Serbia në ‘aksion’/ Prapaskenat e takimit Gjuriq-Grenell – Ja si po synohet ndarja e Kosovës!

Politika

Serbia në ‘aksion’/ Prapaskenat e takimit Gjuriq-Grenell – Ja si po synohet ndarja e Kosovës!

Nga: A.M. Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 21:14
Foto ilustrim

Serbia po synon t’i forcojë marrëdhëniet me Amerikën, duke fituar mbështetjen e shtetit më të fuqishëm në botë. Për këtë, presidenti serb, Aleksandëar Vuçiq e ka angazhuar ambasadorin e tij në Uashington, Marko Gjuriq. 

Ky i fundit, para disa dite ishte në një darkë të organizuar për disa anëtarë të Kongresit Amerikan dhe ish-emisarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. 

Në darkën në Uashington morën pjesë 14 përfaqësues të Kongresit Amerikan, përfshirë anëtarë të Komisionit të Punëve të Jashtme, Komitetit Ushtarak dhe Komisionit të Sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. 

Në lidhje me takimin e Gjuriqit dhe Grenellit në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi. 

Fillimisht, ai tregoi shkakun se pse pikërisht Gjuriq u emërua ambasador në SHBA. 

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi. 

“Ambasada dhe ambasadori i Serbisë në Uashington, Gjuriq, para dy ditësh shtroi një darkë me personalitet amerikane. Në këtë darkë morën pjesë rreth 15 amerikanë të niveleve të ndryshme në institucione, mes tyre edhe Richard Grenell. Marko Gjuriq u emërua si ambasador i Serbisë në SHBA për arsye të lidhjeve të tij të ngushta me qarqe të caktuara të lobit serb atje. Ai është një emër i njohur, sepse ka qenë i ngarkuari i presidentit Vuçiq për Kosovën”, deklaroi profesori. 

Sipas Bytyçit, që nga emërimi i Gjuriqit marrdhëniet Serbi-Amerikë janë përmirësuar. 

Madje, ai përmendi faktin se ambasadori serb po vazhdon planin serb për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis Kosovës, plan ky i Vuçiqit-Thaçit-Ramës. 

“Që prej kësaj kohe pozita e Beogradit në Uashington është forcuar. Por kjo nuk ka ndodhur vetëm për shkak të Gjuriq. Ai thjesht ka vazhduar dhe po vazhdon axhendën pro-serbe të treshes Vuçiq-Thaçi-Rama! Ishin këta që aktivizuan lobin serb në SHBA për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Ishin këta që u thanë autoriteteve amerikane se “Janë dakord me ndarjen e Kosovës“! Ishin këta që i ofruan Uashingtonit një lloj kompromisi, sipas tyre për të arritur paqen e stabilitetin në Ballkan”, theksoi ai. 

Në vazhdim, profesori konsideron që pasi Thaçit iu ndalua udhëtimi në Uashington, Vuçiqi mori masa dhe në këtë çështje e përfshiu edhe Marko Gjuriqin. 

“Por që prej momentit kur Thaçi u ndalua të udhëtonte në Uashington për të nënshkruar ndarjen e Kosovës, Vuçiq mori masa shtesë për ta mbajtur SHBA-në në një lidhje të ngrohtë me Serbinë ‚ me qëllim që ta ketë në krah e pro-opsionit të tij për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit Kosovë-Serbi, por edhe për favore në prezencën serbe në Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi. Në këtë program bën pjesë darka e Marko Gjuriq me personalitetet amerikane”, shpjegoi Bytyçi. 

Më tej, ai potencoi se të gjithë personalitet amerikane që morën pjesë në darkën e Gjuriqit, përfshirë Grenellin janë pjesë e lobit të Serbisë në SHBA. 

Gjithashtu, profesori tha se në këtë darkë çështje e bisedave ka qenë edhe Kosova, ku sipas tij plani kryesor është rikthimi i idesë së ndarjes së saj në tavolinën e bisedimeve. 

“Derisa këto personalitete janë bashkuar në darkën e ambasadorit serb, kjo do të thotë se ata janë pjesë e lobit të Serbisë në Amerikë. Kjo nuk vihet në dyshim. Në këtë grupim bën pjesë dhe ka një rol të caktuar ish-i ngarkuari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-serbi, ambasadori Richar Grenell. Nga kjo kuptohet mirë se në atë darkë është folur për Kosovën dhe opsionet serbe të definimit të dialogut. Serbia ka një projekt me pritjet e saj maksimale dhe minimale rreth këtij dialogu.  

Zakonisht në takime të tilla informale, jo zyrtare, ose më saktë miqësore dhe intime, shkohet me disa opsione, nga kërkesa maksimale deri te ajo minimale. Por edhe kërkesa minimale është si karrem! Maksimalisht Beogradi synon ta rikthejë në tavolinën e bisedimeve idenë e ndarjes së Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Kush beson se kjo kërkesë serbe është varrosur, gabon rëndë. Serbët nuk tërhiqen aq lehtë. Thjesht duhet gjykuar se sa punon koha për ta”, nënvizoi profesori. 

Ndër të tjera, Bytyçi përmendi edhe përparësitë e Vuçiqit dhe mangësitë e tij karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikë. 

Në disavantazh bënin pjesë planet e fshehta me Rusinë, kurse avantazhe i cilësoi marrëdhëniet e tij me Ramën dhe Sorosin. 

“Dhe në fakt koha për momentin është e vështirë për Aleksandër Vuçiq. Protestat e para pak ditëve dhe sjellja autoritare e tij në sistemin politik të vendit të tij e bën atë jo kredibil edhe në SHBA, edhe në disa vende të Evropës. Nga ana tjetër ai është së paku i dyshuar për lidhje të fshehta dhe plane sekrete me Kremlinin dhe presidentin rus, Vladimir Putin. Këto i konsideroj disavantazhe të presidentit të Serbisë. 

Megjithatë ai ka edhe avantazhe. Sa kohë që Vuçiq ka në krah të tij Edi Ramën dhe George Soros, aq kohë ai ruan mundësinë e artë që të jetë i sukseshëm në lobimin e tij pro-serb në SHBA! Pikërisht këtë avantazh ia siguron Gjuriq. Duhet pasur parasysh se investimet serbe në lobet pro-Beogradit janë marramendëse. Shkojnë në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Këto para, nëse marrësit e tyre paguajnë taksat për to në zyrat amerikane, në SHBA janë të ligjshme”, tha ai. 

Krejt në fund, profesori kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të jetë e vëmendshme dhe të punojnë për përforcimin e marrëdhënieve me Amerikën.

“Kjo do të thotë se ata që ishin në darkën e ambasadorit serb në Uashington janë paguar majmë nga autoritetet e Beogradit. Është një inkurajim dhe paralajmërimi Serbisë për ata që kanë pranuar të punojnë për lobim pro-serb. Është një kërkesë emergjente, me të cilën atyre u thuhet: “Tani është koha të hidheni në aksion dhe të përmbyllni disa aksione në dobi të Serbisë në dialogun me Kosovën”! 

Për këto arsye qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj duhet të jenë shumë të vëmendshme. Të punojë për të forcuar lidhjet me SHBA-të. Sa më shumë të dobësohen këto lidhje, aq më shumë gjejnë terren përpjekjet serbe për të tërhequr amerikanët në anën e tyre”, përmbylli profesor Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat