“Kosova nuk është Krime z. Nazarbajev!”

Politika

“Kosova nuk është Krime z. Nazarbajev!”

Nga: A.Z Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 15:26
Nursultan Nazarbayev

Ish-presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev tha se vendi i tij nuk e njeh Krimenë si pjesë të Rusisë, por nuk e mbështetë as Ukrainën. Duke folur për këtë çështje, ai tha se Kosova po kërkon që Kazakistani ta njohë pavarësinë e saj.

“Ne nuk e kemi njohur Krimenë si pjesë të Rusisë, sepse atëherë duhet ta kishim njohur Osetinë e Veriut, Abkhazinë dhe Kosovën. Edhe Kosova po na kërkon njohje”, tha Nazarbayev.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, i quan të padrejta mendimet e Nazarbajevit, sepse rasti i Kosovës me Krimenë nuk barazohet kurrsesi.

Kelmendi gjithashtu theksoi se Kosova kur iu nda Shqipërisë territori i është tkurrur për 200%, ndërsa gjatë sundimit jugosllav Kosova ishte subjekt themelues i Federatës së Jugosllavisë, dhe më vonë u çlirua me ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s, si dhe u shpall shtet sovran, dhe në një procedurë të rregullt, e njohur nga GJND-ja.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova nuk është Krime z. Nazarbajev! Mendimet e këtij ish-presidenti të Kazakistanit, z. Nazarbajev, nuk janë të drejta. Kurrsesi nuk mund të barazohet Kosova me Krimenë, me Osetinë e Veriut dhe as me Abkhazinë. Bazat janë krejtësisht të dallueshme. Shikuar historikisht Kosova gjatë sundimit otoman ishte një vilajet me plotë çështje të brendshme të rregulluara, kuptohet me të drejtën osmane. Më vonë u nda nga Shqipëria dhe u t’kurrë për 200% territori. Mbi 20 mijë kilometra katrore iu dhanë Serbisë dhe Malit të Zi, Maqedonisë më vonë etj. Mbeti kjo Kosovë me 10 mijë kilometra katrore. Gjatë sundimit jugosllav e kishte Kosova statusin e autonomisë dhe ishte subjekt themelues i Federatës së Jugosllavisë. Mbi këtë dhe mbi luftën e UÇK-së dhe të botës së civilizuar të udhëhequr nga SHBA-ja, Anglia dhe NATO-ja u çlirua vendi dhe e shpalli shtetin”, tha ai.

Tutje deklaroi se vendet që Nazarbajev i ka përmendur, asnjëherë nuk kanë qenë subjekte shtetformuese.
Madje ai gjithashtu përmend faktin se Kosova ishte në RSF të Jugosllavisë element konstituues (shtetformues), gjë që sipas Kelmendit, kjo dëshmon se ky ish-president nuk është në gjendje ta kuptoj realitetin.

“Këtë shtet e kanë njohur mbi 115 shtete. Është subjekt i shumë mekanizmave ndërkombëtar dhe të organizatave. Ndërsa, vendet që ish-presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev i përmend, nuk ishin subjekte dhe as që kishin karakter të subjekteve shtetformuese. Kosova ishte në RSF të Jugosllavisë njëjtë si Kazastani në ish BRSS. Këtej del se ky far ish-presidenti nuk është fare në gjendje ta kuptojë realitetin dhe se politikën e ndërton mbi bazat e interesave të Moskës kundruall Ballkanit dhe Serbisë. Kjo nuk duhet që Kosovës t’i bëjë përshtypje”, shtoi Kelmendi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat