Shuhen shpresat e “Ballkanit të Hapur” / Ky është skenari që do ta sjellë fundin e tij

Politika

Shuhen shpresat e “Ballkanit të Hapur” / Ky është skenari që do ta sjellë fundin e tij

Nga: M.H. Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 17:33
Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski dhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Dy homologët fqinj, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët dolën me qëndrime të përbashkëta për synimet që kanë drejt së ardhmes dhe bashkëpunimit si dy vende fqinje.

Sa i përket çështjes së “Ballkani të hapur”, presidenti i Maqedonisë Pendarovski dyshon që do të ketë sukses pa mbështetjen e të gjitha vendeve.

Ai gjithashtu hedh dyshime edhe në qëllimet e Serbisë.

Në lidhje me këto diskutime të reja, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, sipas të cilit Pendarovski me deklaratën e tij që është skeptik për “Ballkanin e Hapur”, na lë një shenjë pozitive që nuk është pro Rusisë dhe Serbisë.

Image
Enver Bytyçi

Efekti i largimit të Zoran Zaevit

Sipas Bytyçit në prononcimin për “Bota sot”, Pendarovski është treguar i kujdesshëm në këtë aspekt pasi ka parë që kjo iniciativë është destinuar të dështoj.

Është një zhvillim shumë pozitiv fakti që presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e sheh me skepticizëm iniciativën serbe të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit për “Ballkanin e hapur”.

Largimi i Zoran Zaevit nga drejtimi i ekzekutivit të këtij vendi ishte shenja e parë e çarjes së kësaj ngrehine pro-lindore e sidomos pro-ruse e pro-serbe. Tani në fushën e betejës për Open Balkan kanë mbetur Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiqi. Por, të dy po shohin se si po i rrjedhë uji i rrebesheve politike të këtyre kohëve nga çatia e deri te themelet e kësaj iniciative. Pendarovski u tregua sot i kujdesshëm në konferencën e shtypit me presidenten Osmani në Prishtinë kur tha se dyshon që Open Balkan të ketë sukses pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit. Në fakt, për shkak të akteve rrënuese të autorëve të “Ballkanit të hapur”, nuk pati sukses as Iniciativa e Berlinit, edhe pse pjesë e saj ishin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Që do të thotë se “Open Balkan” është i destinuar të dështojë në embrion pa pjesëmarrjen madje të fuqishme të vendeve të rajonit”, u shpreh ai.

Profesori më tej thotë që Maqedonia nuk do të ketë rol kyç në këtë iniciativë dhe se mospjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit e bënë edhe më të vështirë funksionimin e saj.

Po pse nuk marrin pjesë në këtë inciativë të gjitha vendet e rajonit? Këtë e zbulon zonja Osmani kur thotë se “Ballkani i hapur” është në funksion të qëllimeve të krijimit të Serbisë së madhe. Të tri vendet jo pjesëmarrëse e mendojnë dhe e besojnë këtë fakt. Jam i bindur se e beson edhe presidenti maqedonas, Pendarovski. Dhe është fat që ai i bashkohet kategorisë së skeptikëve. Kjo do të thotë se Maqedonia nuk do të ketë ndonjë rol të rëndësishëm në këtë iniciativë e madje mund të dalë prej saj. Nëse ndodhë kjo, atëherë pjesë e “Ballkanit të hapur” mbeten Serbia dhe Edi Rama. (Më lejohet të them se Shqipëria nuk është pjesë e këtij projekti me vullnetin e saj, por si rezultat i vendimit subjektiv të Kryeministrit të saj). Por edhe Aleksandër Vuçiqit po i ngushtohet laku”, thotë profesori.

Protestat në Serbi, jo të rastësishme

Tutje, Bytyçi përmend protestat e Beogradit e që sipas tij nuk janë të rastësishme.

Ai thekson që këto protesta po ndodhin pasi Vuçiqi ka humbur besimin e ndërkombëtareve duke shtuar që këta të fundit nuk do e mbështesin më Vuçiqin.

Protestat në Beograd nuk janë të rastësishme. Zgjedhjet e pranverës për parlamentin dhe postin e presidentit të Serbisë duket se do të jenë të vështira për Aleksandër Vuçiqin. Ndërkaq klima ndërkombëtare nuk po e favorizon atë. Duket se SHBA-të do ta shpallin non grata edhe vëllain e presidentit të sotëm të Serbisë. Ndërkaq djali i tij është skicuar si bashkëpunëtor i grupeve kriminale dhe aferave të shumta të dyshimta, ashtu si edhe vëllai i tij. Kjo po ndodhë, sepse Vuçiqi e ka gënjyer Perëndimin në zotimet e tij për të sjellë paqen e stabilitetin në rajon dhe për ta larguar vendin e tij nga ndikimi rus. Në Perëndim atij i besuan, i dhanë kohë të vepronte, por koha mbaroi dhe Aleksandër Vuçiqi, në vend që të kishte bërë para, përkundrazi i ka forcuar pozitat e tij nacionaliste pro-ruse. Në këto kushte ai nuk ka më asnjë mbështetje në Europë dhe SHBA. Këta aktorë të fuqishëm gjeopolitikë duan ndryshimin në Serbi. Duan ngritjen në pushtet të një brezi të ri politikanësh të pa implikuar në luftërat mizore të Serbisë së dekadës së fundit të shekullit të kaluar", thotë Bytyçi.

Në bisedë e sipër profesori shprehet skeptik që edhe Shqipëria s’do të shpëtoj lehtë nga kjo sepse goditjet që po i merr aleati i Ramës në Beograd do të vijnë në Tiranë për ta varrosur iniciativën “Ballkani i hapur”.

“Pas Serbisë e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri. Foltorja nuk është një fenomen thjesht si teke e Sali Berishës. Kush e lexon si të tillë gabon rëndë. Aksionet politike të tilla çka është foltorja e kanë një skenar dhe regji përtej zyrës se Doktorit. Kjo sepse duhet një përballje tjetër me Edi Ramën dhe këtë përballje nuk mund ta bëjë Lulzim Basha. Goditjet që po merr kësaj kohe aleati i Rames në Beograd do të vijnë edhe në Tiranë kundër Edi Ramës. Dhe përfundimisht në Tiranë do të varroset edhe “Open Balkan”, kjo iniciativë që favorizon krijimin e Serbisë së Madhe, izolon Kosovën dhe cenon interesat e shqiptarëve në rajon”, potencon profesori.

Kosova në Bashkimin Europian pa mushamanë e Beogradit, “Ballkanin e Hapur”

Ndër të tjera ai shprehet se vizita e presidentit të Maqedonisë së Veriut në Kosovë është e rëndësishme dhe po krijon mundësi për integrimin e saj në BE.

Vizita e presidentit të Maqedonisë së Veriut në Kosovë është me shumë rëndësi jo vetëm si akt diplomatik dhe politik, jo vetëm për forcimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës, por edhe për mesazhet lidhur me “Ballkanin e hapur” që po jep. Kosova me këtë rast forcon qëndrimet e saj në raport me këtë iniciativë serbe dhe krijon mundësi që integrimi i saj në Bashkimin Europian të përparojë pa mushamanë e prodhuar në Beograd me emrin “Ballkani i Hapur””, tha ai.

Në fund profesori thotë se presidentja Osmani edhe njëherë e dëshmoi që është e vendosur për mbrojtje të interesit kombëtar të Kosovës.

Prandaj dhe qytetarët e Kosovës, por edhe ata të Shqipërisë e kudo në Ballkan do të duhet të mbështesin qëndrimet politike dhe diplomatike sa i përket “Ballkanit të hapur” të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të vendit. Vjosa Osmani po dëshmon edhe kësaj radhe se është e vendosur në mbrojtje të interesit kombëtar të Kosovës. Kjo krijon një frymë besimi dhe optimizmi te qytetarët për garancinë e fitores në përballjen me politikat obskurantiste të Beogradit”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat