Kur mund të pritet takimi në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, mund të ndodhë kjo “befasi”

Politika

Kur mund të pritet takimi në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, mund të ndodhë kjo “befasi”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 shtator 2021 Në ora: 22:33
Bota sot/ Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë takim me presidentin Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, para datës 6 tetor.

“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit, kur edhe e kemi Samitin në Slloveni mes Bashkimit Evropian dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. S’ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës, ndërkohë zëvendëskryeministri im Bislimi që është përgjegjës ka pasë takime në Bruksel. Ai i diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, u shpreh ai.

Gjatë një konference për media, ai u shpreh se Kosova do të ketë në qendër të bisedimeve çështjen e të pagjeturve.

“Sa i përket takimeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne kemi thënë që ka një gjë e një çështje që nuk pret e ajo është çështja e të pagjeturve dhe zhdukurve që na mungojnë ende, për më shumë se 22 vite”, u shpreh Kurti.

Mirëpo, analistët vlerësojnë se takimi mund të mos ndodhë edhe pas 6 tetorit.

Por edhe nëse një takim i tillë mbahet, i njëjti nuk do të sjellë asnjë marrëveshje, sipas tyre do të ketë vetëm mospajtime në mes të dy vendeve dhe asgjë më shumë.

Gruda: Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshme të negociojnë mes veti

Image
Përparim Gruda

Lidhur me këtë, analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Përparim Gruda, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, u shpreh se dialogu Kosovë-Serbi po ndodhet në një fazë shumë kritike për shkak të pozicioneve të ngurta që kanë të dyja palët.

Ai shton se asnjëra palë nuk janë të gatshme për të bërë negociata mes vete.

“Dialogu Kosovë-Serbia ndodhet në një fazë shumë kritike me mungesë të madhe qartësie. Kjo është kështu për shkak të pozicioneve të ngurta që kanë të dyja palët, pozicione të cilat në shumë raste duken sikur nuk janë pozicione negociues, pra që palët nuk kanë gatishmëri për negocim dhe marrin pjesë në takime në Bruksel sa për të marrë pjesë. Në këto kushte, deklarata e Kryeministri Kurti është refleksion i kësaj atmosfere dialoguese”, u shpreh ai.

Gruda më tej ka vlerësuar se takimi i paralajmëruar në tetor mund edhe të mos ndodhë fare.

Sipas tij, duhet të ndryshohet kjo qasje e shteteve pasi për këtë çështje ishte edhe vizita e Lajçak-ut në Kosovë para disa ditësh.

“Takimi i paralajmëruar në tetor mund të mos ndodh fare nëse palët vazhdojnë t’i qasen dialogut në këtë mënyrë. Vizita e z. Lajçak para pak ditësh në Kosovë kishte këtë qëllim: përgatitjen e takimit të radhës dhe diskutimin e mundësive që palët (në këtë rast pala e Kosovës) të angazhohet më shumë në propozimin e temave që mund të jenë “të negocueshëm” dhe të heqin dorë nga tema dhe pozicione të panegociushme, sepse dialogu është një mekanizëm për përafrim mes palëve për të gjetur një zgjidhje dhe jo një mekanizëm që ju ofron palëve një arene ku ato mund të thonë thjeshte dhe vetëm të vërtetat e tyre”, ka vlerësuar Gruda.

Nga ana tjetër, ai ka theksuar se Serbia do të vazhdojë lobimin e saj për të tërhequr njohjet për shtetin e Kosovës mirëpo që qeveria e Kosovës në këto kushte do të duhej të përkrahte Marrëveshjen e Ëashingtonit dhe jo të kundërtën siç bëri.

“Serbia ka deklaruar hapur se pas përfundimit të moratoriumit të vendosur nga Marrëveshja e Ëashingtonit për të mos lobuar për të bindur shtet për të tërhequr njohjet për Kosovën, ajo do të vazhdojë fushatën e saj për të bindur shtet e caktuar për të tërhequr njohjet. Mendoj se tani e tutje Serbia do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës, në vend se të përdor miqësinë më SHBA-të për të diskutuar modalitetet se si të pengohet Serbia në këtë përpjekje të saj, ajo është shprehur kundër Marrëveshjes së Ëashingtonit. Një qëndrim ky krejt absurd dhe më dëme të mëdha për Kosovën”, është shprehur Gruda për “Bota sot”.

Kuçi: Takimi i 6 tetorit nuk do të sjellë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë

Image
Gurakuç Kuçi

Ndërsa, politologu Gurakuç Kuçi, në lidhje me këtë temë u shpreh se Kurti që në fillim ka treguar tri prioritetet e tij dhe ende po vazhdon t’i zbatojë ato.

Gjithashtu, ai ka përmendur zgjedhjet lokale në Kosovë dhe ato të Serbisë në prill e që sipas tij këto bëjnë që marrëveshja të mbetet larg realizimit.

“Qeveria Kurti e ka thënë që dialogu nuk hyn në tri prioritetet e para të saj, pra si duket synimi i Kurtit është që ta forcojë Kosovën nga brenda dhe ta bëjë një shtet më serioz në dialog me Serbinë dhe para bashkësisë ndërkombëtare. Andaj kjo mund ta prolongojë dialogun. Kurti po ashtu ka kërkuar edhe një marrëveshje paqe me Serbinë dhe ky është një qëllim që duhet ndjekur deri në fund. Përderisa Serbia mbetet kërcënimi kryesor i Kosovës, kjo e fundit nuk mund të bëjë marrëveshje tjera thelbësore me shtetin më armik i cili nuk pranon paqe. Në anën tjetër, jemi edhe para zgjedhjeve lokale në Kosovë që janë indikator në dialog por në prill të vitit të ardhshëm po ashtu do të ketë zgjedhje në Serbi. Kjo e bën një marrëveshje dhe pranim të pavarësisë së Kosovës nga Serbia e bashkë me të edhe marrëveshjen për paqe edhe më të largët”, tha ai.

Tutje, politologu thotë se edhe nëse ndodh takimi më 6 tetor, një marrëveshje finale të realizohet është shumë larg kjo sepse Serbia po vazhdon të lobojë kundër Kosovës.

Ndërsa ai thekson se “Open Ballkanin” është projekt jashtë interesave të Kosovës.

“Një takim eventual pas 6 tetorit dyshoj që do sjellë ndonjë marrëveshje përveç mospajtime tjera dhe vajtime të pastajme të Vuçiqit duke kërkuar rikthimin e ish-negociuesve me të. Serbia vazhdimisht ndërmerr hapa kundër Kosovës, ajo vazhdon të lobojë që Kosova të mos marrë njohje të reja, vazhdon të bëjë lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën e po ashtu vazhdon që në Ballkanin Perëndimor të forcojë të ashtuquajturën “Open Balkan” e cila është një projekt jashtë interesave të Kosovës, shqiptarëve dhe perëndimit. Dekonstruktive nuk është Kosova në dialog dhe Kosova vetëm po kërkon dinjitet në tavolinë të bisedimeve”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat