“Plani i Vuçiqit dhe Ramës për pastrimin e parave nga trafikimi i drogës”/ Bytyçi tregon qëllimin e ‘Ballkanit të hapur’

Politika

“Plani i Vuçiqit dhe Ramës për pastrimin e parave nga trafikimi i drogës”/ Bytyçi tregon qëllimin e ‘Ballkanit të hapur’

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 dhjetor 2021 Në ora: 20:10
Enver Bytyçi, Rama dhe Vuçiq

Projekti i “Ballkanit të Hapur” tash e disa muaj vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutuara në rajon.

Dihet se Kosova e ka kundërshtuar hapur këtë nismë, pasi po cilësohet si një projekt serb-sllav që synon avancimin e shtetit serb.

Megjithatë, Shqipëria me kryeministrin e saj, Edi Rama ka vendosur ta mbështetë atë, madje duke zhvilluar takime më të shumta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin.

Këtë projekt fillimisht e kundërshtoi edhe Bashkimi Evropian, mirëpo së fundi pas takimit të mbajtur në Tiranë, zyrtarë të BE-së kanë ndërruar qëndrim dhe e kanë përkrahur “Ballkanin e Hapur”.

“Varhelyi është pjesë e një lobingu, e një mekanizmi që promovon iniciativat serbe në BE”

Në lidhje me qëndrimin e BE-së për “Ballkanin e Hapur” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”.

Ai pavarësisht deklaratave të Komisionarit evropian, Oliver Varhelyi, beson se BE-ja nuk ka shprehur përkrahje për këtë projekt, derisa beson se ky është qëndrim personal i Varhelyit.

Image
Enver Bytyçi

“Fatmirësisht shoh që Bashkimi Evropian akoma nuk është shprehur në përkrahje të “Open Balkanit” dhe kjo nuk do të ndodhë, sepse në këtë iniciativë serbe ka shumë dritë-hije. Është e vërtetë se Komisionari për Zgjerim, Olivér Várhelyi, e përshëndeti samitin e së martës të kësaj iniciative të mbledhur në Tiranë. Është po ashtu e vërtetë se Varhelyi tha se "Ju do ta keni mbështetjen time"! Por, ai nuk tha në asnjë rast se Open Balkan do ta ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian e madje nuk e tha këtë as për Komisionin Evropian”, deklaroi Bytyçi.

Sipas profesorit, fatkeqësisht shumë gjëra në Bruksel fliten në emër personal të diplomatëve dhe zyrtarëve evropian, dhe jo në emër të BE-së. Për këtë arsye, ai tha se Varhelyi gjatë prononcimit të tij për “Ballkanin e hapur” nuk e përfshiu fare BE-në.

“Por, a mund të flasë një funksionar i lartë i BE-së në emrin e tij personal? Kjo ndodhë rëndomë, sidomos në rastin kur BE-ja nuk është një shtet, por një bashkim shtetesh. Për shumë gjëra në Bruksel flitet në emrin personal të autoriteteve, duke (keq) përdorur funksionet që ata kanë. Unë e kam dëgjuar me vëmendje disa herë fjalën e tij dhe dukej qartë se Varhelyi bëri shumë kujdes të evitonte çdo përfshirje të BE-së në qëndrimin e tij. Prandaj, duhet të them se përshëndetja dhe solidarizimi i tij në samitin e fundit nuk ishte dhe nuk duhet të lexohet si mbështetje për Open Balkan nga ana e Komisionit dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, Bytyçi konsideron se Varhelyi është vetëm pjesë e një lobimi që promovon iniciativat serbe, pra kjo nuk do të thotë që deklarimet e tij lidhen me vendimet e BE-së.

“Shpesh herë na ndodhë madje që Komisioni Europian merr vendime, p.sh. për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por vulën e këtyre vendimeve e kanë në dorë kryetarët e shteteve dhe qeverive të këtij Bashkimi. Janë ata që vendosin politikat kryesore. Ndërkaq, pse duhej që “Open Balkanin” ta përshëndeste Komisionari për Zgjerim, kur autoriteti i politikave të jashtme është Borrell, pra Komisionari për Siguri dhe Politikë të Jashtme i BE-së?! Unë mendoj se Varhelyi është pjesë e një lobingu, e një mekanizmi që promovon iniciativat serbe në BE dhe kjo do të thotë se deklarimi i tij nuk është shprehje e ndonjë vendimi në Bruksel”, theksoi profesori.

Në vazhdim, ai përmendi qëndrimin e Gjermanisë për “Ballkanin e Hapur”, ku u tha prerë se Ballkani Perëndimor duhet t'i përmbahet Procesit të Berlinit dhe vendimeve që u morën në samitin e fundit të këtij Procesi në Sofje në vitin 2020.

Qeveria gjermane e prerë: Ballkani Perëndimor duhet t'i përmbahet “Procesit të Berlinit”

“Ndërsa, sa i përket asaj që thashë më lart, të vendimmarrjes së kryetarëve të shteteve dhe qeverive, ata janë të përçarë. Nëse ka ndonjë qeveri, si ajo e Hungarisë, e cila e mbështet “Open Balkan”, kjo ndodh për shkak të përcaktimit pro Serbisë. Por, deklarata e fundit, e para dy ditëve e qeverisë gjermane bënte me dije qartë dhe prerë: Ballkani Perëndimor duhet t'i përmbahet “Procesit të Berlinit” dhe vendimeve që u morën në samitin e fundit të këtij Procesi në Sofje në vitin 2020. Ndërsa shumica e shteteve përfshirë dhe amerikanët, kanë definuar qëndrimin sipas të cilit "Open Balkan” duhet mbështetur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor"! Ndryshe nuk është as i plotë, as legjitim”, nënvizoi Bytyçi.

Më tej, profesori potencoi se nismat e pro-serbe apo ruse nuk mund të funksionojnë, pasi ato injorojnë monitorimin evropian dhe i hapin rrugë anti-ligjshmërisë.

“Iniciativa gjysmake nuk ka e nuk mund të ketë. Iniciativat anti-evropiane e pro-serbe apo ruse nuk mund të funksionojnë. Dikush mund të deklarohet personalisht pro ose kundër Open Balkan, por kjo nuk e ndryshon thelbin e qëndrimit evropian dhe amerikan. Nuk do të ketë përkrahje të Ballkanit të Hapur, sepse ai i kundërvihet evropianëve, injoron monitorimin evropian dhe i hap rrugë anti-ligjshmërisë. Imagjinoni një fakt: Nëse një iniciativë si kjo e “Open Balkan” arrin të mbijetojë duhet të financohet. Kush e financon atë?! Procesi i Berlinit ishte i projektuar si financim evropian dhe përsëri Rama, Vuçiq e Zaev e përmbysën zbatimin e tij. Pikërisht për ta zëvendësuar me “Ballkanin e hapur’”, tha ndër të tjera ai. 

Në fund, Bytyçi ritheksoi se “Ballkani i hapur” është një projekt mafioz, me të cilin bandat e krimit në aleancë me Vuçiq dhe Ramën duan të pastrojnë paratë e trafikimit dhe drogës.

“Po nga do të burojnë investimet për këtë projekt? Si do të zhvillohet rajoni pa investimet evropiane? Mbetet të hamendësojmë. Por nuk ka asnjë mundësi tjetër, përveçse investimeve të Sorosit, Rusisë dhe mafisë! Në këtë këndvështrim mendoj se Open Balkna është një projekt mafioz, me të cilin bandat e krimit në aleancë me Vuçiq dhe Ramën duan të pastrojnë paratë e trafiqeve dhe drogës. Jo pa qëllim po dalin çdo ditë fakte të implikimit të politikanëve në pushtet në Tiranë e Beograd në afera korruptive dhe akte kriminale pa fund. Po ashtu të të afërmve dhe familjes së tyre.

Nuk durojnë autokratët e Ballkanit të punojnë me fonde të monitoruara nga Bashkimi Evropian, prandaj duan të krijojnë iniciativa të pavarura ballkanike. Dhe për këtë korruptojnë edhe ndonjë zyrtar të Brukselit, si komisionari për Zgjerim!”, përfundoi profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat