Skandali në AKI, flet eksperti i sigurisë, tregon si duhet vepruar

Politika

Skandali në AKI, flet eksperti i sigurisë, tregon si duhet vepruar

Nga: G.B Më: 23 tetor 2021 Në ora: 16:04
AKI

Ditë më parë është arrestuar një ish-punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI),nën dyshimin se ka zbuluar informacione që rrezikuan sigurinë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se M.K dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i dyshuari ka vepruar me motive të dyshimta, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe zbuluar informacion të klasifikuar, andaj me këto veprime dyshohet se personi i lartcekur ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës.

Image
Drizan Shala

Lidhur me këtë, për gazetën "Bota sot" ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai ka thënë se në mekanizmat e sigurisë për mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve, ka hapësirë që individët të keqpërdorin autorizimet e tyre.

"Në çdo mekanizëm të sigurisë që fushëveprimin e ka mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve qoftë ne rajon, qoftë edhe me gjerë, ka hapësirë që individët të caktuar të mund të keqpërdorin autorizimet e tyre në fushën e detyrave që i kanë", është shprehur ai.

Sipas Shalës, në rastin e AKI-së ajo ka mekanizmin e saj të brendshëm dhe ka arritur që ta ndalojë cenimin e punës së institucionit.

"Por në rastin konkret mund të themi që AKI ja ka mekanizmin e saj të brendshëm dhe ka arritur që të ndalojë cenimin e punës së këtij institucionit përmes identifikimit të rrezikut. Pra duhet në të ardhmen të krijohet një agjension të ri i cili ka për detyrë mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara", ka deklaruar Drizan Shala për "Bota sot".

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat