“Ata duhet të goditen fort”/ Serwer kërkon sanksionimin e radhës për politikanët në dy kryeqytete, të përfshihet edhe BE-ja

Politika

“Ata duhet të goditen fort”/ Serwer kërkon sanksionimin e radhës për politikanët në dy kryeqytete, të përfshihet edhe BE-ja

Nga: A.ZH Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 21:31
Eksperti amerikan për Ballkanin në Universitetin John Hopkins, Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin John Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për të futur në listë sanksionesh rrjetet e korrupsionit në Evropë, përfshirë edhe grupin e krimit të organizuar në veri të Kosovës që drejtohet nga Zvonko Veselinoviq.

Serwer, duke folur për gazetën “Bota sot”, e ka quajtur veprim “të mirë” goditjen e SHBA-së ndaj krimit të organizuar në veri të Kosovës. Por, ai ka thënë se sanksionet do të ishin më efektive, nëse aksionit do t'i bashkohej edhe Bashkimi Evropian.

“"Goditja" e SHBA është një gjë e mirë, por do të ishte shumë më efektive nëse BE-ja ose të paktën disa nga shtetet e saj anëtare do t’i bashkoheshin aksionit”, ka deklaruar profesori amerikan.

Serwer, poashtu ka kërkuar që sanksionet të shtrihen edhe në Serbi. Sipas tij, politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin duhet të goditën fort.

“Goditja gjithashtu duhet të shtrihet më tej, në dy kryeqytetet. Ka pak paralajmërim ndaj politikanëve. Ata duhet të goditen fort”, është shprehur Daniel Serwer për “Bota sot”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar se SHBA do të shfrytëzojë të gjitha mjetet për të thyer lidhjet mes aktivitetit kriminal dhe korrupsionit.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer lidhjet midis aktivitetit kriminal dhe korrupsionit. Veprimet e sotme, me përcaktimet e Departamentit të Thesarit për akterë të korruptuar të lidhur me organizata kriminale transnacionale në El Salvador, Kosovë dhe Serbi, janë pjesë e përpjekjeve tona të gjithë qeverisë për të thyer këto lidhje dhe për të promovuar llogaridhënien për akterët e korruptuar”, ka thënë Blinken.

Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë nga 24 etni në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat