Detajet që ndihmojnë në zbulimin e vrasësit të Gllogjanit/Të shkarkohen prokurorë e eprorë policie

Politika

Detajet që ndihmojnë në zbulimin e vrasësit të Gllogjanit/Të shkarkohen prokurorë e eprorë policie

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 dhjetor 2021 Në ora: 13:37
Foto ilustrim

Ka kaluar më shumë se një javë që nga tragjedia e Gllogjanit, e cila e tronditi Kosovën.

Tre të vrarë, në mesin e tyre dy nxënës, ishte bilanci tragjik pasditen e të premtes së 26 nëntorit, kur një i maskuar ka shkrepur plumba me kallashnikov në drejtim të autobusit të kompanisë “Erblini Tours”.

Kjo tragjedi padyshim mbetet një nga enigmat e radhës për vendin tonë, shkruan “Bota sot”.

Pavarësisht mobilizimit të madh dhe premtimeve të fuqishme nga institucionet e drejtësisë për kapjen e autorit, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këtë rast.

Mos kapja e autorit po arrin të sjellë versione të ndryshme se kush mund të jetë autori i krimit dhe kush mund ta ndihmojë.

Madje deri më tani Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar që ka edhe të dyshuar për këtë akt.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në deklarimin e fundit për këtë rast i kishte bërë thirrje dorasit që të dorëzohej.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se moti i ligë i ka penguar për gjetjen e gjurmëve për këtë rast.

“Jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjell njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve hetimore dhe operative”, kishte thënë Mehmeti.

Për kapjen sa më të shpejt të autorit, Qeveria e Kosovës ka ofruar para pak ditësh 20 mijë euro për personin që jep informacione.

Tërnava: Shteti duhet të gjej vrasësin që shkaktoi këtë tragjedi në vendin tonë

Image
Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, i cili u shpreh se koha po vazhdon të kalojë dhe vrasësi nuk po kapet.

Ai cek që këto vrasje që nuk po arrihen të zbulohen po sjellin një numër në rritje të vrasjeve të pazbuluara dhe të harruara nga shteti. Eksperti më tej shprehet se janë mbi 450 vrasje të pazbuluara dhe kjo po shkakton pasiguri.

“Koha po kalon dhe asnjë lajm për vrasjet makabre që i kreu vrasësi i perfeksionuar, sepse një vrasje e tillë moti nuk ka ndodhur, dhe të mbetet kaq kohë pa u zbuluar asnjë shenjë deri më tani. Por, meqë kemi mjaft vrasje të pazbuluara deri më tani, edhe kjo vrasje mbas një kohe mund të harrohet si tjera vrasje që janë harruar. Kjo vrasje institucioneve që e luftojnë krimin e posaçërisht vrasjet në përgjithësi, duhet t’ju shërbej si vërejtje për gabimet e tyre që po i bëjnë dhe nga ky rast të nxjerrin vendime apo mësime që mos t’iu ndodhin herëve të tjera kësi lloj vrasjesh, por mos të harrojmë se vetëm në vitet e fundit i kemi mbi 450 vrasje të pazbuluara”, thotë ai.

“Kosova kurrë nuk ka pasur numër më të madh të policisë se tani, dhe nëse numri i policisë është rreth 9.000 dhe kemi raste të pazbuluara të krimit, si vrasjet, bëhet pyetja se pse ekspert të këtyre lëmive nuk po e analizojnë këtë dukuri dhe me ardh te përfundimet e ndodhjeve të këtyre dukurive, dhe sikur ta gjenin shkakun edhe mënyra e intervenimeve dhe zbulimeve do të ishtin më të suksesshme”, thotë Tërnava.

Janë bërë tashmë 10 ditë nga vrasja makabre në Gllogjan, pa rezultat të hetimeve, gjë që sipas Tërnavës, dikush duhet të jap llogari, të bëhen ndryshimet në strukturat e hetuesisë etj.

“Sot janë rreth dhjetë ditë nga tragjedia e Gllogjanit që tronditi Kosovën. Sikur në çdo profesion tjetër kur nuk ka suksese, edhe në policinë e Kosovës duhet personat që gjenden në ato poste dhe nuk kanë dëshmuar tashmë sukses në zbulimin e vrasjeve që sipas fakteve janë mbi 450 vrasje të pazbuluara në Kosovë, të ndërrohen nga ato vende të punës dhe në ato poste të emërohen zyrtarë policor që kanë treguar afinitet dhe sukses, dhe janë të shkolluar e mund të kontribuojnë, nëse në mënyrë permanente punojnë t’i zbulojnë ato”, shprehet Tërnava.

Në vazhdim ai thotë që ky vrasës na lë të kuptojmë që nuk ka qenë sulmi i parë që e ka bërë dhe se që nga fillimi ka bashkëpunëtor të shteteve, siç i quan Tërnava armiq të Kosovës, që po i ndihmojnë për të ikur.

“Mos të harrojmë se mënyra makabre e vrasjeve në Gllogjan për të cilën opinioni nuk ka fare njohuri për pistat deri ku kanë arritur hulumtimet e zbardhjes të këtij rasti, dhe mënyra e kryerjes së vrasjeve, na jep të nënkuptojmë se ky person këto vrasje nuk i kishte bërë si herë e parë, sepse gjakftohtësia e tij na jep me nënkuptuar se ky vrasës mund të ishte profesionist, që vrasje të tilla i ka kryer edhe më parë, prandaj edhe u zhduk pa e lënë asnjë gjurmë. Kjo vrasje, ka dyshime që na jep të nënkuptojmë se autori mund të jetë bashkëpunëtor i shërbimeve të shteteve të orientuara armiqësisht ndaj shtetit tonë”, thekson eksperti i sigurisë.

Shtetet armike të Kosovës mund të jenë të përfshira në sulmin e fshatit Gllogjan

Nga ana tjetër Tërnava përmend edhe rastin “Panda” në qytetin e Pejës e që thotë ajo ishte vepër e policisë serbe, e që edhe ky sulmi planifikuar më të ketë gishtë Serbia, për të vënë Kosovën si një shtet destabil.

“Dyshimi krijohet edhe më shumë sa i përket kësaj vepre, sepse ky vrasës zgjodhi fshatin Gllogjan, e kur dihet se ky fshat e ka një reputacion dhe popullaritet tek populli i Kosovës, për hir të luftërave në ato treva dhe dëshmorëve të atij fshati, dhe kjo mënyra e humbjeve të gjitha gjurmëve, po na jep me dyshu edhe në këtë drejtim”, thotë Tërnava.

Në bisedë e sipër eksperti i sigurisë cek edhe ngjarjet e fundit që ndodhën tek shqiptarët duke thënë se ndaj Kosovës po zhvillohen luftëra speciale për ta detyruar të bëjë kompromise me Serbinë, ndërsa ne sipas tij jemi një vend i pambrojtur sa duhet.

“Edhe rastet e ndodhura para katër muajve në Kroaci me autobusin me plot pasagjerë që vdiqën në aksident, para pak kohe tragjedia në spitalin i ri në Tetovë ku u dogjën plotë viktima, dhe para pak ditësh tragjedia me autobusin në Bullgari ku vdiqën 45 udhëtarë dhe autobusi u djeg në tërësi, nga të gjitha këto ndodhi-ngjarje, nuk ka fakte për t’u ditur shkaku i këtyre aksidenteve. Janë këto dyshime që na japin të nënkuptojmë se ndaj shqiptarëve shtetet armiqësore ndaj Kosovës, po udhëheqin luftëra speciale për qëllimet që i shpjegova, sepse edhe tani do të kemi bisedime me Serbinë për çështjen e njohjeve reciproke, dhe ka të dhëna edhe nga ndërkombëtarët se edhe bashkimi i shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre është në kombinim, si një proces që mund të ndodhë”, thekson eksperti i sigurisë.

Në fund ai thotë që për këtë sulm duhet të japin përgjegjësi eprorët e lartë të policisë së Deçanit, Drejtoria rajonale në Pejë, pasi ato janë përgjegjëse për qytetarët e atij regjioni.

“Tani për tërë këto vrasje makabere që ndodhën para 10 ditësh në Gllogjan, përgjegjësi duhet të japin eproret më të lartë si të Deçanit, njashtu edhe Drejtoria rajonale në Pejë, sidomos personat më përgjegjës në ato institucione sepse ky regjion i takon Pejës. Në të njëjtën mënyrë përgjegjësi duhet të japin edhe prokurorët përgjegjës të prokurorisë në Deçan dhe Pejë”, u shpreh Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Krasniqi: Institucionet e vendit ta zbulojnë këtë sulm, të mos harrohet si shumë të tjera

Image
Juristi Islam Krasniqi

Ndërsa juristi Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që përgjegjësia duhet të kërkohet nga të gjithë ata që po neglizhojnë rastin.

Sipas tij Prokuroria speciale duhet të jetë më vigjilente duke kërkuar prova për të kapur vrasësin edhe pse policia rajonale mund të jetë më afër së vërtetës, por në shumicën e rasteve kanë dështuar për të zbuluar të vërtetën.

“Përgjegjësia duhet të kërkohet nga ata që më qëllim neglizhojnë rastin e Deçanit ku tre persona mbetën të vrarë, dy nga të cilët ishin nxënës. Prokuroria speciale duhet të jetë më vigjilente që të punojë në këtë drejtim duke i lëvizur edhe gurët për t’i nxjerrë akterët e vrasjes para drejtësisë. Policia rajonale mund të vie më shpejtë afër së vërtetës, por nëse bazohemi nga e kaluara, nuk kanë treguar rezultate në këto procese, e që tërë përgjegjësia bie mbi prokurorinë speciale pasi që edhe Prokuroria Themelore rezultatet i ka zero dhe s’mund të sjellë ndonjë rezultat”, shprehet juristi.

Ai në fund thotë që shpresat mbeten te Prokuroria speciale për të kthyer besimin e humbur dhe të zbulohet kjo vrasje e jo të harrohet si shumë të tjera.

“Ne presim nga Prokuroria speciale që t'i dërgoj këto procese përpara dhe ta kthejë besimin e humbur, sepse pagat e majme që marrin duhet edhe t’i arsyetojnë, e jo të mbetet kjo vrasje si shumë të tjera pa u zbardhur me qëllim apo në mungesë të provave”, përfundoi Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat