“Edi Rama është në dijeni të skenarit serb”, vjen alarmi për Albin Kurtin: Vuçiq nuk e pranon këtë...

Politika

“Edi Rama është në dijeni të skenarit serb”, vjen alarmi për Albin Kurtin: Vuçiq nuk e pranon këtë...

Nga: P.R Më: 28 shtator 2021 Në ora: 08:10
Aleksandër Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama, foto ilustrim "Bota sot"

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar me luftë Kosovën, pasi kjo e fundit ka dërguar Njësinë Speciale në Veri të vendit, për ta zbatuar reciprocitetin për targat e veturave, reciprocitet të cilën e vendosi Qeveria Kurti.

“I kam thënë Stotlenbergut, që nuk do të futemi në Kosovë nëse rrezikohet populli serb, para se të presim 24 orë për intervenim të NATO-s. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, jo sepse ne nuk e konsiderojmë si territor tonë, por sepse sipas Marrëveshjes së Kumanovës, ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, deklaroi Vuçiq.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vendimi për reciprocitet nuk është kundër serbëve të Kosovës, por vetëm çështje ligjore.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë. Për neve është çështje e sundimit të ligjit, është çështje e zbatimit të vendimit qeveritar është çështje e paqes, sigurisë dhe stabilitetit që nuk e diskriminon asnjë njeri. Nuk është kundër serbëve të Kosovës, nuk ka serb të Kosovës që i janë ankuar qeverisë për Njësinë Speciale. Ata që kanë bllokuar rrugët kanë bllokuar vetën dhe qytetarët serb”, tha Kurti.

E deklarata e Aleksandër Vuçiqit, sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, është shpallje lufte për Kosovën dhe perëndimin.

Image
Prof. Dr. Asoc Enver Bytyçi

"Deklarata e presidentit të Serbisë se do të luftojë në Kosovë për të mbrojtur serbët është deklaratë lufte me shtetin e Kosovës. Shteti i Kosovës është produkt i vendimeve të mëdha të Perëndimit e për pasojë ajo mund të konsiderohet edhe si deklaratë lufte kundër Perëndimit, kundër Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por problemi është se Aleksandër Vuçiq i ka bind disa politikanë në Amerikë dhe në Evropë se ai "nuk do të jetë aleat strategjik i Rusisë, por do të shndërrohet në aleat të Evropës dhe SHBA-ve"! Kjo rrenë e madhe e kishte bërë me iluzione gjithashtu ndihmës sekretarin e Shtetit, Escobar, i cili bazuar në të dhënat e bilancit tregtar dhe të investimeve të Serbisë, zë vend të parë Perëndimi. Ndërkohë që në SHBA e Evropë kanë harruar se Serbia gjithmonë paratë i ka marrë në Perëndim dhe aleat ka pasur Lindjen. Fëmijët i ka shkolluar në Perëndim dhe më pas i ka instruktuar sipas besimit ortodoks të jenë bashkëpunëtorë të Lindjes. Shkencën e ka marrë nga Perëndimi dhe rrenën e mashtrimin e ka marrë nga Lindja", thotë Bytyçi.

Sipas tij, ky është problemi që po vuajnë shqiptarët sot.

"Dhe ky problem ka edhe një bashkëfajtor tjetër. Ai është Edi Rama, i cili ka hyrë garant te autoritetet perëndimore për atë se miku u tij Aleksandër Vuçiq "nuk qenka më i binduri i Moskës, por aleati i Brukselit dhe Uashingtonit"! Aleanca me Moskën dhe me kryeministrin e Shqipërisë janë dy shtyllat e kryengritjes së Aleksandër Vuçiq për të kërcënuar sovranitetin shtetëror të Kosovës! Nëse do t'i mungonin këto dy shtylla, atëherë ai do strukej si pulë në strofkën e vet", shprehet profesor Enver Bytyçi për gazetën "Bota sot".

Por a mund të shndërrohen në konflikt kërcënimet e presidentit serb?

"Rehatia që Edi Rama shfaqi në Prishtinë më jep përshtypjen se kryeministri i Shqipërisë është në dijeni të skenarit serb në konfliktin e tanishëm kundër Kosovës. Rama i kërkoi Kurtit që të tërheqë forcat speciale nga veriu. Kjo do të thotë se ushtria serbe është në veri për të imponuar tërheqjen e forcave speciale të Kosovës nga Jarinja dhe Bërnjaku. Nëse tërhiqen këto forca prej aty, merr fund zbatimi i vendimit të qeverisë për vendosjen e targave të përkohshme të Kosovës për automjetet që vijnë nga Serbia. Sepse serbët lokalë të nxitur e të paguar nga Beogradi do ta bllokojnë punën e policisë së Kosovës në zbatimin e këtyre vendimeve", deklaron Bytyçi.

Ai shton se tërheqja e forcave speciale do të kthejë gjithçka në pikën zero.

"Prandaj Albin Kurti bën mirë kur kërkon bisedime, me qëllim që e drejta të ballafaqohet në tavolinë. Vuçiq nuk e pranon këtë, sepse ai e di se e drejta nuk është në anën e tij. Ndërkohë presidenti i Serbisë ka operuar dhe operon me të drejtën e serbëve kudo që janë. Po flet për botën serbe, njësoj siç flet për botën ruse Vladimir Putin. Jo vetëm në strategji, gjeopolitikë, politikë dhe ushtri e siguri, por edhe në ideologji Aleksandër Vuçiq operon njësoj si Moska e Kremlini", nënvizon Bytyçi.

"Ndërsa Edi Ramës nuk i bëjnë përshtypje të gjitha këto përqasje jo të rastësishme. Është vënë në krah të vëllait të tij sa i përket Open Balkan. Kazani vlon në veri të Kosovës, lufta ka ardhur në pragun e shtëpisë së Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë flet ende për Ballkanin e Hapur. Ky është absurdi më i madh i kësaj kohe të çmendur", shton profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të rezistojë pavarësisht kërcënimeve.

"Në optikën time nuk ka shans për një agresion serb kundër Kosovës. Nëse ndodh kjo, nis lufta, sepse specialet e Kosovës nuk do të tërhiqen për t'ia lëshuar terrenin, territorin e saj forcave serbe. në këtë luftë lindin rreziqe të tjera. Serbët do të ikin drejt Serbisë dhe shqiptarët e veriut drejt Prishtinës. Do të spastrohet plotësisht zona e konfliktit prej civilëve. Fundin e kësaj lufte nuk e di askush. Por nuk ka gjasë që atë ta fitojë Serbia", deklaron Bytyçi.

Për fund, Bytyçi shprehet se Vuçiq për gati një dekadë ka investuar në krijimin e Jugosllavisë së Re, d.m.th Ballkanit të Hapur siç quhet sot.

"Ky investim varroset brenda orës në rast të një konflikti. Ai politikisht do të kthehej në pikën zero. Por mos harrojmë se do të jetë Serbia agresore edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, sepse pa asnjë shkak ushtria e saj do të shkelë në një territor që nuk është i saj. Këtë e pohon edhe Rezoluta 1244, por edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës", përfundon për gazetën "Bota sot", profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat