“Zëdhënës i Vuçiq”/Kërcënoi Kosovën, vjen reagimi i ashpër ndaj Ramës– ja pse ai po e favorizon Serbinë

Politika

“Zëdhënës i Vuçiq”/Kërcënoi Kosovën, vjen reagimi i ashpër ndaj Ramës– ja pse ai po e favorizon Serbinë

Nga: G.B Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 15:51
Konferenca e përbashkët e përfaqësuesve të të tri shteteve pjesëmarrëse të nismës "Ballkani i hapur"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Beogradi ku po mbahet takimi për “Ballkanin e Hapur”, ka sulmuar Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen në “Ballkanin e Hapur”, derisa arsyet e tyre kundër kësaj iniciative i ka quajtur të paarsyeshme.

Gjatë konferencës për media ai ka thënë se nëse nuk duan të bashkohen në këtë iniciativë, këto shtete nuk duhet të çuditen pastaj me problemet kur futen në kufijtë e vendeve të “Ballkanit të Hapur”.

“E thjeshtë dhe e përsëris, për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë Ballkani i Hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin. Arsyet se përse të tjerët janë skeptikë, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe të Kosovës, por i konsideroj arsye të mosarsyes”, ka deklaruar Rama.

“Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur t’i dorëzojmë të gjitha atyre sipërmarrjeve që takuam sot, që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do kërkojnë të vijnë para qeverive, për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Mos u çudisni! Kjo nuk është një tekë, as konspiracion, as iluzion halucinant, kjo është një kërkesë ulëritëse ekonomitë tona, e njerëzve, qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm”, ka thënë ai.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Rama në Beograd ndihet si në shtëpinë e vet dhe nga atje i kërcënohet Kosovës dhe vendeve të tjera, derisa po sillet si zëdhënës i Vuçiqit.

“Edi Rama në Beograd po ndjehet si në shtëpinë e vet dhe nga Beogradi i kërcënohet Kosovës e të tjerëve që të bashkohen në “Ballkanin e hapur” ose pastaj të mos ankohen nëse do të kenë probleme e kufizime. Edi Rama po sillet si zëdhënës i Vuçiqit dhe nuk arrij ta kuptoj kush janë fitimet e Shqipërisë nëse favorizohet Serbia”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Rama duket se ka qëllim që të plotësojë kërkesat e Serbisë pasi vetëm ajo ka përfitime nga lehtësimet në Ballkan, derisa përmend dhe ndejat e Ramës që shihet se i pëlqejnë në Serbi.

“Çdo lehtësi që krijohet në Ballkan i sjell se pari përfitime Serbisë. Ose ky merak e kjo përkujdesje kaq e madhe e Edi Ramës për ta favorizuar Serbinë, për të plotësuar kërkesat e dëshirat e Serbisë. Edi Rama, duket i lumtur e i relaksuar në dreka, darka, ndenja e qoka me presidentin serb Vuçiq. Po e duan e po e sajdisin mirë serbët dhe Rama po ndjehet si veshka mes dhjamit në Serbi”, ka vlerësuar ai.

Analisti ka theksuar se Meka e Ramës është Beogradi dhe këtë natyrisht që e ka të vështirë ta pranojë Kosova, derisa ka pyetur se a guxon Rama të flasë me Vuçiqin për problemet e ngatërresat që sjell Serbia në Kosovë.

“E megjithatë, si është e mundur që nuk relaksohen e nuk shtendosen marrëdhëniet shqiptaro - serbe as nuk po ndalet lufta e fjalëve mes serbëve e shqiptarëve. A flet, a diskuton, a guxon të flasë ndonjëherë Edi Rama me udhëheqësin serb për punët e shqiptarëve dhe paranojat serbe, për Kosovën e problemet e saj, për ngatërresa që bën Serbia në Kosovë. Duket se Meka e Edi Ramës është bërë Beogradi. Vështirë ta pranojë një gjë të tillë Kosova, vështirë të pajtohet ajo me këto qëndrime të Edi Ramës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat