Milionat për Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin/ Analisti: Ky është skandal, është vrasje e dytë për...

Politika

Milionat për Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin/ Analisti: Ky është skandal, është vrasje e dytë për...

Nga: P.R Më: 1 tetor 2021 Në ora: 20:37
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Të gjithë të akuzuarit e Speciales, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi bashkë me të tjerët, ani pse akuzohen që kanë vrarë edhe shqiptar, po marrin miliona nga buxheti i shtetit të Kosovës, pasi kanë zgjedhur që të paguajnë avokatët e tyre përmes ndihmës financiare që ua ofron Qeveria e Kosovës. Që nga arrestimi i parë e deri më tash, nga buxheti i caktuar për këtë kategori, janë shpenzuar rreth 4.5 milionë euro.

Gjykata Speciale ndër tjerash në aktakuzën e saj, i bën përgjegjës edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtar të LDK-së.

Madje në Gjykimin që ka nisur ndaj Salih Mustafës, prokuroria tha se të gjitha viktimat e tij ishin anëtar të LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, tha Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokurorit të Specializuar Jack Smith.

E buxhetin e ndarë për të akuzuarit e Speciales, analisti politik, Faton Mehmeti e quan skandaloze.

Image
Faton Mehmeti

“S’ka më skandaloze se të paguhen ata të cilët mund të jenë akteret e vrasjeve të pasluftës. Akoma nuk e dimë se a janë apo jo, por çka nëse në përfundim të gjykimit shpallën fajtorë për vrasjet e anëtarëve të LDK”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, ndarja e miliona eurove për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin është vrasje e dytë për anëtarët e familje të të vrarëve politikë.

“Është dashur që të përcaktohet se shteti do i paguaj avokatet nëse në përfundim të gjykimit shpallën të pafajshëm, por jo edhe nëse shpallën të tillë, si mund të arsyetohet shteti para familjeve të të vrarëve nëse të akuzuarit shpallën fajtorë, për ironi me taksat e qytetarëve duke përfshirë edhe ta familjarëve të të vrarëve. Ky është skandal, vrasje e dytë për anëtarët e familje të të vrarëve. Të jepen miliona për ata që nesër mund të shpallën fajtorë për vrasjet e shqiptarëve të pasluftës, kjo ndodh vetëm në Kosovë. Edhe në Hagë po ua shohim sherrin”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat