Kthesë e fuqishme për misionin ushtarak të Kosovës/ Publicisti nga SHBA tregon se pse i “acaroi” serbët emërimi i Bashkim Jasharit

Politika

Kthesë e fuqishme për misionin ushtarak të Kosovës/ Publicisti nga SHBA tregon se pse i “acaroi” serbët emërimi i Bashkim Jasharit

Nga: M.H. Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 14:21
Foto nga emërimi i Bashkim Jasharit, komandant i FSK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Gjeneral-Major Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Bashkim Jashari është biri i Rifat Jasharit dhe familjes së Komandantit legjendar Adem Jashari nga Prekazi i Skenderajt.

Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Këtë emërim e ka komentuar për gazetën Bota Sot, veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi, i cili u shpreh se me emërimin e Jasharit, komandant të FSK-së, u nderua edhe gjithë familja më emblematike shqiptare në Kosovë.

Sipas tij, ky emërim ka nervozuar Serbinë edhe pse e njëjta ka masakruar familjen Jashari.

Propozimi i Gjeneral LT Bashkim Jasharit për Komandant të FSK-së nga Kryeministri ynë dhe Presidentja, që njëkohësisht është edhe Komandante Supreme, është një ndër nominimet më të qëlluara në Kosovë. Me këtë akt është emëruar dhe nderuar pinjolli i familjes më emblematike shqiptare në Kosovë, burrat, gratë dhe fëmijët e së cilës janë të mishëruar me bërthamën e ushtrisë, rezistencës, luftës dhe sakrificës sublime, si një rast unik dhe i paprecedent në botë. Pra, emërimi i Gjeneral LT Bashkim Jasharit e ka bërë nervoze Serbinë edhe pse kjo ia masakroi familjen 20 anëtarësh, duke kryer masakrën më të madhe të një familje që Evropa nuk e mban mend”, u shpreh ai.

Më tej, veprimtari thotë që me rritjen e buxhetit nga ana e Qeverisë për FSK-në, po arrihet që ushtria të jetë një nga prioritet e qeverisë.

Emërimi i komandantit të ri të FSK-së është në vazhdën e reformimit dhe avancimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Me rritjen e buxhetit të qeverisë së re për mbrojtje dhe me nominime të reja shumë të qëlluara dhe me reformimin e saj profesional, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është në rrugë të mbarë për t`i dhënë një imazh të ri FSK-së që një kohë të gjatë ka pas stagnim për shkak të korrupsionit të lartë nga qeveritë e kaluara. Qeveria e re i ka dhënë një prioritet të merituar kësaj ministrie për ta modernizuar dhe bërë të aftë për të qenë aleate e denjë e NATO-s në misione ushtarake paqësore nëpër botë”, thekson Bekteshi.

Image
Konferencë për shtyp Camp Bondsteel, 2002 Gjeneral Lute dhe Bekteshi

Nga ana tjetër, Bekteshi thotë se me krijimin e FSK-së, Kosova shënoi një moment historik pavarësisht që në fillim kundërshtuar nga BE, OKB dhe NATO.

Shpërbërja e UÇK-së në TMK-ë (Trupat e Mbrojtëse të Kosovës, 1999-2009) dhe shpërbërja e TMK-së dhe krijimi FSK-së (Forca e Sigurisë të Kosovës me 21 janar 2009). Më 19 mars 2008, Presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush autorizoi ndihmën ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës në një hap tjetër për të vendosur marrëdhënie zyrtare me Kosovën. Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës brenda 10 viteve. Për këtë reaguan ashpër BE, OKB, NATO, por u miratua nga SHBA, Britania, Gjermania dhe Franca, derisa Amb. amerikan në Prishtinë Kossnet deklaroi se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është një moment historik”, thotë tutje ai.

Bekteshi në bisedë e sipër shprehet se me ndihmën dhe përkushtimin e ekspertëve ushtarak amerikanë Ushtria e Kosovës po behet një realitet dhe një storie suksesi.

Pa aleatët tanë këto shpërbërje e transformime dhe trajnime kanë qenë të pamundura, por duke iu falënderuar KFOR-it, një akronim për Kosovo- Forcë dhe ekspertëve të këtij misioni ku u dalluan Forcat Britanike në fillim dhe Forcat amerikane që nga fillimi deri në ditët tona, u kujdesën me vetëmohim për trajnimin profesional në të gjitha fazat qoftë në bazën amerikane Bondsteel e qoftë në bazat e TMK/FSK-së. Me ndihmën dhe përkushtimin e ekspertëve ushtarak amerikanë Ushtria e Kosovës po behet një realitet dhe një storie suksesi”, thekson veprimtari nga Amerika.

Tutje, Bekteshi thotë se misioni ushtarak është sensitiv dhe duhet të mbahen sekrete disa nga informacionet në mënyrë që të mos bëhen lëshime.

Ai përmend rastin me kërkesën për ngjyrosje të dy autoblindave për përdorim në misionin e kontrabandës dhe reciprocitetit në veri, pasi një lëshim i tillë do ta dëmtonte FSK-në.

Meqë misioni i ushtarak është tepër sensitiv, dhe në punën e saj të përditshme duhet të aplikohen kodet, rregullat e klasifikuara ushtarake konfidenciale (sekret/top sekret) dhe të ruhen ato konform ligjeve ushtarake dhe mos të bëhen rrjedhjet sekrete ushtarake pre e spektaklit mediatik sikurse që ndodhi me “kërkesën për ngjyrosje të dy autoblindave për përdorim në misionin e kontrabandës dhe reciprocitetit në veri. Gjeneralit Rama do t’i bënte më shumë nder sikur mos të kishin rrjedh këto informata me autoblindat dhe me shkarkimin e tij për shkak të refuzimit, përpara se kjo të ndodhte. Gjeneral Rama ka bërë një punë solide dhe lëshimet e informacioneve shtesë në ditët në vijim vetëm se mund ta dëmtojnë atë dhe FSK-në”, thotë ai.

Në fund, veprimtari thotë se me emërimin e komandantit të ri do të fillojë një etapë e re për FSK-në, duke shtuar numrin e kadetëve që të shkollohen në Akademitë Ushtarake prestigjioze, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Në përpjekjet për reformimin e Forcave të Armatosura besojmë fort se Komandanti i ri i FSK-së do të shtoj numrin e kadetëve që të shkollohen nëpër Akademitë Ushtarake duke u nisur nga West Point dhe akademi të tjera prestigjioze për zanatin e ushtarakut. Të vazhdoj me zgjedhjen e kuadrove profesionale, me trajnime bashkëkohore dhe për ti ngrit Forcat e Armatosura në një nivel të ri konform standardeve amerikane dhe NATO-s. Ky emërim i ri, si në aspektin moral e profesional është shumë i mirëpritur në opinionin mbarë shqiptar, dhe le të shpresojmë edhe për kthesën e madhe për një mision kapital, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, përfundoi Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat