Eksperti i sigurisë zbulon prapavijat e kërcënimit ndaj Kurtit - përmend deklaratën dyshuese të Vuçiqit

Politika

Eksperti i sigurisë zbulon prapavijat e kërcënimit ndaj Kurtit - përmend deklaratën dyshuese të Vuçiqit

Nga: A.M Më: 28 tetor 2021 Në ora: 16:51
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme është kërcënuar nga persona ende të panjohur për publikun.  

Informata për kërcënim ndaj kryeministrit Kurti, ka ardhur nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).  

Pas këtyre informacioneve, shumë forca të Njësisë Speciale, u panë mbrëmjen e së mërkurës, tek shtëpia e kryeministrit.  

Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për kërcënimet ndaj kryeministrit Albin Kurti.  

Fillimisht, ai përmendi situatën politike dhe sociale në Kosovë, duke u shprehur se Qeveria Kurti po vazhdon të punojë në të mirë të vendit dhe qytetarëve të saj.  

Mirëpo, sipas tij kjo gjë po iu pengon kundërshtarëve të kryeministrit Kurti apo ndryshe ish-pushtetarëve.  

Image
Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

“Qeverisja në pushtet, po bënë çmos për të mirën e Kosovës, duke i luftuar shumë të këqija që i kanë ndodhë vendit tonë nga çlirimi e deri më tani, nga ato qeverisje të mëhershme që e qeverisën këtë vend deri më tani dhe nga ata vetë që ishin si varfanjakë tani u pasuruan skajshmërisht. Por, tani Kosova nga ato veprime të atyre, është katandisur deri në këtë nivel sa që shumë të rinjve dhe të tjerëve iu ka humbur shpresa për të jetuar në këtu, dhe çdo ditë po kërkojnë mundësinë e migrimit në shtete të BE-së. Tani në situatën e tillë të krijuar dhe kur dihet se Qeveria Kurti e ka mandatin katër vjeçar të qeverisjes, po ata pushtetarë të pasluftës e deri më tani janë të hendikepuar, sepse s’po mund të pajtohen me një gjendje të tillë që po e dinë se kjo qeveri s’mund të ndërrohet për katër vite të ardhshme e me veprimet e saj sikur po sillet kjo qeveri në pushtet që po i lufton të gjitha të këqijat”, deklaroi eksperti i sigurisë.  

Tërnava vlerësoi se të gjithë kundërshtarët e Kurtit janë bashkuar dhe po mundohen që me çdo kusht ta largojnë atë nga pushteti, megjithëse një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në mënyrë legjitime.  

Duke parë gjithë këto kritika dhe akuza, ai tha se nuk është çudi që po raportohet për kërcënime ndaj kryeministrit.  

“Duke e pas të qartë situatën në të cilën tani gjendemi në këtë kohë, kundërshtarët, ata të cilët e kanë qeverisur këtë vend deri më tani, janë bashkuar dhe po bëjnë çmos për ta gjetur mënyrën se si me e largu këtë qeveri nga pushteti, mbase në mënyrë legjitime vështirë se ka mundësi të tillë të largimit të kësaj qeverie nga pushteti. Sepse sovrani ia ka dhënë votën mbi 50% që ta qeverisë këtë vend, prandaj nuk është çudi pse tani vijnë këto kërcënime, sikur po i dëgjojmë e që po njoftohet opinioni, prandaj sikur që dje është kërcënuar kryeministri Albin Kurti, me që rast shumë forca policore e kanë përcjell atë dhe kanë mbajtur pikë kontrolli pranë shtëpisë së tij”, nënvizoi Tërnava  

Gjithashtu, ai përmendi  edhe disa shërbime të huaja të cilat nuk po ia duan të mirën Kosovës dhe Kurtin po e cilësojnë si kryeministër të papërshtatshëm.  

“Por, mos të harrojmë se situata në të cilën gjendet tani Kosova, e kur e kemi të qartë se në shtetin tonë ka edhe shumë shërbime të huaja, të cilat nuk ia duan të mirën, e që ato e kërkojnë një rast dhe mundësi që ky “kryeministër i papërshtatshëm për ta” të eliminohet nga skena politike e tij qoftë edhe në mënyra më ekstreme sikur që është likuidim fizik”, theksoi ai.  

Po ashtu, ish-zëvendësministri i MPB-së nuk harroi ta përmend edhe paralajmërimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili ditë më parë deklaroi se “opinioni do të mahnitet se çfarë do t’i ndodhë Kosovës ditëve në vijim!”.  

“Deklarata e Vuçiqit para dy-tri ditëve se opinioni do të mahnitet se çfarë do t’i ndodhë Kosovës ditëve në vijim, e ka kuptimin e vetë, sepse ky kryeministër Kurti për shumë kë nuk po është i dëshirueshëm, si për bisedime me Serbinë, te cilat qëndrime të tija për çështjen e Kosovës, kur është fjala për kompaktësinë territoriale të saj e që s`po pranon asnjë pjesë të Kosovës të ndahet dhe t’i bashkëngjitet Serbisë, por edhe në asnjë mënyrë të formohet Asociacioni i komunave serbe me forcën e ekzekutimit, sikur e kishin nënshkruar Hashim Thaçi në vitin 2013 dhe Isa Mustafa në vitin 2015 e që e miratoi Kuvendi i Kosovës në këtë vit, por Gjykata Kushtetues e shpalli  të kundërligjshëm sepse ishte në kundërshtime me 23 nene të Kushtetutës së Kosovës”, tha ndër të tjera Tërnava.  

Në fund, eksperti i sigurisë potencoi se duke u nisur nga kjo deklaratë e Vuçiqit mund të nënkuptojmë se krejt ky kërcënim është i montuar me qëllim që Kurti të frikësohet e që mund të ndodhë edhe me fatalitet, sepse në bisedimet e ardhshme, Serbia është bindur se nuk mund të fitojë asgjë.  

“Duke i pasur parasysh se para vetes tani e kanë një kryeministër Kurti i cili nuk lëshon pe për territorin e Kosovës, e sikur u deklarua në disa raste edhe vet Vuçiqi më herët se me Thaçin dhe Mustafën, në bisedime të mëhershme e kemi pasur shume më lehtë. Kjo deklaratë lë të nënkuptohet se krejt ky kërcënimi është i montuar me qëllim që Kurti të frikësohet nga ky kërcënim që mund të ndodhë edhe me fatalitet, sepse në bisedimet e ardhshme, Serbia është bindur se nuk mund të fitojë asgjë nga ato parashikime që i kishin, nga ata udhëheqësit e mëparshëm të Kosovës që i premtonin edhe ndërrime të territoreve, e që tani edhe ndërkombëtaret po i përmbahen këtij qëndrimi të mos ndryshimeve të kufijve. Me që tani kërcënimet janë evidente dhe të drejtpërdrejta, nga institucionet e Kosovës, sidomos nga policia dhe AKI kërkohet të jenë vigjilente dhe t’i qëndrojnë pranë në çdo aspekt kryeministrit Kurti për sigurinë e tij”, përfundoi Hajrullah Tërnava, përcjell “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat