Formimi i Asociacionit/ Vjen paralajmërimi: Kujdes, mund të hartohet një draft nga ndërkombëtarët

Politika

Formimi i Asociacionit/ Vjen paralajmërimi: Kujdes, mund të hartohet një draft nga ndërkombëtarët

Nga: A.M. Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, dje u shpreh i shqetësuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tha se gjatë vizitës së tij në Prishtinë do të kërkojë të zbatohet gjithçka që është rënë dakord në Bruksel.

Por pas takimit me të, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia nuk i ka implementuar shumicën e marrëveshjeve.

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi mundësinë e formimit të Ascociacionit.

Fillimisht, ai përmendi se minoritet në Kosovë kanë shumë të drejta, mirëpo nuk duhet të bëjnë sabotazh ndaj shtetit.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Kosova asnjëherë nuk do të rrezikohet nga të drejtat e minoriteteve. Në ketë kontekst edhe janë paraparë të drejta të zgjeruara posaçërisht për komunitetin serb. Megjithatë projekti Kosovë, nuk nënkupton që secili minoritet të ketë mundësinë e sabotazhit ndaj shtetit”, deklaroi ai.

Në vazhdim, Duhanaj tha se politikat e Beogradit kanë ndikuar në qytetarët serbë dhe partitë politike serbe.

Mirëpo, ai u shpreh se Asociacioni nuk mund të formohet siç është nënshkruar, por në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Për fat të keq, komuniteti serb, sidomos pas themelimit të "Lista Srbska", është dezintegruar skajshmërisht. Kjo nuk nënkupton se të gjithë qytetarët serbë të Kosovës janë në linjë me listën serbe dhe politikat e Beogradit, megjithatë, fakt është se ata janë të shantazhuar dhe nuk guxojnë të dalin kundër tyre.

Për mendimin tim, Kosova duke qenë se e ka një marrëveshje të nënshkruar, si dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, do të duhej që në harmoni me këtë vendim kushtetues ta hartonte statutin mbi të cilin do të mund të funksiononte një asociacion i mundshëm”, theksoi analisti.

Më tej, ai shpjegoi se Kosova duket të vendosë kushte për formimin e Asociacionit, por nuk duhet të jap sinjale që bien ndesh me dialogun

“Pasi të hartohet statuti në harmoni me Kushtetutën, t'u bëhet e qartë edhe serbëve, por edhe komunitetit ndërkombëtar se ky asociacion hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare e cila sjellë njohje të ndërsjellë me Serbinë, njohje nga BE dhe ulëse për Kosovën në OKB. Kosova duket të vendosë kushte për zbatim, por nuk duhet të jap sinjale që bien ndesh me dialogun”, nënvizoi Duhanaj.

Në fund, analisti kërkoi që të mos lihet zvarrë formimi i Asociacionit, pasi që mund t’iu vihet ndonjë draft në tavolinë dhe të detyrohet që qeveria të bëjë ndonjë kompromis.

“Sidomos statuti i asociacionit është tejet i rëndësishëm të hartohet nga ekspertë që e respektojnë në plotni Kushtetutën e vendit e mos ta lënë zvarrë derisa në tavolinë t'u vije ndonjë draft për të cilin mund të detyrohen të bëjnë kompromise.

Qeveria dhe institucionet e vendit duhet të jenë pro aktive nën ofrimin e ideve kreative për zgjidhje të problemit e mos të rrinë duarkryq duke kërkuar mënyra se si t'ua lënë fajinduke i akuzuar qeveritë e mëhershme. Kosova ka nevojë për Qeveri aktive dhe të aftë për t'u përballur me sfidat e kohës, e assesi me akter të cilët nuk dinë gjë tjetër por të merren me të kaluarën”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat