Gara e ashpër në 21 komuna në balotazh/A do të ketë koalicione ndërmjet partive politike?

Politika

Gara e ashpër në 21 komuna në balotazh/A do të ketë koalicione ndërmjet partive politike?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 tetor 2021 Në ora: 10:32
Zgjedhjet në Kosovë, 17 tetor 2021

Një javë më parë janë mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë dhe në 17 komuna janë shënuar fitore të partive, ndërsa 21 komuna do të përballen në raundin e dytë.

Në këto zgjedhje lokale që janë mbajtur më 17 tetor, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë në raund të parë. Lista Serbe ka fituar nëntë komuna.

Fitore në raundin e parë janë shënuar në: Deçan (AAK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaji (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).

Ndërkaq, në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtime (PDK-LVV), Rahovec (AAK-LVV), Fushë Kosova (LDK-LVV), Obiliqi (IQO-LVV) dhe Kaçanik (PDK-LVV).

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë KQZ-ja duhet të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Sipas këtij Ligji, raundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë. Sipas kësaj llogaritje, zgjedhjet lokale do të mbahen më 14 nëntor.

Ndonëse raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet pas tre javësh (14 nëntor), partitë politike ende nuk janë deklaruar nëse do të bashkohen në koalicione, për të përkrahur ndonjë parti apo tjetrën në këto zgjedhje të raundit të dytë.

Njohësit e ҫështjeve politike kanë vlerësuar koalicionet e mundshme ndërmjet partive politike, pas këtyre rezultateve të zgjedhjeve nga raundi i parë.

Zeqa: Balotazhi betejë mes pushtetit dhe opozitës

Image
Florim Zeqa

Kështu, analisti politik Florim Zeqa e ka quajtur balotazhin ‘betejë mes pushtetit dhe opozitës’. Mirëpo, ai thotë po ashtu se edhe këtë herë ka ndodhur shit-blerja e votave në orët e mbrëmjes.

“Sikurse në të kaluarën, edhe në këto zgjedhje partitë politike nuk e harruan zanatin e tyre të vjetër, atë të shit-blerjes së votës dhe mbushjes së kutive të votimit në orët e mbrëmjes! Sikurse herëve të tjera edhe kësaj radhe parashikimet e mia parazgjedhore dolën të jenë të plotësisht të sakta. Edhe pse KQZ-ja ende nuk e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit, brenda partive politike kanë filluar ethet e koalicioneve, pasi shumica e komunave shqiptare të Kosovës shkojnë në raundin e dytë apo siç po i thonë në zhargonin politik, balotazh për nxjerrjen e kryetarëve të rinj komunal”, thekson Zeqa.

Ai thotë po ashtu se rezultati i zgjedhjeve të 17 tetorit, përveçse nuk është fitore e partive politike siç e pretendojnë, mund të shkaktojë përmbysje të rezultatit në shumicën e komunave, thyerje shpirtërore të elektoratit dhe kosto të lartë financiare për buxhetin e varfër të shtetit të Kosovës.

“Ndryshe, balotazhi, përveçse përballje mes rivalëve politikë, do të sjellë përballje direkte mes pushtetit dhe opozitës; që i bie se partitë opozitare të pushtetit qendror do të mobiliozohen për lidhje të koalicioneve në mes tyre për përfituar sa më shumë pushtet (komuna) në nivelin lokal! Njerëzit që kanë tendencë për të premtuar shumë, njashtu kanë tendencë edhe për të harruar shpejt. Mbajtja e premtimeve të subjekteve politike fillon nga mbajtja e vijave programore, profileve politike dhe ideologjike”, vlerëson ai.

Zeqa më tutje thotë se ‘subjekte serioze politike konsiderohen ato subjekte që mbrojnë parimet dhe pikëpamjet e tyre politike të deklaruara gjatë fushatës zgjedhore. Po ashtu politikanë të sinqertë dhe serioz mbesin ata që u qëndrojnë besnik fjalëve të tyre, që sakrifikojnë poste e privilegje për mbrojtjen e interesave te popullit dhe vendit të tyre’.

“Lidhja e koalicioneve do të vije jo si dëshirë por si domosdoshmëri për marrjen apo mbajtjen e pushtetit, me çka dhënia e premtimeve elektorale dhe mbajtja e linjave programore mbeten vetëm një mashtrim ndaj elektoratit dhe kontrabandim i votës së lirë. Të qenët opozitë e fortë, është të qenët kujdestar i përhershëm i gabimeve të pozitës, i mbrojtjes së ligjshmërisë dhe interesave vitale të qytetarëve të vendit. Respektimi i verdiktit të popullit është shprehje e nivelit të demokracisë dhe vlerave universale të të drejtave të njeriut. Parime këto, të respektuara në vendet e zhvilluara dhe demokratike”, ka deklaruar analisti Florim Zeqa për ‘Bota sot’.

Duhanaj: Nuk besoj që ka ndonjë subjekt i cili nuk ka interes për t'u bërë pjesë e koalicioneve fituese

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq analisti politik, Leon Duhanaj, për sa u përket koalicioneve parazgjedhore, nuk beson se ka ndonjë subjekt i cili nuk ka interes për t'u bërë pjesë e koalicioneve fituese nëpër komuna të ndryshme, varësisht prej kontekstit përkatës.

“Pa e marrë parasysh se nga cili pozicion, dikush për ta marrë pushtetin, e dikush për t'u bërë pjesë e tij, që të gjitha kanë interes pragmatik në ketë proces. Nëse Vetëvendosje më herët ka qenë partia e cila ka përfaqësuar destruktivitet në ketë aspekt, tani që e ka provuar shijen e pushtetit si në nivelin qendror, si në atë lokal, nuk dallon me nga subjektet tjera, pra edhe ata do t'i lëvizin të gjitha levat, në mënyrë që të marrin, përkatësisht të bëhen pjesë e pushtetit, në njërën apo tjetrën komunë”, thotë Duhanaj.

Ai thotë më tutje se, ‘tani konstalacioni i koalicioneve në këtë nivel, nuk është që do të ndodhë uniformë, sepse secila komunë ka kontekst tjetër dhe do t'u përshtatën matematikave’.

“Megjithatë, mendoj që bazuar në eksperiencën e destruktive të gjer tanishme me në kontekst bashkëpunimi të subjektit VV, do të ketë përpjekje nga subjektet tjera që t'u shmangen për aq sa ka mundësi”, thekson Duhanaj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat