Miliona euro për të akuzuarit e Speciales/ Bashkëluftëtari i Sali Çekajt: Me taksat e viktimave po mbrohen xhelatët e tyre

Politika

Miliona euro për të akuzuarit e Speciales/ Bashkëluftëtari i Sali Çekajt: Me taksat e viktimave po mbrohen xhelatët e tyre

Nga: P.R Më: 30 shtator 2021 Në ora: 20:15
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin bashkë me të tjerët, Gjykata Speciale ndër tjerash në aktakuzën e saj, i bën përgjegjës edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtar të LDK-së.

Madje në Gjykimin që ka nisur ndaj Salih Mustafës, prokuroria tha se të gjitha viktimat e tij ishin anëtar të LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, tha Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokurorit të Specializuar Jack Smith.

E ndërkohë të gjithë të akuzuarit e Speciales, ani pse akuzohen që kanë vrarë edhe shqiptar, po marrin miliona nga buxheti i shtetit të Kosovës, pasi kanë zgjedhur që të paguajnë avokatët e tyre përmes ndihmës financiare që ua ofron Qeveria e Kosovës.

E që nga arrestimi i parë e deri më tash, nga buxheti i caktuar për këtë kategori, janë shpenzuar rreth 4.5 milionë euro.

Këtë ndihmë për të akuzuarit e Speciales po e kritikon Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj. Sipas tij, personat që po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale nuk janë përfaqësues të UÇK-së, por janë përfaqësues të LPK-së.

Image
Saim Tahiraj

“Fillimisht duhet sqaruar një çështje që fatkeqësisht tani e njëzet e dy vite është pranuar gabimisht se po akuzohet në Hagë UÇK-ja. Ky diskurs që ka filluar me fillimin e lëshimit të komunikatave, vazhdoi në luftë dhe po vazhdon edhe sot fatkeqësisht. Këta që po akuzohen në Hagë dhe të tjerët që do akuzohen, nuk kanë qenë asnjëherë përfaqësues të UÇK-së, në kuptimin e përgjithshëm të asaj ushtrie që u angazhua pjesa dërmuese e popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Këta ishin dhe vazhdojnë të jenë përfaqësues vetëm të një shtabi që themeloi LPK, andaj duhet të trajtohen si të tillë dhe assesi si përfaqësues të një tansie që e përqafoi i tërë populli. Për hir të një uniteti të përgjithshëm këtë emërtim e pranuan edhe institucionet e Republikës së Kosovës të udhëhequra nga Presidenti Rugova”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, në Speciale nuk po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por individët e shtabit të LPK-së.

“Në Osllo u arrit një marrëveshje në mes të Ministrisë së Mbrojtjes i përbërë nga Ministri Ahmet Krasniqi dhe zëvendësi i tij Agim Mehmeti, dhe shtabit të LPK-së i përfaqësuar nga Adem Demaçi me ekipin e tij. Kjo marrëveshje kurrë nuk u zbatua nga shtabi i LPK-së, përkundrazi u luftuan deri në likuidime fizike drejtuesit e atyre institucioneve, duke filluar me atentatin ku u vra Ministri Krasniqi. Të gjitha strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, që nga ushtari e deri te oficerët madhorë kurrë nuk morën dhe nuk zbatuan urdhrat nga aji shtab i LPK-së, por e morën dhe zbatuan urdhrat nga SHSFARK. Duke u nisur nga ky fakt, këta që po akuzohen në Hagë dhe të tjerët që do shkojnë nuk janë përfaqësues të asaj tërësie që quhet UÇK, pra nuk po gjykohet UÇK, por thjeshtë individ të shtabit të LPK-së”, shprehet Tahiraj.

Më tej, ai e quan skandaloze ndihmën që shteti i Kosovës i ka ndarë për të akuzuarit e Speciales, të cilët ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

“Ky diskurs, shumë i dëmshëm, duhet të ndërpritet dhe shoqëria jonë të lirohet nga kjo mjegullnajë dhe të kthjellohet. Falë këtij diskursi edhe Parlamenti i Kosovës ra në ndikimin e kësaj propagande dhe votoi ligjin që nga buxheti i varfër i Kosovës të paguhen avokatët e të akuzuarve dhe shpenzimet e udhëtimeve të familjarëve të tyre. Ky ishte vendimi më i gabuar i Parlamentit të Kosovës, paradoks i llojit të vet. Sikur të vërtetohen aktakuzat e të akuzuarve për vrasjen e figurave të mëdha politike të LDK-së, drejtuesve të institucioneve që përfaqësonte LDK, atëherë ku do mbetet autoriteti i Parlamentit të Kosovës? Ku do mbetet karakteri dhe ndershmëria e deputetëve të atij Parlamenti, në veçanti i deputetëve të LDK-së?”, deklaron Tahiraj.

Për fund, Tahiraj shprehet se nëse të akuzuarit shpallen fajtor për akuzat që i ngarkon Specialja, atëherë shteti i Kosovës do të jetë pjesë e krimit të tyre.

“Kjo do i bie se me taksat e familjarëve që u vranë anëtarët e tyre, po mbrohen xhelatët e tyre. A thua si do ndihet Fetah Rudi pastaj, ku me paratë e tija do mbrohet xhelati që dha urdhër vrasjen e tij? Këto janë paradokset që vetëm në Kosovë ndodhin. Nëse këto aktakuza vërtetohen dhe të akuzuarit marrin dënimin për ato vepra, deputetet e atij Parlamenti, drejtuesit e qeverisë do i llogaris si pjesë e krimit, sepse me djersën e popullit të varfër dhe me djersën e familjarëve të viktimave u përpoqën maksimalisht ta mbrojnë krimin!”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat