“Bomba” e Ramës/Analisti nga Amerika tregon kur mund të ndodhë bashkimi Kosovë-Shqipëri – ja pse kjo ide tani është kundër shqiptarëve

Politika

“Bomba” e Ramës/Analisti nga Amerika tregon kur mund të ndodhë bashkimi Kosovë-Shqipëri – ja pse kjo ide tani është kundër shqiptarëve

Nga: G.B Më: 13 tetor 2021 Në ora: 17:09
Edi Rama dhe Albin Kurti

Tema e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë është riaktualizuar sërish.

Ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili tha se në planet e tij është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

“Unë jam president i Shqipërisë edhe Kosovës?! Kjo nuk është në planet e mia! Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, po! Ky është synimi”, ka thënë Rama.

Deklarata e tij nxiti reagime të shumta pro dhe kundër, derisa ishin serbët dhe rusët ata që reaguan shumë kundër një mundësie të tillë, derisa e quajtën dhe të papranueshme.

Lidhur me këtë temë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Ai ka thënë se deklarata e Ramës është si një bombë kundër Kosovës dhe Shqipërisë, e cila iu përshtat atyre që janë kundër shqiptarëve.

“Deklarata e Ramës për bashkim është si një ‘bombë’ e gjuajtur kundër Kosovës dhe Shqipërisë, jehona e së cilës me shpejtësinë e dritës u përhap në Beograd dhe Moskë, e pastaj nga makineria propagandistike e këtyre dy qendrave të galvanizohet, deformohet, rifabrikohet derisa ta merr formën dëshiruese të tyre, e që është se “Kosova dhe Shqipëria (bashkimi) janë rrezik permanent për paqen në Ballkan e më gjerë”. Pra, ‘bomba’ e radhës e Ramës u shkoi përshtati atyre që historikisht janë kundër shqiptarëve. Pra, ishte kjo një ‘bombe’ koti që i shqetësoi shqiptarët, (disa i trimëroi) ashtu si dhe “bombat’ tjera kohë më pare, që Rama i lansoi në Shkup e Korçë nga arsenali i tij antikombëtar”, është shprehur ai.

Sipas tij, kjo ide e tij është në kundërshtim me Ballkanin e Hapur dhe këto dy projekte tregojnë pasigurinë e tij emocionale por edhe trazim të elektoratit të tij.

“Kur kundërshtimet ndaj Ramës kanë arritur zenitin në të dyja anët e kufirit, ai si një “krye-pa-prerë” lanson “bashkimin” e që është një antipod i Ballkanit të Hapur që e promovoi pak më parë. Këto dy projekte konfliktuoze të Ramës tregojnë pasigurinë e tij emocionale por edhe trazim të elektoratit të tij, derisa, në Shqipëri në të njëjtën kohë ziejnë shumë ‘çorba’ në çdo ‘hurdhë’ të shtetit dhe të pushtetit të tij të brishtë”, ka thënë ai.

Analisti ka deklaruar se bashkimi është ëndërr e çdo shqiptari, por që nuk ndodhë duke kritikuar Kosovën dhe duke thelluar hendekun ndarës me Kosovën.

“Bashkimi është një ëndërr e çdo shqiptari me shekuj, por ai nuk vjen duke polarizuar shoqërinë shqiptare skajshmërish, ai nuk vjen duke ia mbajte krahun hasmit, duke kritikuar Kosovën gjoja për politikat e saja të gabuara karshi hasmit në prezencë të hasmit, duke e thelluar hendekun ndarës me Kosovën, duke na marr malli të shohim qytetarë nga Shqipëria në Prishtinë e në Kosovë, bashkimi nuk vjen duke e bërë Shqipërinë plantacion, laborator, dhe vend transit të drogës, duke instaluar ‘TV Sputnik’ me zëdhënës për përçarje, një tendencë për prishje të tolerancës fetare, si nga Olsi Jazenxhinjte, Muço Nanot dhe të ngjashëm, dhe duke shkaktuar mjerim dhe braktisje masive të qytetarëve të dëshpëruar”, ka vlerësuar Bekteshi për “Bota sot”.

Po ashtu, sipas tij, bashkimi nuk bëhet edhe me shumë probleme në mes të dyja vendeve.

“Bashkimi nuk bëhet kur në mes Kosovës e Shqipërisë ngritët trau si haraç, në autostradën e papërfunduar dhe më të rrezikshmen në Evropë, derisa nuk lejohet import-eksporti i patates dhe domates i dy vendeve tona respektive gjoja në emër të mbrojtjes së prodhuesit, por Rama është tolerant ndaj “miellit të bardhë” qe ‘lulëzon’ dhe lëviz përmes tokës, detit, qiellit, për Ramën, oligarkët, dhe Ballkanin e tij të Hapur”, ka theksuar ai.

Sipas Bekteshit, bashkimi mund të ndodhë kur Rama të ketë ikur dhe të jetë harruar dhe jo kur atë e mbështesin nga Kosova.

“Bashkimi nuk do të ndodh derisa Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe të hapet rruga që ajo të zgjedh ardhmërinë e saj, derisa Shqipëria të hyjë në BE. Bashkimi nuk do të ndodh derisa Ramën e përkrah Rexhep Qosja e akademiku Ramën. Bashkimi nuk do të ndodh derisa ish-ambasadorja Vlora Çitaku vihet në krahë të Ramës, derisa ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ia lavdëron “bashkimin” Ramës, duke tentuar t’ia zgjasin jetën politike, por ato të dyja heshtën kur Thaçi kërkonte këmbim tokash, derisa një pjesë e opozitës në Kosovë me heshtje e mbron Ramën. Por, bashkimi mund të ndodh kur Rama të ketë ikur dhe të jetë harruar përgjithmonë”, ka deklaruar analisti.

Krejt në fund, ai ka thënë se koncepti i Ramës me energji të trazuara e të çoroditura negative vetëm se ia gatuan kulaçin djallit.

“Rituali demagogjik i Ramës me ‘bashkimin’ e prek kulmin e çmendurisë së tij me aventurat absurdit që i përshtatet titullit “Sympathy for the devil” (Simpati për djallin) por që s’ka lidhje me hitin e Rolling Stones, sepse koncepti i Ramës me energji të trazuara e të çoroditura negative vetëm se ia gatuan kulaçin djallit. Por, a i beson kush Ramës, vëllait të Vuçiqit, se ai do të na e sjell ëndrrën tonë shekullore”, ka përfunduar Ramazan Bekteshi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat