‘Heqja’ e kufirit Kosovë-Shqipëri/ “Kjo është biseda e Ramës me Vuçiqin” – ja për çfarë u dakorduan

Politika

‘Heqja’ e kufirit Kosovë-Shqipëri/ “Kjo është biseda e Ramës me Vuçiqin” – ja për çfarë u dakorduan

Nga: A.M. Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 21:04
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Ditë me parë, qeveritë shqiptare mbajtën mbledhjen e 7 të përbashkët, gjatë së cilës u nënshkruan 13 marrëveshje bashkëpunimi.

Mbledhja e përbashkët ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë gjithë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle të ndryshme bashkëpunimi.

Megjithatë, shumica prej tyre nuk janë zbatuara.

Profesori universitar, Enver Bytyçi komentoi marrëveshjet e arritura në mbledhjen e mbajtur mes qeverive shqiptare, në Elbasan.

Fillimisht, ai përmendi një fakt interesant se gjatë të gjitha mbledhjeve mes qeverive shqiptare, nga Kosova kanë qenë disa kryeministra, ndërsa Rama ka qenë protagonist kryesor i Shqipërisë.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Prej janarit 2014 e deri më sot janë mbajtur 7 mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Këto mbledhje knë filluar me kryeministër Hashim Thaçin, kanë vazhduar me Isa Mustafën e Ramush Haradinajn dhe përfunduan të premten e kaluar me mbledhjen e perbashkët me qeverinë Kurti 2. Nga pala e Shqipërisë protagonisti kryesor dhe i vetëm i të gjitha këtyre mbledhjeve është kryeministri Edi Rama. Nga pala e Kosovës kanë ndryshuar pesë ose gjashtë qeveri dhe po kaq kryeministra. Thjesht për këtë fakt duhet vlerësuar se në Kosovë funksionon demokracia, ndërsa në Shqipëri funksionon autokracia”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Bytyçi vlerësoi se gjatë të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite, më shumë janë dhënë pamje pompoze dhe deklarime famoze, kryesisht nga kryeministri Rama, se zbatime të tyre.

“Gjatë gjashtë mbledhjeve të para janë nënshkruar 77 marrëveshje, mesatarisht afër 13 në secilën prej këtyre mbledhjeve. Ekranet televizive na kanë dhënë pamje pompoze të nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve dhe deklarimet famoze të kryeministrave, sidomos të atij të Shqipërisë për to. Por zbatimi i tyre nuk ka ndodhur, i shumicës prej tyre. Nuk ka ndodhur se ka vullnet për të bërë shou mediatik dhe për të shplarë trurin e shqiptarëve, por nuk ka vullnet politik për të ndërtuar një marrëdhënie strategjike midis të dy vendeve”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se shumica e marrëveshjeve të nënshkruara janë për çështje teknike, përfshirë edhe abetaren e përbashkët dhe marrëveshjen për lekeqëndrim, të cilat siç tha ai janë bërë edhe më parë.

“Nëse i shohim në thelb këto marrëveshje, atëherë shohim se shumica janë thjesht çështje teknike. Për abetaren e përbashkët janë nënshkruar deri më sot midis Tiranës dhe Prishtinës nja pesë marrëveshje. Por, përsëri në Elbasan u bë një shfaqje e madhe e radhës, sikur po nënshkruhej për herë të parë dhe sikur po bëhej hataja. Po ashtu marrëveshja për diplomat e kështu me radhë. Edhe marrëveshja e lejeqëndrimit në të dy vendet nuk është aq domethënëse. Thjesht nuk do paraqitesh për lejen një herë në pesë vjet, por jo çdo vit. Sepse adresë banimi nuk mund të ketë askush që nuk ka edhe një punë”, shpejgoi Bytyçi.

Kurse, sa i përket heqjes së kontrollit fizik në kufi, ai potencoi kjo nuk është një nga ngjarjet më historike, siç u deklarua nga disa persona.

Pasi, sipas tij, shqiptarët e dijnë se në kufi me Kosovën nuk ka pasur kontroll fizik as në kohën e Zogut.

“E vetmja marrëveshje është ajo e heqjes së kontrollit fizik në kufi. Shqiptarët duhet të dijnë se në kufi me Kosovën nuk ka pasur kontroll fizik as në kohën e Zogut. Pra kjo marrëveshje nuk është ngjarja e tretë historike siç deklarohet ndonjë akademik delirant. Ka ngjarje të tjera historike shumë më të mëdha. Është çlirimi i Kosovës më 1999. Është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Është liberalizimi i vizave me BE-në. Ngjarje e tretë historike që nga shpallja e pavarësisë nuk mund të jetë një vendim, i cili thjesht kursen pesë a më shumë minuta kontroll fizik në kufirin midis Kosovës e Shqipërisë”, theksoi profesori.

Tutje, ai konsideroi se vendimi për ‘heqjen e kufirit”, erdhi si pasojë e presionit të Qeverisë Kurti ndaj kryeministrit Edi Rama.

Madje, Bytyçi beson se Rama paraprakisht ishte dakorduar me Vuçiqin për hapjen e kufirit, pasi kishte frikë se do të linçohet nga shqiptarët, nëse i hap kufijtë me Serbinë dhe Maqedoninë, dhe me Kosovën jo.

“Por unë e shoh pozitive këtë vendim të përbashkët të të dy qeverive. Dhe gjykoj se hapja e kufirit me Shqipërinë ka ardhur si rezultat i presionit të qeverisë së Kosovës ndaj Edi Ramës. E madje para se të merret ky vendim është dakorduar nga ana e Ramës me Aleksandër Vuçiq. "Sandër, unë do ta hap kufirin me Kosovën. Ti e kupton. Nëse hap kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe me ju (Serbinë), më telendisin shqiptarët po nuk e hapa me Kosovën"! Kjo është biseda midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë para se të merrej ky vendim.

Nuk është hipotetike, është reale, sepse asnjë vendim rajonal nuk marrin ata të dy pa u dakordësuar dhe pa llogaritur përfitimet personale të njërit ose tjetrit. Shpresojmë që ngjarjet të zhvillohen normalisht e të mos i ndërrojë mendja Ramës ose Vuçiqit!”, potencoi ai.

Krejt në fund, profesori tha se për të gjetur zbatim marrëveshjet e nënshkruara, Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë presion të vazhdueshëm Qeverisë së Shqipërisë.

“Me qëllim që marrëveshjet e nënshkruara të gjejnë zbatim duhet vullnet. Nuk besoj se qeveria shqiptare do të jetë e vullnetshme për zbatimin e tyre. Prandaj i duhet bërë trysni e vazhdueshme nga pala e qeverisë së Kosovës. Në fund të fundit palët i kthehen vazhdimisht një bilanci dhe kërkojnë nga njëri-tjetri mbajtjen e premtimeve, zbatimin e marrëveshjeve”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat