotme, i ka bërë thirrje Serbisë që ta heq këtë masë, në mënyrë që kështu të veprojë më pas edhe Kosova.

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, publicisti dhe njohësi i marrëdhënieve në rajon, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Serbia e ka të vështirë ta pranojë realitetin e ri dhe modelin e ri të bisedimeve, pasi ata Kosovën e shohin si objekt negociatash dhe pazaresh sa të fshehta sa të hapura dhe se më normalizim nënkupton kthimin e Serbisë në Kosovë.

“Serbia po e ka të vështirë të pranojë realitetin e ri dhe modelin e ri të bisedimeve të cilin e ka imponuar me këmbëngulje qeveria e re e Kosovës. Kosovën ata e shohin si objekt negociatash dhe pazaresh sa të fshehta sa të hapura siç ishin mësuar më herët. Ata nuk duan normalizim marrëdhëniesh me Kosovën por rikthim të Kosovës në Serbi dhe Serbisë në Kosovë, ashtu si e kuptojnë ata normalizimin”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, Kosova nuk e negocion këtë lloj normalizimi dhe nëse Kosova nuk i zbaton të njëjtat masa, e pranon konceptin serb të normalizimit.

“Natyrisht Qeveria e Kosovës as nuk ka mandat as nuk do të negociojë këtë lloj normalizimi dhe ka shtruar alternativën e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore. Nëse Kosova nuk i zbaton të njëjtat masa, atëherë e pranon konceptin serb të normalizimit. Qeveritë perëndimore tashmë e kanë kuptuar këtë dhe po insistojnë vetëm në paqe dhe ikje nga acarimi”, ka vlerësuar publicisti.

Ai ka theksuar se Serbia nuk mund të kërkojë asnjë masë të cilën nuk e njeh vetë dhe se Vuçiq duhet të tregojë se a është për paqe dhe normalizim apo për dominim dhe barriera.

“Presidenti serb me ndikimin e tij te serbët e Kosovës duhet të dëshmojë se është për paqe dhe normalizim mbi parimet evropiane dhe të tregojë vërtetë se a është i interesuar për një Ballkan të hapur apo për dominim dhe barriera. Asnjë masë të cilën Serbia nuk e njeh nuk mund të kërkojë nga të tjerët”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat