“Lista e vrasjeve” nga “Syri i Popullit” dhe e vërteta për krijimin e saj! Ish-agjenti i SHIK-ut ‘zbulon’ emrat: Ja kush duhet të arrestohet!

Politika

“Lista e vrasjeve” nga “Syri i Popullit” dhe e vërteta për krijimin e saj! Ish-agjenti i SHIK-ut ‘zbulon’ emrat: Ja kush duhet të arrestohet!

Nga: N.Sh Më: 23 tetor 2021 Në ora: 12:10
Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi dhe Ali Ahmeti

Dy dëshmitarë të rrejshëm, që janë pjesë e AKI-së, kanë dëshmuar në rastin “Syri i Popullit”.

Ky rast, i publikuar të premten në mediat tona, nga avokati Arianit Koci, po cilësohet si skandali më i madh në Kosovën e pasluftës.

Në këtë skandal ishte përfshirë Prokuroria bashkë me AKI-në, derisa rasti i “Syrit të Popullit” ishte rast politik, ku aty u akuzuan shumë emra të shquar të LVV-së, e njëri prej tyre edhe ishte mbajtur në burg.

Agjentët e rrejshëm të AKI-së!

Image
AKI

Një hulumtim i publikuar në media ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.

Në janar të vitit 2018, Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Këtë e kanë thënë dy agjentët e AKI-së të cilët kanë raportuar para eprorëve të tyre rreth këtij rasti.

Ramabaja: Sylë Hoxha e Driton Gashi, për 20 vite e kishin mbajtur Republikën peng

Image
Sadri Ramabaja

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, ndaj të cilit dëshmuan rrejshëm në gjykatë dy agjentë të AKI-së, ka thënë se “po fillon zbërthimi i krimit shtetëror” pas publikimit të skandalit.

Dëshmitarët kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë pikërisht kundër Sadri Ramabajës, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Rambaja, në një reagim publik të premten tha se regjisori real i skandalit “është në krye të Republikës”.

“Në fjalën time të mbrojtjes pata potencuar se rasti ndaj meje është tërësisht i montuar dhe se regjisori real është në krye të Republikës. Fatkeqësisht, ai dhe krerët e SHIK-ut, tok me lakejt e tyre me emrat Sylë Hoxha, Driton Gashi, për 20 vite e kishin mbajtur Republikën peng”, tha Ramabaja.

Miftari: “Syri i Popullit” u krijua nga Thaçi, Veseli dhe Reçica

Image
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Në lidhje me krijimin e “Syrit të Popullit”, dhe përgatitjen gjyqësore të kësaj organizate të quajtur kriminale, ka reaguar edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thotë se, “Syri i Popullit” është prodhim 100% i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ilmi Reçicës dhe AKI-së, që sipas tij, AKI është agjenci private politike e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“”Syri i Popullit” është formuar nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ilmi Reçica, AKI, dhe SHIK-u. Qëllimi ishte që të goditet Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, Glauk Konjufca, Sadri Ramabaja... Qëllimi final ishte eliminimi i kundërshtarëve politik, duke i shpallur terroristë dhe kriminela. E kam thënë edhe më herët se lodra e SHIK-ut, Sylë Hoxha, dhe AKI-ja kanë gënjyer dhe kanë montuar dëshmitarë në rastin në fjalë. Bëhet pyetje se ku gjendet sot dëshmitari, i burgosuri që e etiketuan Avni Llumnicën si dhunues, plus dëshmia e Hashim Thaçit, Veseli, Grabovcit e Halitit... tregon se qëllimi ishte edhe devalvimi i librit të Murat Jasharit, i cili bëri akuza kundër klanit Pronto”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Informatori brenda “Syrit të Popullit”

Image
Naim Miftari

Miftari tregon se agjentët e AKI-së kanë dëshmuar rrejshëm dhe AKI-ja ka pasur një informator në grupin e të akuzuarve, i cili ka manipuluar Murat Jasharin duke e shfrytëzuar sëmundjen e tij.

“Unë e kam njohur Murat Jasharin, e kam takuar disa herë dhe them me plotë seriozitet se në atë kohë nuk kishte as lista e as plane për vrasje. Kush ia futi pastaj listat dhe pse nuk e detyruan të vrasin Thaçin, Veselin, Grabovcin apo Halitin, por e zgjedhin viktimë pa pritur Azem Vllasin, i cili 30 vitet e fundit nuk kishte kurrfarë roli politikë e as ekzekutiv? Këtë duhet Thaçi, Veseli, Reçica... me jep përgjegjësi derisa kishin informacione nga AKI se dikush kinse po donë me i vra disa ditë ose javë më herët. Pse nuk e lajmëruar Azem Vllasin, sikurse këta të tjerët që të ruhej nga atentati? Qëllimi pra ishte që Muratin ta lanë pirjet në burg dhe të etiketohej LVV si organizatë terroriste dhe kriminale”, potencon Miftari.

Miftari theksons e, Sylë Hoxha kur ishte prokuror në Prizren kishte deklaruar disa vite më herët se kur ishte pyet për vrasjen politike të Komandant Drinit në TV publikisht, se kur shteti vret nuk gjinden kurrë urdhërdhënësit e as vrasësit.

Miftari: Deshën të më implikojnë edhe mua me “Syrin e Popullit”

Image
Ilustrim

Sipas Miftarit, këtu Hoxha e kishte fjalën për SHIK-un.

“Një shtet si Kosova që pretendon të hyjë në BE, me gjykata e Prokurori demokratike, për vrasjen e shtetit pa gjyq qenka e lejuar. Kështu është sikur të jetosh në Koren e Veriut. Në vitin 2018 ku Prokuror kishte dashur të më implikon edhe mua në rastin e “Syrit të Popullit”, dhe unë nuk e kam mohuar kurrë se e njihja dhe që kisha raporte shoqërore me Murat Jasharin, pasi kisha respekt për vëllain e tij, dëshmorin komandant “Kumanova”. Pra pasi kisha bërë një vit me punë në Gjermani, Sylë Hoxha në mungesën tonë kishte dërguar kinse një thirrje të paraqitem në Prokurori, kishte dërguar dhjetëra polic special të maskuar me armë të gjata dhe ishin futur në oborrin e shtëpisë time, e cila ishte e zbrazët pasi edhe ashtu ka dhjetëra vite që ne jetojmë si familje në perëndim. Prandaj edhe sot e pyet se çfarë deshi që me dhjetëra Polic të Njësisë Speciale në Kodrën e Trimave, a dëshironte të më arreston edhe mua pasi kishte marr urdhra nga bossët i tij, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që të më eliminon si kundërshtarët politik përmes procesit të montuar “Syri i Popullit” apo çka i futën Policinë e maskuar në oborrin e shtëpisë edhe pse e dinin mirë se që një vit isha jashtë me punë?”, pyet Miftari.

Miftari thotë se AKI-ja është agjenci private e PDK-së, ndërsa më pak e LDK-së dhe AAK-së.

“Të arrestohen Aleksandër Lumezi, Sylë Hoxha dhe disa ish-drejtorë të AKI-së”

Image
Aleksandër Lumezi

“Pronarët e saj janë Thaçi, Veseli dhe Reçica. AKI-ja iu shërben edhe sot vetëm për t’i spiunuar kundërshtarët e mafias politike, automatikisht duhet me u pastru ky shërbim dhe me u arrestu montuesit e proceseve të montuara politike dhe të konkurrentëve në biznese, si dhe me u shkarku dhe me u arrestu Aleksandër Lumezi, Sylë Hoxha dhe disa ish-drejtorë të AKI-së. Përndryshe të gjithë ishin vetëm lodra të Thaçit dhe duhet të shkarkohet edhe Burim Ramadani, kukulla e vendosur në atë pozitë në AKI nga Thaçi e Ramush Haradinaj. AKI-ja sot nuk mbron interesin nacional, por mbron bossat e vet, bossat politikë të krimit të organizuar dhe duhet të pastrohet nga nipa e dajë, kushëri e dashnore, si dhe nga gratë e këshilltarëve e servilëve të bossave politikë”, potencon ai.

Miftari tregon se si janë spiunuar dëshmitarët e rrezikshëm për “Pronto mafinë”.

“Klani Pronto, Thaçi, Veseli... përmes AKI rregullisht i kanë spiunuar dëshmitarët e rrezikshëm për Pronto mafinë, dëshmitarë të Gjykatës Speciale dhe të tjerët. Prandaj disa dëshmitar kyç edhe janë vra nga autorët e panjohur deri sot, ose kanë vdekur befasishëm nga “Covid-19”, ose nga ‘sulmet në zemër’ apo kanë pas ndeshje në komunikacion. Pra, AKI me urdhër nga shefat e tyre real politikë, ka punuar natë e ditë kundër Gjykatës Speciale. Kjo agjenci nuk mundi të zbuloi midis Prishtinës që në OVL-UÇK, postierët e UDB-SHIK-ut i dërgojnë kinse dosje komprometuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe kundër Gjykatës Speciale”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, AKI ka të drejtë me ligj dhe rregullore t’i pajisë agjentët me identitete fiktive, por pas përfundimit të misionit, ato identitete fshihen nga sistemi.

Në rastin konkret, identitetet e tyre janë ende aktive. Sipas Ligjit për AKI-në, puna e agjentëve përfundon me rastin e dorëzimit të raporteve në Prokurori apo tek kryeministri.

Këto raporte nuk janë dhe nuk mund të përdoren si prova materiale në Gjykatë.

Në rastin e misionit të “Syrit të Popullit” në janar të vitit 2018, atyre u ishin dhënë identitete fiktive. Me ato identite ishin prezantuar si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë.

Thaçi: Kurti, Ramabaja e Konjufca qëndrojnë prapa “Syrit të Popullit”

Image
Hashim Thaçi

Gjatë disa viteve sa ishte në “skenë”organizata “Syri i Popullit”, kishin ndodhur mjaftë shumë zhvillime për të.

Madje edhe krerët më të lart politik në Kosovë, kishin dëshmuar dikush si dëshmitar e disa të tjerë si të akuzuar.

Në bankën e dëshmisë ishte ulur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte akuzuar LVV-në për këtë organizatë.

Hashim Thaçi, në dëshminë e tij, kishte deklaruar se prapa organizatës “Syri i Popullit”, qëndron kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca.

Ai këto komente i ka bërë në seancën gjyqësore ndaj rastit “Syri i Popullit”, ku ishte ftuar si dëshmitarë.

"Më herët kam pasur indikacione prej autoriteteve që prej nxitësve të miqve të Kosovës që kanë ardhur prej Serbisë ka pasur kanosje. Kanosje e vërtetë ka qenë prej organizatës "Syri i popullit". Jam informuar prej autoriteteve shtetërore, prej mekanizmave, ditë më parë para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi. E kemi përjetu rëndë unë edhe familja ime. Po unë e njoh Sadri Ramabajën. Nuk e njoh Murat Jasharin, por kam dëgju për të. Mbrapa kësaj organizate qëndrojnë Sadria, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti. Për mua nuk ka qenë shqetësuese vlerësimi por kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje. Janë fjalë që i kam dëgjuar me veshët e mi, nga Glauk Konjurfca në një seancë në kuvend, që këta njerëz duhet me i vra, dhe pastaj ka ndodhur rasti”, kishte thënë Thaçi.

Ramabaja: Thaçi e Veseli krijoi “Syrin e Popullit”

Image
Sadri Ramabaja

Por ndryshe nga Thaçi kishte deklaruar Sadri Ramabaja.

Në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari, Sadri Ramabaja ka deklaruar se një asnjë rrethanë nuk ka qenë pjesë e takimeve të organizatës “Syri i Popullit”.

Sipas tij, këtë organizatë e kanë krijuar Shërbimi Informativ i Kosovës, konkretisht Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Ramabaja derisa dëshminë e Hashim Thaçit e ka konsideruar si shpifje tha se ky proces po tregon se “shteti është kundër Vetëvendosjes”.

Ai tha se më së shumti e ka goditur heshtja e Lëvizjes Vetëvendosje karshi rastit të organizatës “Syri i Popullit” dhe akuzave ndaj anëtarit të tyre.

“Organizatën fiktive “Syri i Popullit” me gjasë reale e ka krijuar SHIK-u pra dyshja Thaçi-Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre që në Kosovë më shumë ndihen si klani Pronto . Intenca këmbëngulëse për të ta lidhur “Syrin e Popullit” me Vetëvendosjen shpjegon çdo gjë. Akuzat ndaj meje të dyshes Thaçi-Veseli  dhe të zgjeruara tashmë në gjykatë me këto të dhëna me shkrim tek prokurori nga ana e Thaçit  jo vetëm për mua por edhe për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcen duke sjell si provë deklaratën e tipit banal  e kam dëgjuar vetë kur Albin Kurti i ka thënë  Glaukut se këta duhet eliminuar e dëshmojnë katërçipërisht pohimin e kahershëm të Dilaver Goxhait se Syri i Popullit është krijuar nga Kadri Veseli dhe vartësitë e tij të SHIK-ut. Procesi i montuar tërësisht  e ndërkohë i koduar edhe emri shteti kundër  “Syrit të Popullit, që në fakt po rezulton të jetë shteti kundër Vetëvendosjes dhe kundër meje. Intenca që ta lidhin me Vetëvendosjen tregon shumë. Organizatës ‘Syrit i Popullit’ i mungonte koka dhe klani Pronto përmes Prokurorisë Speciale ishte vënë në kërkim të kokës. Unë me bindjen time mbetem socialdemokrat ashtu besoj se do të mbetet edhe Vetëvendosje. Ndërsa ky proces i cili u tha se është shteti kundër ‘Syrit të Popullit’ më shumë po del të jetë si shteti kundër Vetëvendosjes”, ka theksuar në fjalën e tij përmbyllëse Ramabaja.

Jashari: Unë e bëra listën e vdekjes

Image
Murat Jashari

Avokati Asdren Bytyqi që përfaqësonte të akuzuarin, Murat Jashari ka thënë se ekipi i ekspertëve të forenzikes të psikiatrisë ka rekomanduar që për shkak të situatës shëndetësore të trajtohet në shtetin e Zvicrës.

Megjithatë Jashari e pranon se “listën e vdekjes” e ka bërë ai, por që nuk ia ka dhënë askujt ta lexojë.

“Listën se kush duhet me u vra dhe varë e kam bërë unë. Askujt nuk ja kom jep me lexuar. I kam shkruar disa letra, këta në sallë nuk kanë pasur të bëjnë me planet e mija”, ka thënë ai.

Hoxha: “Syri i Popullit” ka pasur plan operativ

Image
Sylë Hoxha

Prokurori i rastit në atë kohë, Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare tha se shqyrtimet gjyqësore është vërtetuar se organizata “Syri i Popullit”, ka pasur një plan operativ për të vepruar në vrasjen e personaliteteve të larta shtetërore, për shkak se sipas tyre, kishin qenë tradhtar të luftës dhe votave të qytetarëve të Kosovës.

“Jemi të gjithë të bindur se organizata kriminale ‘Syri i Popullit’ ka pasur një plan operativ i ka caktuar njerëzit se si kanë me punua dhe veprua nuk është kontestua fakti se është marr vendim që të organizohet ky plan operativ me personalitet të sistemit të kaluar të sistemit aktual të komandantëve të luftës të cilët gjithnjë sipas plan program të kësaj organizate i kanë tradhtuar interesat e luftës dhe votave të popullit të Kosovës”, tha Hoxha.

Veseli: “Syri i Popullit” është “plehu i kombit”

Image
Kadri Veseli

Edhe Kadri Veseli kishte dëshmuar për “Syrin e Popullit”. Veseli i cili ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, ka varguar një numër akuzash në drejtim të tyre.

Veseli e kishte quajtur këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës.

“Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, kishte theksuar Veseli në gjykatë.

Duke folur për letrat të cilat ishin shkruar në emër të të akuzuarit kryesor, Murat Jashari, Veseli, emri i të cilit figuron në një listë të pretenduar të kësaj organizate për likuidim, kishte pohuar se Jashari nuk është autor i atyre letrave.

“Murati s’din me shkrujt, krejt ja ka shkrujt Sadri (Ramabaja). Sadrinë asnjëherë se kam pa, shkrimet i ka shkrujt ai”, tha Veseli.

Kurti e Konjufca padisin Thaçin e Veselin

Image
Albin Kurti dhe Glauk Konjfuca

E për deklaratat e Thaçit dhe Veselit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bashkë me Glauk Konjfuca kishin dorëzuar padi në Pallatin e Drejtësisë.

Ata kanë paditur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli se kanë shpifur në deklaratat e tyre në seancën e ‘Syrit të Popullit’.

Kurti ka thënë se Thaçi e Veseli dhanë deklarata të rreme, derisa ishin betuar për të thënë të vërtetat.

“Me rastin e kallëzimit penal, këtu në prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda kundër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar në procesin gjyqësorë, kundër të ashtuquajturit organizatë Syri i Popullit, me rastin e sublimit që kanë bërë këta dy krerë institucionesh kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës. Ata kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe këtë e kanë bërë nën betim prandaj ne po bëjmë sot kallëzim penal”, kishte thënë Kurti.

Kurse, Konjufca kishte theksuar se dyshja kanë shpifur me tendencën politike që përmes kontrollit të drejtësisë të luftojnë Vetëvendosjen, si përpjekje për ta eliminuar atë.

“Ata pretendojnë se jemi lidhur me një organizatë terroriste. Presidenti ka thënë dhe ka urdhëruar gjykatat që të zgjerojnë akuza në drejtim të Albinit dhe meje. Ai përmes sistemit të drejtësisë ka dashur të godas kundërshtarët politik”, kishte thënë Konjufca.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, akuzohen se më 15 maj 2017, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës se Kosovës.

I pandehuri Avni Llumnica ishte gjetur fajtor në pretendimet e prokurorisë i cili me dashje, që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica ishte gjetur fajtor edhe për veprën penale të sulmit seksual, për kohën kur është dërguar në qendrën e paraburgimit, duke u dënuar me dënim unik 12 vjet burgim.

Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burgim, Halim Halimi 3 vjet, Behxhet Luzha ishte dënuar me 2 vjet, Bajrush Konjusha me 3 vjet, Rexhep Toplana 2 vjet.

Gjykata kishte gjetur fajtor edhe Murat Jasharin, por për shkak të gjendjes shëndetësore të tij ai ishte vendosur të dërgohet për mbajtje në trajtim të detyrueshëm psikik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh, ndërsa ishte refuzuar aktakuza ndaj Sabit Berishës dhe Lirije Luzhës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat