“BE favorizon Serbinë”, kështu duhet të veprojë Kosova lidhur me dialogun dhe Borrell-in

Politika

“BE favorizon Serbinë”, kështu duhet të veprojë Kosova lidhur me dialogun dhe Borrell-in

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 19 tetor 2021 Në ora: 17:59
Foto nga dialogu në Bruksel

Aksioni i fundit i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës e shpërfaqi edhe një herë favorizimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.

Zyrtarë të larët të BE-së u shprehen kundër këtij aksioni, pamarre parasysh që u shtri në tërë territorin e Kosovës.

Ishte vetë kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që deklaroi se incidentet duhet të ndalen menjëherë.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka deklaruar Borrell.

Ndërkaq, zëdhënësi për politikë të jashtme i Komisionit evropian, Peter Stano ka deklaruar se aksionet e njëanshme të dëmshme.

“Konteksti i asaj që po ndodhë në veri të Kosovës është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëhet fjalë për koordinim nëse njëra palë vendosë të bëjë diçka në një pjesë me atribute specifike siç është veriu i Kosovës, praktika e zakonshme është të ketë koordinim të afërt me komunitetin ndërkombëtar, me KFOR-in dhe me kolegët nga ana tjetër”, ka thënë Stano.

Deklaratat e tilla nga BE ka kohë që bëhen, duke kritikuar Kosovën e duke favorizuar Serbinë.

Duke qenë kështu, pse duhet Kosova të dialogojë me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i cili as nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur?

Lidhur më këto deklaratë të përfaqësuesve të BE-së, njohësit e çështjeve politike në vend, kanë treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova në çështjen e dialogut të Kosovës më Serbinë.

Hasani: Diplomacia amerikane të kyçet në dialog

Image
Profesori Refik Hasani

Profesori Refik Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar këto deklarata të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se nuk është hera e parë që nga BE dhe përfaqësuesit e saj bëjnë deklarata kundër Kosovës.

“Deklarata e kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe pastaj edhe zëdhënësi për politikë të jashtme i Komisionit evropian, Peter Stano, mbështeti deklaratën e Borrell-it, ishin dy deklarata shumë të dëmshme sepse kanë përkrahur krimin e organizuar dhe tragetin e palejueshme të zhvilluara në Veri të Kosovës e të cilat BE-ja i ka postulate kryesore. Kështu që Borrell e Stano, janë kundër vetë parimeve e rregullave të proklamuara të BE-së. Kjo nuk është hera e parë që nga BE dhe përfaqësuesit e saj kemi deklarata kundër Kosovës, duke e favorizuar Serbinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, BE çdoherë reagon kundër Kosovës por asnjëherë kundër Serbisë.

“Është e vërtetë që nuk është hera e parë që përfaqësuesit nga BE, kanë deklarata kundër Kosovës, duke e favorizuar Serbinë. Në vend të përkrahet Kosova, kështu janë duke u krijuar standard të dyfishta, që janë dhe tregojnë instanca të caktuara të BE-së janë kundër praktikave të veta dhe zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Pse mekanizma dhe instanca të a BE, nuk janë deklaruar asnjëherë mbi diskriminimin e shqiptarëve në pasivizimin e adresave, dhe diskriminimeve të gjitha fushat në krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë që përfshin komuna me popullatë shumicë shqiptare, si: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Pse BE-ja nuk deklaruar me rastin e heqjes së dhunshme të Lapidarit të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që ishte vendosur para objektit të Komunës në Preshevë. Pse BE-ja nuk ka deklaruar me rastin për Referendumin të datë 1 e 2 Marsit 1992,ku të tri komunave që përbëjnë një Krahinë shqiptare në Jug të Serbisë, dhe BE-ja nuk reagon asnjëherë për mos zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit. Ky është fakti që përfaqësues të BE-ës, deklarojnë dhe vetë janë dhe ndërmarrin veprime të njëanshme”, ka theksuar ai.

Më tej, Hasani ka treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova në dialogun me Serbinë pas këtyre deklaratave të përfaqësuesve të BE-së.

“Kosova në dialogun me Serbinë, përveç ndërmjetësimit të BE-së do të duhej të jetë e kyçur drejtpërdrejtë edhe diplomacia Amerikane, përndryshe nuk do të ketë mbyllje të këtyre bisedimeve të stërzgjatura. Praktika po dëshmon se po kalojmë mbi dy dekada dhe Beogradi asgjë nuk zbaton, dhe prapë BE-ja e favorizon Beogradin. Serbia, e kam thënë në një shkrim autorial Serbia është dhe luan rolin mes Rusisë dhe BE-së, prandaj BE-ja nuk do të duhet të vazhdojë të bie në gracka të Serbisë. Serbia dëshiron të luajë kartën sikur në Bosnjë e Hercegovinë, që ai shtet nuk funksionon dhe këta mekanizma të BE-së sa më parë që ta kuptojnë aq më mirë, se Kosova nuk është Bosnjë dhe asnjëherë nuk do të pranojë të bëhet ashtu”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.

Qarri: Kosova duhet të bëjë këtë kërkesë për dialogun

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri ka theksuar se ka ardhur koha që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të ndërmarrin çdo masë të nevojshme diplomatike dhe ligjore, për ndryshimin e kësaj gjendjeje.

“Meqenëse Kosova nën sundimin e kuislingut Hashim Thaçi, i cili edhe statusit tonë shtetëror, pa kaluar një vit i plotë, nga vulosja e pavarësisë me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i vendosi fusnotën dhe ktheu Kosovën praktikisht në "krahinë" të Serbisë, mjerisht bazuar në këtë akt bizar të Thaçit, jo vetëm BE e zëdhënësit e saj, si Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, por edhe vet NATO ende mbajnë qëndrim neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, ndaj ka ardhur koha që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, përfundimisht të ndërmarrin çdo masë të nevojshme diplomatike dhe ligjore, për ndryshimin e kësaj gjendjeje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Qarri ka shtuar se me këto deklarata po bëjnë një precedent të rrezikshëm dhe të padëgjuar deri më tani, në historitë e bisedimeve ndërmjet shteteve.

“Madje përveç futjes së temës për ndarjen e Kosovës, në tavolinën e bisedimeve, nga Thaçi dhe paraardhësja e Borrellit italiania Federica Mogherini, me qortimin e Kosovës nga Borrell edhe për aksionin e ligjshëm të policisë shtetërore kundër krimit dhe kontrabandës, duke i quajtur edhe veprime të njëanshme, po bëjnë një precedent të rrezikshëm dhe të padëgjuar deri më tani, në historitë e bisedimeve ndërmjet shteteve, që ta detyrojë Kosovën ta fus në dialog edhe kontrabandën dhe vetëm me lejen Vuçiqit, të guxojë të ndërmarrë veprime për parandalimin e akteve të kontrabandës dhe krimit të organizuar në territorin e vet shtetëror, gjë që nuk ka ndodhur kurrë dhe askund në botë, deri më tani”, ka vlerësuar ai.

Ai ka përmendur edhe deklaratat tjera që janë bërë lidhur me aksionin e Policës së Kosovës.

“Vetë fakti se aksioni i policisë së Kosovës, ishte në koordinim të plotë edhe me misionin paqeruajtës të NATO-s dhe KFOR-it në vendin tonë, e vërtetuan përfaqësuesit e tyre, duke dalë publikisht në mbështetje të operacionit policor, madje përkrahjen e vet e shprehën edhe ambasada e SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe të gjitha vendeve të QUINT-it, por sikur mos të mjaftonte kundërshtimi arrogant e tepër agresiv i Serbisë, reagime erdhën edhe nga përfaqësuesit e çoroditur dhe mos njohës të pavarësisë së vendit tonë nga Brukseli si Josep Borrell & Co”, ka shpjeguar Qarri.

Më tej, a ka theksuar se nuk ishte hera e parë që nga BE dhe përfaqësuesit e saj e favorizojnë hapur Serbinë.

“Për aq më tepër kjo nuk ishte hera e parë që nga BE dhe përfaqësuesit kontrovers të saj, deklarohen kundër Kosovës, duke favorizuar hapur Serbinë hegjemoniste, të cilët vetëm sa nuk kërkuan botërisht që edhe për parandalimin e krimit e kontrabandës të kërkohet miratimi i Serbisë dhe pa lejen e Vuçiqit, Kosova të mos guxojë t’i luftojë as kontrabandën dhe krimin e organizuar, në territorin e vet”, ka thënë ai.

Në fund, Qarri ka treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë situatë e cila është krijuar pas deklarative të zyrtarëve të BE-së.

“Ndaj duke parë që veçanërisht Josep Borrell ka harruar rolin e tij dhe është kthyer në zëdhënës autentik të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, është momenti i fundit, që Kosova, të paktën pas këtij rasti, të kërkojë zëvendësimin e Josep Borrellit, i cili vërtetë e ka tejkaluar çdo masë dhe sens diplomatik, me ndonjë politikan të afirmuar dhe njohës të mirë të gjendjes nga Gjermania si vend mbështetës dhe njohës i pavarësisë së Kosovës, e të mos pranojë më, të trajtohet në këtë mënyrë kaq fyese e poshtëruese nga të dy përfaqësuesit e BE-së, si Borrell e Lajçak, të cilët jo vetëm që të dy ata, vinë nga dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, por edhe janë shndërruar në zëdhënës të dëgjueshëm të kriminelit Vuçiq dhe pas çdo telefonate të tij, në Bruksel, Borrell dhe Lajçak sillen dhe veprojnë, jo si ndërmjetësues të bisedimeve, por si ambasador të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, në BE”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat