“SHBA-të mund t’i vënë pikën”/Escobar ia bëri të qartë Serbisë - ky është synimi i Vuçiqit ndaj Kurtit në dialog

Politika

“SHBA-të mund t’i vënë pikën”/Escobar ia bëri të qartë Serbisë - ky është synimi i Vuçiqit ndaj Kurtit në dialog

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 tetor 2021 Në ora: 08:45
Gabriel Escobar

Zëvendësndihmës - Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”, ka thënë ai.

Escobar tha se SHBA-të përkrahin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe se Kosova e Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet përmes njohjes reciproke.

“ShBA përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja që për ne është forma e duhur për të çuar përpara procesin e bisedimeve. Ne e bëmë të qartë që dialogu është forma në të cilin, dy palët si të barabarta duhet të punojnë për të zgjidhur problemet dhe të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë ideale përmes njohjes reciproke”, tha Escobar në fjalën e tij virtualisht në seancën dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit.

Në anën tjetër, Serbia vazhdon të deklarohet kundër njohjes së Kosovës, pavarësisht thirrjeve të SHBA-ve se dialogu me Kosovën duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Por, sa do të mund të bëhet kjo?

“SHBA mund t’i japë epilog të qartë procesit të dialogut”

Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se  marrëveshjet në mes dy shteteve, pa njohje reciproke nuk mund të njihen si marrëveshje finale dhe sipas tij, dialogu rregullohet vetëm atëherë kur SHBA-të kësaj çështje i vënë pikë.

Image
Islam Krasniqi

Krasniqi shtoi se Serbia pa i kryer detyrat e fitoi lëvizjen e lirë, hapi edhe bisedime për anëtarësim në BE, ndërsa tani prapë pret për të marrë diçka.

“Duhet të kuptohet se çdo marrëveshje në mes të dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë pa njohje reciproke nuk mund të njihej si marrëveshje finale, sepse marrëdhëniet në mes të shteteve i rregullon reciprociteti. Dialogu në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë rregullohet atëherë kur SHBA-të thonë se ky është kufiri dhe i vënë pikën kësaj çështjeje. Serbia është mësuar të trajtohet si një fëmijë i llastuar, në njërën anë duke u viktimizuar dhe në anën tjetër duke fituar në kurriz të shtetit tonë. Pa i kryer detyrat e shtëpisë fitoi lëvizjen e lirë për qytetarët e saj, hapi bisedimet për anëtarësim në BE dhe që tani prapë pret që të marrë diçka. Andaj, SHBA-të kur të duan me një kushtëzim të vogël mund t’i japin epilog të qartë procesit të dialogut”, ka theksuar Krasniqi.

“Fjalët e Escobarit më bindëse se sa të Lajçakut dhe Borrellit”

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e Escobar është për tu përshëndetur, madje ai e bën edhe një krahasim në mes deklaratës së tij me atë të Lajçak dhe Borrell, dhe me ç’rast shprehet se, deklarata e Escobar është më bindëse, jo vetëm ndaj Serbisë por edhe ndaj BE-së.

“Deklarata e Zëvendësndihmës-Sekretarit Amerikan për Evropë, njëherësh edhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me rastin e dialogut Kosovë-Serbi është për t'u përshëndetur dhe e mirëseardhur për qeverinë e Kosovës, po të krahasojmë deklaratën e Zëvendësndihmës-sekretarit Amerikan Escobar me deklaratat psikolabile të dy përfaqësuesve evropianë, Lajçak e Borrell, do vërejmë se fjalët e funksionarit të lartë amerikan Escobar, se ua "kemi bërë të qartë" se dialogu Kosovë-Serbi "është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”, kundruall dy të dërguarve special Borrell e Lajçak, deklarata e Escobarit është më bindëse e më prerëse, jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj BE-së se”, tha ai.

Sipas tij, fjalët e Escobar kanë më shumë peshë bindëse kundruall Lajçak-ut dhe Borrellit, po ashtu edhe ndaj Vuçiqit.

Mehazi ka vlerësuar se Serbia po insiston qëllimisht të dialogojë me Kosovën, vetëm të përfitojë kohë që Kurti të pranojë Asociacionin dhe shkëmbimin e territoreve, madje duke menduar se Kurti do të rrëshqiste para Vuçiqit, gjë që nuk do të ndodhë kurrë.

“Fjalët e zotëri Escobarit kanë seriozitet, kanë më shumë peshë bindëse kundruall dy të dërguarve special evropianë, Lajçak e Borrell, po edhe ndaj Vuçiqit, se ka ardhur koha që problemi Kosovë-Serbi të zgjidhet njëherë e përgjithmonë sa më shpejt e pa humbur kohë. Në anën tjetër, Serbia qëllimshëm nuk insiston të dialogojë me Kosovën duke dashur të përfitojë kohë, që kryeministri Kurti të lëshonte pe për asociacione serbe e shkëmbime territoresh, të inspiruara nga politikanët e mëparshëm naiv të llojeve të Thaçit, duke menduar se dhe Kryeministri Albin Kurti do të rrëshqiste politikisht para Vuçiqit, po kjo rrëshqitje politike e dialogut me Serbinë nuk do ndodhë kurrë me Albin Kurtin", ka deklaruar Mehazi për "Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat