Momenti historik/Të finalizohet dialogu me Serbinë me Biden president – ndryshe rrezik për kompromise të dhimbshme

Politika

Momenti historik/Të finalizohet dialogu me Serbinë me Biden president – ndryshe rrezik për kompromise të dhimbshme

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 nëntor 2021 Në ora: 08:12
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet më mike të Kosovës, që e kanë ndihmuar vendin tonë ta fitojë lirinë dhe pavarësinë e ta formojë shtetin që e kemi sot.

E tani kur në krye të SHBA-ve është presidenti Joe Biden, është shtuar vëmendja për Kosovën.

Padyshim që këtu përfshihet dialogu me Serbinë, i nisur prej vitesh, me shumë marrëveshje të arritura, por të pazbatuara nga ana e saj, derisa ende mungon një marrëveshje finale e po ashtu mungon dhe njohja nga ana e shtetit serb, gjë të cilën krerët e tij thonë se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

Sa i përket dialogut, presidenti Biden ka angazhuar të dërguarin e tij Gabriel Esobar, i cili po merret me bisedimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Biden e ka konfirmuar qëndrimin e tij edhe në letrën dërguar presidentes Vjosa Osmani, se dialogu do të përmbyllet me njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve, Kosovë-Serbi.

Por, sa do të jetë e mundur një marrëveshje finale me ndihmën e SHBA-ve në dialog dhe sa do të shfrytëzohet rasti historik që Joe Biden që është mik i shqiptarëve, është president i SHBA-ve?

Nëse nuk arrihet kjo gjatë mandatit të Biden, sa ka rrezik për kompromise për Kosovën pas mandatit të tij?

Lidhur me këtë, analistë politikë kanë dhënë vlerësimet e tyre për gazetën “Bota sot”.

Qarri: Kosova e ka momentin historik për marrëveshje me Serbinë, me Joe Biden president të SHBA-ve

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri thotë se shqiptarët janë para një momenti historik që Joe Biden është në krye të SHBA-ve, derisa në rajon dhe botë po përkeqësohen gjërat.

“Putini së fundmi, ka nisur një grumbullim tjetër të madh të forcave ushtarake ruse, në kufirin me Ukrainën, të dytat me radhë, në po këtë vit, njëjtë siç pati vepruar vetëm pak kohë më parë, krimineli Aleksandër Vuçiq duke vendosur forca të shumta ushtarake serbe në kufi me Kosovën, jo vetëm në shenjë frikësimi, por edhe me përcjelljen e kërcënimeve për ndërhyrje dhe okupim ushtarak.

Ndaj, veçanërisht në surprizën e ngjarjeve të rrezikshme që dita ditës po përkeqësohen në rajon dhe botë, shqiptarët duhet ta kenë parasysh faktin se janë para një momenti historik, që në krye të shtetit më të madh mbështetës të vendit tonë, në SHBA, aktualisht është president Joe Biden, një mik i vjetër dhe i jashtëzakonshëm i shqiptarëve”, është shprehur ai.

Image
Gani Qarri

 

Sipas tij, shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë këtë rast historik dhe t’i japin fund dialogut me Serbinë.

“Kështu që përderisa tensionet po rriten dhe shtohen dita ditës në shumë vende dhe kufij shtetesh në rajon, sidomos shqiptarët në Kosovë, duhet të dinë ta shfrytëzojnë këtë shans historik, i cili mund të mos përsëritet më në këtë formë, për t’i dhënë fund dialogut aktual me Serbinë, që po zgjatë prej më shumë se 10 viteve, pa asnjë sukses as shenjë për përfundimin e tij”, ka vlerësuar analisti.

Rreziku nga kriza në Ukrainë!

Qarri përmend rastin e Ukrainës, për çka thekson se Serbia e nxitur nga Rusia mund ta përdor të njëjtën mënyrë edhe në Kosovë, që të ndërhyjë në veri të vendit dhe t’i ngarkojë me probleme SHBA-të dhe NATO-n.

“Përndryshe, eskalimi i gjendjes në kufijtë e Ukrainës, ku ekspansionizmi rus, pas grumbullimit më të ri masiv të forcave ushtarake ruse, mund të eskalojë edhe në pushtim ushtarak dhe okupojë territorin sovran të Ukrainës, duke pretenduar, njëjtë si në vitin 2014, në mënyrë të gënjeshtërt, se kinse Ukraina ka provokuar Rusinë, të njëjtën gjë mund të pretendojë edhe Serbia e Vuçiqit. Për aq më keq, në koketim me Putinin dhe e nxitur nga Rusia, gjendjen e tillë mund ta keqpërdorte edhe Serbia, për ndërhyrje në veri të vendit tonë, për t’i mbingarkuar me probleme, SHBA-të dhe NATO-n, në mënyrë që në emër të rikthimit të paqes dhe mbylljes së problemeve, OKB-ja dhe NATO-ja të pajtohen për kompromise dhe dhënien e favoreve Rusisë në Ukrainë dhe Serbisë në Kosovë”, ka potencuar Gani Qarri për “Bota sot”.

Andaj, ai shton se Kosova duhet që të ndërmarrë të gjithë hapat në koordinim me SHBA-të dhe administratën Biden për ta përfunduar dialogun para ndryshimit të administratës amerikane.

“Kështu që Kosova, medoemos, në vend të qëndrimit të ftohtë që mbanë qeveria aktualisht, duhet të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në koordinim të ngushtë me SHBA-të dhe administratën e presidentit Biden, për përfundimin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që nëse ndodhin ndryshime në administratën amerikane, Kosova të mos rrezikojë bërjen e kompromiseve pas mandatit të parë të z, Joe Biden”, ka deklaruar Qarri.

Krasniqi: Nëse nuk arrihet marrëveshja me administratën Biden, do të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën

Në anën tjetër, analisti Islam Krasniqi, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është fat për Kosovën që në këtë fazë të dialogut, Biden është president i SHBA-ve.

“Është një fat shumë i madh që tani në këtë kohë kur dialogu është në një gjendje kritike dhe pritet që të arrihet marrëveshja finale, presidenti i SHBA-ve është një mik shumë i mirë i shqiptarëve, i cili asnjëherë nuk e largoi interesimin për ne”, thotë ai.

Image
Islam Krasniqi

Sipas Krasniqit, Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë dhe se dialogun mund ta finalizojnë SHBA-të.

“Gjithsesi ne duhet të shfrytëzojmë administratën e z.Biden, sepse ai e njeh edhe nga afër gjendjen tonë, gjithashtu edhe procesin e dialogut, i cili po përcillet me shumë tensione e që na shfaq një pasqyrë se marrëveshja është shumë larg, por që SHBA-të mund të afrojnë dhe të finalizojnë”, ka theksuar analisti.

Ai shton se nëse marrëveshja finale nuk arrihet gjatë mandatit të Bidenit, mund të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën.

“Nës ne nuk jemi serioz në këtë proces dhe nuk mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë gjatë mandatit të presidentit Biden, atëherë ekziston rreziku se mund të ketë një kompromis të dhimbshëm për republikën tonë. Andaj, t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që kemi, gjithmonë duke u mbështetur në SHBA-të dhe duke e kërkuar edhe ndihmën dhe prezencën e tyre në çdo tryezë”, ka deklaruar Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Dialogu me Serbinë ka filluar rreth 11 vite më parë. Në nivel të drejtuesve të shtetit, janë mbajtur disa takime edhe pas zgjedhjes së Albin Kurtit kryeministër, me presidentin e Serbisë Vuçiq, i cili e përfaqëson atë në dialog.

Aktualisht kryenegociator i dialogut nga Kosova është kryeministri Albin Kurti, i cili ka mbajtur disa takime me palën serbe të kryesuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa, para një jave me 16 nëntor zhvilluan bisedime të ndara në Bruksel me drejtuesin e dialogut nga BE-ja, Miroslav Lajçak, kryenegaciatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, pa ndonjë përparim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat