Rreziku i ndikimit dhe kërcënimit të dëshmitarëve, po i mban në paraburgim ish-komandantët!

Politika

Rreziku i ndikimit dhe kërcënimit të dëshmitarëve, po i mban në paraburgim ish-komandantët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 nëntor 2021 Në ora: 14:18
Ish-komandantët në Hagë

Ka kaluar një vit që nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, nga Gjykata Specialja.

Për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi, ende nuk ka filluar gjykimi.

E në lidhje me këtë së fundmi në një intervistë për media ka folur kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Ajo kishte konfirmuar para dy viteve se rregullat e procedurës nuk lejojnë që paraburgimi të zgjatet më shumë se një vit për të akuzuarit, përveç se në rrethana të jashtëzakonshme.

Trendafillova përsëri ritheksoi të njëjtën deklaratë duke u shprehur që të arrestuarit do të duhej të liroheshin.

“Paraburgimi nuk mund të zgjatë më shumë se një vit. Duhet të shqyrtohet vetëm në rrethana shumë të jashtëzakonshme kur do të mund të zgjatet, andaj është me rëndësi që çdo dy muaj paraburgimi të shqyrtohet”, ishte shprehur Trendafillova.

Kjo procedurë është ndjekur në vazhdimësi nga gjykata speciale. Së fundi vetëm avokatët e Hashim Thaçit kanë hequr dorë, duke kërkuar një afat shtesë për shqyrtimin e kërkesës së tyre, me arsyetimin e shtimit të argumenteve në kërkesë.

Mirëpo, mundësia e lirimit të ish-krerëve normalisht që përcillet me një mori pikëpyetje, duke filluar nga siguria që ata mund të kenë nga institucionet e sigurisë e deri tek mundësia e ndërhyrjes tek dëshmitarët.

Kujtojmë që Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë kërkuar Policisë së Kosovës që të garantojë siguri lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e kësaj të fundit, për të siguruar mbrojtjen e mundshme në liri për ish-krerët e UÇK-së.

Mirëpo, Policia e Kosovës lidhur me këtë kërkesë, nuk ka komentuar.

Tërnava: Ish-krerët e UÇK-së nuk mund të lirohen nga Specialja

Image
Hajrullah Tërnava

Në lidhje me këtë temë, eksperti i sigurisë dhe ish zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se nëse Trendafilova është shprehur se paraburgimi zgjatet më shumë se një vit vetëm kur kemi rrethana të jashtëzakonshme atëherë mund të themi që situata jonë mund të llogaritet e tillë.

“Nëse Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafillova ka thënë se paraburgimi nuk mund të zgjatet më shumë se një vit, përveç se në rrethana të jashtëzakonshme, atëherë ne si popull duhet ta kuptojmë se meqenëse ka kaluar viti i paraburgimit të të arrestuarve në paraburgim që janë në Hagë, atëherë edhe kjo kohë që ka kaluar, për të paraburgosurit, po llogaritet si rrethanë e jashtëzakonshme, prandaj paraburgimi do të vazhdojë”, u shpreh Tërnava.

Ish zëvendësministri, më tej thotë se gjykata do ta vazhdojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve deri sa të mbarojnë procedurat gjyqësore të të akuzuarve dhe të dyshuarve si vepërkryes.

“E thëna e Trandafilloves se paraburgimi nuk mund të zgjatet më shumë se një vit, e ka kuptimin e asaj se me vetë faktin se gjyqi special është krijuar për gjykimin e veprave në periudhën e luftës dhe pas saj, për ato krime të shumta të kryera në ato rrethana sikur është shpjeguar atëherë, prandaj kjo periudhë konsiderohet si rrethanë e jashtëzakonshme dhe që gjykata do ta vazhdoj marrjen në pyetje të dëshmitarëve deri sa të mbarojnë procedurat gjyqësore të të akuzuarve dhe të dyshuarve si vepërkryes. Sipas procedurave të zakonshme, këta persona do të duhej liruar nga paraburgimi tashmë, por nuk e ka kuptimin definitivë sikur ashtu që supozohet, për shkak të rrethanave jo të zakonshme”, thotë ai.

Tërnava tutje shprehet se nuk ekziston mundësia që të lirohen edhe nëse si të dyshuar që janë ish-krerët e UÇK-së, sepse kjo procedurë duhet të vazhdoj deri në gjykimin e të dyshuarve.

“Gjyqi i cili është krijuar për gjykimin e të dyshuarve si vepërkryes të një numri jo të vogël të të vrarëve në luftë dhe pasluftës, nuk ekziston mundësia që të lirohen edhe nëse si të dyshuar që janë ish-krerët e UÇK-së, sepse kjo procedurë duhet të vazhdoj deri në gjykimin e të dyshuarve që akuzohen si vepërkryes. Nëse do të liroheshin po ata të dyshuar që janë qe mbi një vit në Hagë, vetë gjykatat speciale, që krijohen si të tilla edhe nga kërkesat ndërkombëtare, do ta humbnin vlerën dhe efektin e krijimeve të gjyqeve të tilla në të ardhmen”, nënvizon Tërnava.

Ndër të tjera, ai përmend edhe mundësinë e arratisjes dhe ndikimin tek të dyshuarit.

“Dyshimet se a mund të ekzistojë mundësia e arratisjes së të arrestuarve gjatë arrestit shtëpiak në Kosovë, janë më të vogla, sepse edhe ashtu nuk kanë ku të arratisen kur dihet se ata janë të mbikëqyrur nga strukturat e sigurisë dhe nuk kanë ku të shkojnë-largohen. Më e keqja, që mund të ndodhë është se në disa raste tentojnë të intervenojnë me ndërhyrje apo kërcënime ndaj dëshmitarëve apo të ndikojnë me kërcënime në mënyrë indirekte ndaj dëshmitarëve. Prandaj, dyshimet se mund të lirohen të dyshuarit për krime të luftës pa përfunduar gjykimi janë inekzistente, dhe ai gjyq do ta vazhdoj punën e tij, derisa t’i merr në pyetje edhe dëshmitarët e fundit që kanë për të shpjeguar veprat kriminale për të cilat ngarkohen të dyshuarit dhe deri në vendimin përfundimtar dhe fuqiplotë të gjykatësve të këtij gjyqi në fjalë”, potencoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Kelmendi: Gjykata Speciale do të duhej të kishe prova deri tani për të akuzuarit

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi, i cili u shpreh se në speciale nuk mund të dënohet askush pa dëshmitar dhe prova.

Sipas tij, aktakuza nuk ngritet dhe aq më pak arrestohen të dyshuarit, nëse mungojnë provat ose baza e provave nga vijnë ato dëshmi.

“Në Gjykatën Speciale në Den Hag askush nuk mund të dënohet pa prova dhe dëshmi për veprat e akuzuara. Aktakuzat e ngritura për vepër penale nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, kundër katër personave të UÇK-së, duket se nuk ka mbështetje të duhur faktike dhe prova të mjaftueshme. Mbi këto akuza arrestuan katër persona të UÇK-së dhe tash më shumë se një vit gjenden në paraburgim të kësaj Gjykate. Ngritja e akuzës për vepra penale dhe arrestimet mbi to zakonisht shkojnë së bashku. Mirëpo, aktakuza nuk ngritet dhe aq më pak arrestohen të dyshuarit, nëse mungojnë provat ose baza e provave nga vijnë ato dëshmi apo janë të dyshimta. Këtu mendohet në provat e marra në Serbi nga prokuroritë dhe gjykatat serbe, të cilat dhe mbi të cilat kurrsesi nuk mund të dënohen”, thotë juristi.

Profesori më tej, thotë se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së si duket janë pa mbulesë me prova dhe për këtë arsye Trandafilova ka thënë se juridikisht ata do të duhej të ishin liruar.

“Akuza kundër z.Thaçi, z Veseli, z.Krasniqi dhe z. Selimi duket se janë jo efektive dhe pa mbulesë me prova. Ky fakt duket se ishte shkak pse z. Trandafilova shprehi mendimin se "këta duhej të ishin liruar tashmë nga arresti". Kjo deklaratë flet shumë. Zgjatja e paraburgimit mbi një vit flet se juridikisht duhej të ishin liruar të katër të akuzuarit nga paraburgimi. Por, kjo tregon gjithashtu se Prokuroria e Gjykatës Speciale nuk ka prova për të hapur shqyrtimin kryesor ose provat kanë prejardhje të dyshimt. Këtu mendoj se ato vijnë nga Serbia. Vetë kjo është shkak pse Trandafilova kërkoj lirimin e tyre nga paraburgimi”, shprehet profesori.

Ndër të tjera, juristi thotë se nëse ekziston mundësia të lirohen në mbrojtje, nuk ekziston mundësia të arratisen pasi nuk ka prova apo dëshmi për dënime penale.

“Me këtë po tregohet se edhe dënimet e tyre janë jo reale. Dhe, nëse lirohen në mbrojtje në liri, në kushtet e tilla, askush nuk ka nevojë fare të arratiset ndonjë, sepse nuk ka prova dhe dëshmi për dënime penale. Këtej nuk ekziston as dyshimi se kanë nevojë të bëjnë ndonjë presion mbi ndonjë dëshmitar. Mos hapja e shqyrtimit kryesor edhe pas një viti këtë e dëshmon. Pra, prova për dënime penale nuk ka në aktakuzat e ngritur në Gjykatën Speciale”, tha Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Krasniqit, specialja nuk i ngjan me gjykatë të Kosovës

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa për këtë çështje në një bashkëbisedim me “Bota sot”, Islam Krasniqi, thotë se Trendafillova ka shumë arsye pse vë në pikëpyetje paraburgimin e mëtejshëm të ish-krerëve të UÇK-së, pasi ende nuk ka prova.

Ai thotë se kjo Gjykatë nuk ka mundur të gjej prova për të ndërtuar një aktakuzë.

“Është e vërtetë ajo se çfarë ka thënë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafillova, mirëpo ajo Gjykatë funksionon komplet në mënyrë të gabuar pasi që nuk të ngjan me asgjë që është e Republikës së Kosovës, ku i mban në paraburgim krerët e UÇK-së dhe nuk mund të arsyetoj këtë çështje se pse mbahen në paraburgim kur akoma nuk është ngritur aktakuza, akoma kemi vetëm supozime. E para ka filluar punën atëherë kur të gjithë kanë pritur se i ka kaluar mandati, po ashtu mban krerët e UÇK-së më shumë se një vit në paraburgim akoma pa e ndërtuar aktakuzën dhe çfarë të presim nga kjo gjykatë. Vetë fakti se për më shumë se gjashtë vite s'kanë gjetur prova dhe s’kanë mundur të ndërtojnë një aktakuzë dihet së është e  dështuar pasi që duhet të respektohet parimi në drejtësi: thotë më mirë një kriminel në liri se një i pafajshëm në burg”, theksoi juristi.

Në fund, juristi shprehet se nëse ekziston mundësia për lirimin e tyre, nuk mund të ketë arrest shtëpiak pasi nuk ka prova për ata.

“Jo në asnjë mënyrë nuk mund të ikin nga arresti shtëpiak dhe as nuk mund të mendoj një gjë të tillë. Por, mos të harrojmë se ajo që dëgjohet nga dëshmitarët nuk mund të merret si provë sepse çdo qytetar i pandershëm mund të shpifë çfarë të dojë për një qëllim të caktuar dhe nëse nuk ofrohen prova materiale ato akuza i merr lumi”, përfundon Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat