Padrejtësia e BE-së për qytetarët e Kosovës, ja nga kush varet liberalizimi i vizave

Politika

Padrejtësia e BE-së për qytetarët e Kosovës, ja nga kush varet liberalizimi i vizave

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 23 tetor 2021 Në ora: 20:47
Foto ilustrim

446 milionë njerëz jetojnë në territorin e asaj që njihet si Bashkimi Evropian. Ky institucion evropian ende nuk ka vendosur që tu japë liberalizimin e vizave edhe 1.8 milionë banorëve të Kosovës.

Tash ku po bëhen një dekadë që kur ka nisur ky proces, BE-ja ende nuk ma marrë ndonjë hap konkret për të çuar përpara këtë proces.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën theksohet se “Qytetarët e Kosovës janë të vetmit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ju nevojitët një vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Procesi për liberalizimin e vizave ka nisur në vitin 2012. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret drejt rrugës për liberalizimin e vizave dhe i rekomandojmë Këshillit dhe Parlamentit Evropian të ecë përpara me propozimin për liberalizimin e vizave. Komisioni vazhdon të qëndrojë pas deklaratës të korrikut 2018. Parlamenti Evropian, në të kaluarën dhe në legjislaturën e tanishme, ka votuar në favor të propozimit të Komisionit, por kjo e fundit është ende në pritje të Këshillit”.

Se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, e ka ripërsëritur muaj më parë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Kam shpresuar që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Gjermania do ta kemi në agjendë këtë çështje sepse të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës, sepse ka ende disa anëtarë të këshillit që hezitojnë”, tha Von Cramon.

Ajo kishte theksuar se Bashkimi Evropian nuk i ka bërë detyrat e veta.

Për këtë arsye BE-ja po e humb kredibilitetin në këtë rast. Është koha që BE-ja të kryej detyrat e veta. Kushtet janë përmbushur dhe Kosova duhet të marrë liberalizimin”, deklaroi muaj më parë në Prishtinë, Cramon.

Por, pse Kosova ende nuk ka liberalizim vizash dhe kur mund të ndodhë një gjë e tillë?

“Bazat e Lajçak dhe të Borrell”

Për gazetën “Bota sot” profesori Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, madje më mirë se disa shtete të tjera që kanë liberalizim.

Kelmendi thekson se fakti i mosliberalizimit lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, madje sipas tij kjo edhe është baza kryesore e mosliberalizimit të vizave.

Për liberalizim të vizave ndaj Kosovës nuk shkatërrohet Republika, çështja e liberalizimit të vizave nuk rrjedh nga mos përmbushja e kërkesave të paraqitura për liberalizim. Si qeveritë e kaluara, ashtu është kjo, fare nuk kanë përgjegjësi për mos liberalizimin e vizave ndaj Kosovës. Të gjitha kushtet i ka plotësuar Republika. Madje shumë më mirë se të gjitha Republikat tjera të Ballkanit Perëndimor që e kanë liberalizimin e vizave. Fakti i mos liberalizimit nuk lidhet me asnjë çështje të brendshme. Nuk është as krimi dhe as korrupsioni. Nuk ishte as vija kufitare me Malin e Zi. Fakti i mosliberalizimit lidhet drejtpërdrejtë me dialogun Kosovë-Serbi. Këtu është baza kryesore e mosliberalizimit të vizave dhe këtu lypet dhe qëndron shkaku kryesor i mosliberalizimit”, tha ai.

Më tej, Kelmendi potencoi se liberalizimi do të varet nga dialogu me Serbinë, prandaj nëse ndërpritet ky dialog, atëherë nuk do të ketë as liberalizim.

Mirëpo, sipas tij, në dialog shkohet për të mbrojtur Republikën, andaj nuk duhet bërë kompromise që e dëmtojnë shtetin.

Tash po vazhdon dialogu me shtetin kriminal serb. Nga ky dialog do të varet liberalizimi. Nëse shkon dialogu në rrugën e UE, vjen edhe liberalizimi. Dhe anasjelltas, nëse ngadalësohet ose ndërpritet dialogu, nuk ka as liberalizim të vizave edhe një kohë. Sa nuk dihet! Mirëpo, Kosova në dialog nuk shkon për liberalizim të vizave. Në dialogim duhet mbrojtur Republikën e organizimin e saj të brendshëm. Asnjë kompromis nuk duhet bërë ku dëmtohet organizimi i pushtetit dy shkollës brenda vendit. Kuptohet se tërësia territoriale është e paprekshme. Për mua nuk ka Kosovë pa Ujman, Mitrovicë dhe Trepçë. Në çfarëdo transaksioni politik me territore këto tri qendra janë të paprekshme”, shtoi Kelmendi.

Tutje, profesori ka thënë se Kosova i ka përcaktimet e veta në dialog, përfshirë edhe njohjen reciproke.

Ndërsa, sipas Kelmendit, Lajçak dhe Borrell kanë bazë asociacionin serb dhe marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, ndërsa temat e tjera të Kosovës nuk janë të tyre.

Në dialog i ka Kosova përcaktimet e veta të dialogimit, është gjetja e të zhdukurve, përgjegjësia penale e krimit gjenodicial serb, dëmshpërblimi dhe rikthimi i mjeteve financiare të grabitura në Kosovë. Këtu duhet përmendur edhe njohjen reciproke. Nuk ka asnjë temë për dialogim jashtë këtyre çështjeve. Këtej nuk ka shumë besim se do të kemi liberalizim. Përfaqësuesit e UE si Borrell dhe Lajçak janë të mendimit tjetër. Ata kanë dy baza: 1. Asociacionin serb dhe 2. Marrëveshjen për shkëmbim të territoreve. Temat tjera të cilat i ka Kosova nuk janë tema të tyre. Është vështirë që mbi atë bazë të ketë dialogim të suksesshëm. Këtu është edhe baza kryesore e liberalizimit. Prej këtyre varet dialogu dhe liberalizimi”, ka përfunduar ai.

“Diskriminim ndaj qytetarëve”

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti, ka potencuar se nga kjo është zbehur edhe besimi i qytetarëve për politikat e BE-së.

Image
Hidajet Ahmet

Madje sipas tij, qytetarët këtë më shumë e shohin si funksion brenda kornizave politike.

Mendoj se po ndodhë një diskriminim i pashembullt ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo logjikë diskriminuese e BE-së, ka zbehur besimin e qytetarëve për politikat e BE-së në raport me shtetet e dobëta. Perceptimi qytetar për këtë diskriminim të qytetarëve të Kosovës më shumë shihet si funksionim brenda kornizave politike e jo kritereve objektive të vendosura nga BE”, deklaroi Hidajet Ahmeti për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat