SHBA dhe BE “shuplakë” Borrellit/Analistët tregojnë kush janë kokat e krimit në veri të Kosovës

Politika

SHBA dhe BE “shuplakë” Borrellit/Analistët tregojnë kush janë kokat e krimit në veri të Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 tetor 2021 Në ora: 10:03
Josep Borrell

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dalë më një deklaratë të përbashkët për situatën e krijuar javëve të fundit në Kosovë.

Këto të fundit i kanë dalë në krah Kosovës, duke e mbështetur në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. 

“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Gjithashtu, SHBA-të dhe BE-ja kanë inkurajuar palët që të angazhohen në zbutjen e tensioneve.

“Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një shtensionim të qëndrueshëm dhe të evitojnë veprimet, të cilat kërcënojnë stabilitetin”, thuhet në këtë deklaratë.

Por, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell, ditë më parë nuk e ka pasur këtë mendim sikurse të BE-së dhe të SHBA-ve. Ky i fundit, disa ditë pasi u zhvillua ky aksion që u përfshi në disa qytete të Kosovës, u shpreh se ishte i “njëanshëm” nga pala e Kosovës.

Ndërkaq, njohës të çështjeve politike dhe juridike, janë shprehur se deklarata e përbashkët e BE-së dhe e SHBA-ve është e drejtë. Ndërkaq, sa i përket deklaratës së Borrell-it, ata shprehen si ai ka treguar anshmëri.

Burjani: Borell kishte anuar

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se duhet kuptuar se lufta kundër kontrabandës nuk është politike.

“Është e drejtë elementare e cilido shtet në botë ta luftojë kontrabandën. Kjo është e qartë për të gjithë, krimi nuk ka nacionalitet, andaj këtë duhet kuptuar se kjo nuk është politikë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka e ka komentuar edhe deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell.

“Borrell kishte anuar ka Serbia në një deklaratë politike. Kishte harruar se rendi dhe ligji është diçka tjetër”, ka deklaruar Burjani për ”Bota sot”

Kelmendi: Krimi nuk ka komb

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e SHBA-ve dhe e BE-së lidhur me aksionet e organeve të Kosovës në veri të vendit është shumë e qëlluar.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kontrabandës e veprimeve tjera kriminale, janë të dënuara nga çdo shtet demokratik në botë. Deklarata e SHBA-ve dhe e BE-së lidhur me aksionet e organeve të Kosovës në veri të vendit është shumë e qëlluar dhe e drejtë. Ajo tregon se Kosova ka drejtë”, është shprehur ai.

Me tej, Kelmendi ka nënvizuar se këtë aksion të organeve të Kosovës Borrell i ka cilësuar se të "njëanshme".

“Kriminelet i sulmuan organet e Kosovës me armë të zjarrit, me granata të dorës e me mjete tjera. Sulme pati edhe kundër popullsisë civile, mjeteve të informimit dhe subjekteve tjera. Kundër krimineleve dhe kontrabandisteve u veprua në veri me mjete ligjore dhe me kufizime demokratike. Këtë e përkrahën forcat liridashëse, përveç krimineleve të Beogradit, shteti ruse dhe z. Borrell që i cilësoi si të "njëanshme". Tash po del se shteti i Kosovës ka të drejtë ta ruajë rendin dhe sigurinë në vend, sikurse edhe të luftojë çdo dukuri që rrezikon rendin e vendit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka theksuar se koka e krimit në veri janë Vuçiç, Daçiç dhe Vulin.

“Kriminelët serbë në veri janë të organizuar nga Beogradi. Koka e krimit është Vuçiq, Daçiç dhe Vulin. Këta duhet dënuar. Ndërsa, brenda në Kosovë shteti kërkohet të merr masa dhe mos të zbrazet ndaj askujt, pavarësisht fuqisë që e ka”, ka cekur ai.

Më tej, ai ka shtuar se deklarata e përbashkët e  ShBA-ve dhe BE-së tregon domosdoshmërinë e intensifikimit të luftës kundër krimit.

“Prapa është SHBA dhe UE. Kjo tregon domosdoshmërinë e intensifikimit të luftës kundër krimit. Në luftën e tillë nuk ka rëndësi vendi dhe përkatësia nacionale. Krimi dhe kontrabandizmi nuk kanë kombe. Atyre iu intereson vetëm fitimi. E këtu shteti duhet të tregohet i guximshëm dhe të veprojë. Nuk ka forcë  në botë që e kundërshton luftën e drejtë të Kosovës  kundër krimit, banditizmit e kontrabandës Kjo po vërehet edhe me përkrahjen e madhe që e dhanë tash SHBA-të dhe BE-ja”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat