Britania emëroi për herë të parë emisar për Ballkanin/Analisti paralajmëron konferencë të mbyllur, para dialogut Kosovë-Serbi

Politika

Britania emëroi për herë të parë emisar për Ballkanin/Analisti paralajmëron konferencë të mbyllur, para dialogut Kosovë-Serbi

Nga: A.M. Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 18:05
Sir Stuart Pech

Qeveria britanike këtë të enjte njoftoi se kryeministri, Boris Johnson, emëroi një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim thuhet se i dërguar do të jetë Sir Stuart Pech dhe emërimi është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për zhvillimin dhe përparimin e rajonit.

“Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, një post të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, thuhet në njoftim.

Krahas kësaj, qeveria britanike pas emërimit bëri të ditur disa nga prioritetet e Emisarit Special të tyre për Ballkanin Perëndimor,duke përmendur edhe përkrahjen për dialogun Kosovë-Serbi.

E këtë vendim të Britanisë së Madhe e komentoi analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ai beson se më në fund duket se SHBA e ka kuptuar se BE nuk po arrin ndonjë rezultat konkret në zgjedhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bazuar në ndryshimet kadrovike në sektorin diplomatik në regjion, duket që e kanëkuptuar nevojën imediate për ta shtyrë përpara zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian në anën tjetër, edhe përkundër faktit se është bartës, apo fasilitues kryesor në proces, duket të ketë probleme serioze të brendshme në vendimmarrje sa që nuk mund të pritet ndonjë rezultat konkret prej tyre”, deklaroi ai.

E duke u bazuar në këtë, Duhanaj e mirëpriti përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në këto çështja, duke thënë se sa më shumë që të ketë ndërhyrje anglo-amerikane, aq më mirë për Kosovën.

“Duke qenë se gjendja veç sa po shkon e keqësohet si pasojë e ndikimit dhe ndërhyrjes ruse, atëherë çështja bëhet edhe më alarmante. Në ketë kontekst, mendoj që edhe Mbretëria e Bashkuar, e ka emëruar emisarin e saj, për të qenë akterë në ketë proces.

Për Kosovën dhe shqiptarët, sa me shumë ndërhyrje anglo-amerikane, aq me pozitive dhe me shumë shpresa për zgjidhje të mira. Aq më shumë kur tash së fundmi edhe në Gjermani kemi ndryshim të pushtetit dhe akoma nuk dihet qartë se cili do të jetë qëndrimi gjerman karshi çështjes edhe pse sinjalet janë pozitive, vetë fakti që kemi kuadër të ri në proces, mund të jetë sfidues”, theksoi analisti.

Në fund, ai kërkoi nga të gjithë akterët politik në Kosovë, që të bëhen bashkë dhe të përgatiten për çdo situatë.

Pasi, sipas tij ndërkombëtarët edhe mund të organizojnë ndonjë konferencë të mbyllur, në të cilën palët do të dalin me marrëveshje të nënshkruara.

“Në këtë kontekst, emërimi i emisarëve për mendimin tim është sinjal tepër pozitiv, por që duhet marrë seriozisht nga akterët politik në vend, në mënyrë që të jemi mirë të përgatitur për çdo situatë. Shumë lehtë mund të ndodhë që mekanizmat ndërkombëtarë ta organizojnë ndonjë konferencë të mbyllur nga e cila, palët mund të dalin vetëm me marrëveshje të nënshkruar, prandaj sa me unik, sa me të përgatitur, sepse koha nuk kthehet mbrapsht për të na i ushqyer egot politike”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat