200 mërgimtarë dëshmuan kundër vendimit të PZAP-së për anulimin e votave të LDK-së në Dragash/ Xheladini flet për Bota Sot

Politika

200 mërgimtarë dëshmuan kundër vendimit të PZAP-së për anulimin e votave të LDK-së në Dragash/ Xheladini flet për Bota Sot

Nga: M.L. Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 17:12
Bexhet Xheladini

Komuna e Dragashit ka mbetur e vetmja nga komunat për të cilat ende nuk dihet se kush do të jetë kryetar.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, vendosi të anulonte votat nga diasporës, të cilët nxorën fituese Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke përmbysur kështu rezultatin ku fituese ishte Partia Demokratike e Kosovës.

Për këtë arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës, lidhur me votat e diasporës në Komunën e Dragashit është ankuar në Gjykatën Supreme nga e cila nuk ka marr ende përgjigje.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini tha se vendimin e PZAP-së e konsiderojnë si përpjekje antidemokratike për të përmbysur rezultatin e dalë nga kutitë e votimit.

Mirëpo, Xheladini shprehet i bindur se supremja do të vendosë në favor të LDK-së.

Një vendim të tillë të PZAP-së nuk e kemi pritur. Këtë vendim ne e cilësojmë si një përpjekje antidemokratike për të përmbysur rezultatin e dalë nga kutitë e votimit.

Ndaj një vendimi të tillë të PZAP-së jemi ankimuar në Gjykatën Supreme. Jemi të bindur që kjo gjykatë do ta mbrojë vullnetin e lirë të qytetarëve të Komunës së Dragashit”, thekson ai.

Sipas Bexhet Xheladinit, janë rreth 200 dëshmi të mërgatës dhe dëshmi të tjera që do të pamundësojmë përmbysjen e vullnetit dhe rrezikimin e demokracisë.

“Në dosjen e ankesës, të dorëzuar në Gjykatën Supreme ne kemi rreth 200 dëshmi të mërgatës sonë dhe së bashku me dëshmitë e tjera do të pamundësojmë përmbysjen e vullnetit dhe rrezikimin e demokracisë. Votat e mërgatës janë vota të pastra, të cilat në deklaratat e tyre të dërguara në mënyrë elektronike dëshmojnë se ata vet janë regjistruar dhe kanë votuar në raundin e dytë”, thekson ai.

Ai ka potencuar se së bashku me zyrtarët ligjor të LDK-së, kanë përgatitur ankesën, duke shprehur bindjen se Gjykata Supreme do ta anulojë vendimin e PZAP-së dhe do të na rikthehet fitorja e dalë nga votat e numëruara.

Kujtojmë se, Më 14 nëntor, Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës mori 5 mijë e 648 vota, apo 47 më shumë se kundër-kandidati nga LDK, Bexhet Xheladini.

Madje rezultati ishte zvogëluar në vetëm 17 vota më pak për LDK-në pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. 

Gjithçka ishte përmbysur nga votat me postë, ku 244 ishin për LDK-në, ndërkaq 54 për PDK-në.

Kjo e fundit u ankua në PZAP, institucion ky që vendosi për anulimin e këtyre votave.

Rasti momentalisht po shqyrtohet nga Gjykata Supreme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat