Analisti: Ata që mund të rrezikojnë sigurinë tonë, duhet të shpallen non grata

Politika

Analisti: Ata që mund të rrezikojnë sigurinë tonë, duhet të shpallen non grata

Nga: A.SH Më: 23 tetor 2021 Në ora: 21:31
Foto ilustrim, flamuri i Kosovës

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme, me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shpallur “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.

Madje në shkrimin e saj, presidentja ka thënë se çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend, institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë.

"MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse. 

I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend".


Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi në një pronocim për "Bota sot", ka thënë se kjo është e rregulluar me ligj dhe se institucionet tona nëse dyshojnë apo kuptojnë se këta dy persona apo dikush tjetër po merret me ndonjë veprimtari të dyshimtë, atëherë shpallen persona non grata.

Image
Islam Krasniqi

 


"Kjo çështje është e rregulluar me ligj, nëse dyshohet se nuk janë të dënjuar për të qëndruar në vendin tonë dhe atëherë kur institucionet tona dyshojnë apo kuptojnë se këta dy persona apo dikush tjetër po merret me ndonjë veprimtari të dyshimtë, atëherë shpallen persona  non grata, duhet të largohen nga vendi jonë dhe tu ndalohet hyrja apo kalimi i kufirit për në republikën tonë", ka thënë ai. 

Sipas tij, kjo bëhet me mbështetje të aleatëve tanë që t'i shpallim si persona të padëshiruar sepse ata mund të rrezikojnë sigurinë tonë.

"Institucionet tona për veprime të tilla duhet të konsultohen me ambasadorët e Quintit dhe të Zyrës së BE-së, që të kemi edhe mbështetje e tyre pasi që ata i kemi miq të cilët kontribuan dhe po kontribuojnë akoma në shtetëndërtimin e Republikës tonë. Prandaj, me mbështetje e aleatëve mund t'i shpallim si persona të padëshiruar sepse ata mund të rrezikojnë sigurinë tonë gjithashtu edhe të miqëve tanë duke e ditur se Rusia ka filluar shtrirjen në Ballkanin perëndimor", përfundon Islam Krasniqi për "Bota sot".

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat