Aksioni në Brezovicë/ Këta janë ‘peshqit e mëdhenj’ që qëndrojnë prapa ndërtimeve pa leje!

Politika

Aksioni në Brezovicë/ Këta janë ‘peshqit e mëdhenj’ që qëndrojnë prapa ndërtimeve pa leje!

Nga: A.M. Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 20:52
Foto ilustrim

Brezovica ndodhet në Komunën e Shtërpcës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Së fundi, policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë realizuar një aksion në këtë komunë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimin ndaj Bratisllav Nikolliqit, zyrtarit të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të Shtërpcës, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Prokuroria dyshon se Nikolliq ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Opinionisti Dedë Preqi e përshëndeti aksionin e policisë ndaj ndërtimeve të egra që janë bërë në Brezovicë.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se këto hetime do të duhej që të zhvilloheshin vite më parë, në mënyrë që të parandalohen këto krime të tilla.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Duhet ta përshëndesim dhe ta mbështesim aksionin e Policisë së Kosovës, ndaj ndërtimeve të egra që janë bërë në Brezovicë, që ishte më se e nevojshme të bëhet edhe më herët hetimi i këtyre ndërtimeve të vilave dhe shtëpizave pa leje në zonat e ndaluara, për t’i parandaluar llojet e krimeve të tilla, që i bëhej vendit tonë në këtë pjesë turistike dhe shumë atraktive të Kosovës.

Brezovica është pjesë e Parkut kombëtar « Sharri » e cila shtrihet në pjesën jugore të Kosovës, që përfshin një pjesë të Rajonin të Ferizajt dhe një pjesë të rajonit të Prizrenit, dhe kufizohet përgjatë kufirit me Maqedoninë Veriperëndimore, me Shqipërinë verilindore, me një sipërfaqe 53,272 hektar tokë. Dhe një hapësirë prej 39%të kësaj sipërfaqeje i takon komunës së Shtërpcës, si një komunë re, e cila u formua përmes procesit të decentralizimit në Kosovë në vitin 2009”, deklaroi Preqi.

Sipas tij, ky është një skandal shumë i madh, pasi aty përfshihen ‘peshqit e mëdhenj’: ish-ministra, ish-deputetë, ish-kryeministra, ish-drejtorë, etj., të cilët ndërtuan vila turistike, hotele dhe shtëpiza pa leje ndërtimi.

“Prandaj, sipas Ministrisë dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, në bazë të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit të kësaj hapësire të kësaj natyre, janë të përcaktuara zonat e ndërtimit dhe zonat e ndaluara të ndërtimeve, ku zona e parë dhe dytë i takonin zonave të ndaluara, kurse zona e tretë i takon zonës ku lejohen ndërtimet me leje në harmoni dhe në parim me ligjet e shtetit të Kosovës.

Mirëpo, çështja ka të bëjë me një skandal dhe krim ekonomik, e cila të ngjall edhe një ndjenjë shqetësimi, kur disa njerëz, apo t'i quajmë ndonjërin prej tyre edhe peshqit e mëdhenj, sepse bëhet fjalë për ish-drejtorë të ndryshëm, për ish-deputetë, për ish ministra, për ish- kryeministra dhe ish- kryetar të shtetit, të cilët ndërtuan vila turistike, hotele dhe shtëpiza pa leje ndërtimi në këto zona të ndaluara”, theksoi ai.

Në vazhdim, Preqi potencoi se përmes këtij lloji të shkatërrimit të ambientit natyror, shumë individë përfituan miliona si shpërblim.

“Kjo nënkupton edhe një mundësi të pafundme ndërtimi të llojit të tillë të egër, që në anën tjetër ka të bëjë me dëmtimin dhe shkatërrimin e ambientit natyror të kësaj zone, ku përmes individëve të caktuar janë mundësuar dhe realizuar shumë ndërtime pa leje në shkëmbim të dhuratave të ndryshme, të cilat arrijnë edhe miliona euro si shpërblim”, nënvizoi opinionisti.

Më tej, ai e përmendi edhe reagimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi për aksionin në Brezovicë. Preqi e vlerësoi këtë reagim të Lumezit si mbrojtje të veprimeve korruptive dhe kriminale që po i bëhen vendit.

“Një reagim i pa pritshëm erdhi edhe nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilin aksion e quajti si ndërhyrje në punët e brendshme të një Institucioni të pavarur të shtetit, me ç 'rast i shihet për të madhe, se si një kryeprokuror i shtetit, sikur po i mbron në një mënyrë veprimet korruptive dhe kriminale që po i bëhen këtij vendi, apo ndoshta se, këtu ka të bëjë me njerëz të pa prekshëm, për të cilët nuk mund të flitet dhe nuk mund të akuzohen si abuzues me pronat shoqërore dhe shkatërrimin e tyre”, potencoi Preqi.

Ndër të tjera, opinionist tha se pushtetet e kaluara nuk kishin guxim të ndërmarrin aksione të tilla, derisa e vlerësoi lartë aksionin e Qeverisë Kurti.

Ai u shpreh se qëllimi i këtyre aksioneve është mbrojtja e mjediseve shoqërore dhe arrestimi i peshqve të mëdhenj.

“Prokuroria e shtetit dhe pushtetet e deri tanishme nuk patën vullnet dhe as guxim që të ndërmarrin një aksion të tillë, së paku për ti parandaluar këto krime të rënda ekonomike, jo vetëm në Brezovicë por edhe gjetiu në territorin e Kosovës, sigurisht se qeveria e Albin Kurtit, po e bën një gjë të tillë, jo me një qëllim të caktuar për t’i prekur vetëm peshqit e mëdhenj, por për të mbrojtur dhe ruajtur pronat dhe mjediset shoqërore si prona të këtij populli dhe shtetit të Kosovës”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat