“Ishe në një aeroplan me Thaçin”, Bytyçi kërkon sqarime nga Hoti për këtë gjë

Politika

“Ishe në një aeroplan me Thaçin”, Bytyçi kërkon sqarime nga Hoti për këtë gjë

Nga: G.B Më: 30 tetor 2021 Në ora: 15:56
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar së fundmi mesazhet e Gabriel Escobarit, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova duhet të koordinohet me administratën amerikane, sikur presidenti Rugova në vendosjen e themelit të shtetit, e deri te nënshkrimi i marrëveshjes së fundit në SHBA.

"Lidhur me politikën karshi regjionit dhe politikën e jashtme në përgjithësi, Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane, siç ka bërë në vitet e para të vendosjes së themeleve të shtetit të Kosovës nga Presidenti Rugova dhe bashkëveprimtarët e tij, e deri tek qeveria e fundit kur u nënshkruar Marrëveshja e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë", ka shkruar ai.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën "Bota sot", ka kërkuar shpjegime nga Hoti.

Ai ka thënë se ish kryeministri duhet të tregojë se pse atë ditë kur po udhëtonin për në SHBA për nënshkrimin e marrëveshjes me ish presidentin Thaçi, ky i fundit u shpall nën hetime nga Haga.

Sipas tij, këtë pjesë të errët Hot nuk e tejkalon duke e përdorur emrin e presidentit Ibrahim Rugova.

"Kur një ish-kryeministër shkruan e i thotë qeverisë “hajde dhe nënshkruani marrëveshjen, sepse kështu e kërkon departamenti i Shtetit”, ai duhet të japë shpjegime vetë. Për çfarë? Se edhe ai ishte në avion në qershorin e vitit 2020, kur u shpall nën hetime nga Haga presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Edhe ish-kryeministri u kthye mbrapsht. Por nuk është sqaruar ende se pse ndodhi shpallja nën hetim e presidentit të Kosovës gjatë udhëtimit për në Uashington, ku do të nënshkruhej marrëveshja me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë kishte ajo marrëveshje? A ishte ajo marrëveshje shkaku i shpalljes në atë ditë e vendimit të Gjykatës së Hagës për ndjekje penale ndaj Thaçit? Këto duhet t’i dijë Avdullah Hoti dhe nuk e tejkalon këtë pjesë të errët duke keqpërdorur emrin e Ibrahim Rugovës", ka thënë profesori Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat